Banorët e Komunës së Studeniçanit protestojnë kundër ndotjes që shkakton deponia “Drislla”

Me moton “Për ajër dhe mjedis te pastër jetësore” qindra banorë të fshatrave të Komunës së Studeniçanit, ku më të theksuar ishin ata të fshatit Batincë, sot protestuan tek Deponija  Drislla, raporton Shenja. Banorët mbanin në duar parulla nga më të ndryshmet sikurse ‘Mjaftë më na Helmuat’. Ata thanë se nuk janë kundër askujt, por sipas tyre, shëndeti i qytetarëve duhet të jetë në rend të parë. Si shkak i Drisllës,  banorët thanë se shumë banorë kanë ndërruar jetë nga sëmundja e Kancerit, e cila sipas tyre, sëmundje kjo që fatkeqësisht nuk i ka kursyer as fëmijët.

ORGANIZATORË

“Këtu, në fshatin Batincë, Draçevë, Sopishtë, 5-6 vjetët e fundit kemi shumë persona të sëmurë nga sëmundjet kancerogjene dhe sëmundje tjera të mushkërive. Këtë e vërtetojë me shumë përgjegjësi, do të bëjë analiza, rreth të gjitha këtyre vendeve, do t’i përmbledhim të gjitha dokumentacionet dhe do ti shpalosim para gazetarëve. Vetëm në fshatin Batincë, në këtë rrugë, ku ka 100 shtëpi, në 15 vitet e fundit, kanë vdekur 20 persona dhe plus dy vajza, njëra 13 vjeçare dhe tjetra 15-vjeçare”.

Në emër të iniciativës qytetare, “Rinia e Batincës”, foli kryetari i kësaj shoqate, Avni Xhemaili, i cili tha se, posedojnë dokumente zyrtare, të cilët i kanë siguruar nga dy ambulantat e Batincës, dhe Xhemaili thekson se sipas rezultateve konstatohet se 68 përqind e pacientëve janë me sëmundje të mushkërive.

AVNI XHEMAILI, KRYETAR I SHOQATËS “RINIA E BATINCËS”

“Si shkak i kësaj , kemi të vdekur nga kanceri dhe shumë të tjerë të sëmurë me kancer. Poashtu kemi rritje drastike të sëmundjeve malinje, infeksione respiratore dhe kronike dhe si shkak kryesor është ndotja enorme e ajrit dhe mjedisit jetësorë të shkaktuar nga ana e deponisë “Drislla”. Faktë që duhet të na brengosë të gjithëve është se 70 përqindë e mbetjeve medicinale gropohen në tokë, që është një katastrofë ekologjike në vete, ndërsa 30 përqindë tjetra që mbetet djeget me anë të furrës, e cila nuk ka të instaluar filterë adekuat që e njejta mos ta ndotë ajrin dhe mjedisin jetësor”.

Avni Xhemaili tha se presin reagimin të  mënjëhershëm  nga organet përkatëse, siç thotë ai, nga qyteti i Shkupit, Ministria e Ekologjisë dhe Planifikimit Hapsinorë, dhe Zyrës së Bashkimit Evropian. E për këtë të fundit ai thotë se nuk beson se BE-ja do të pranojë në familjen e saj një shtet që e ndot ajërin dhe mjedisin jetësor. Protestuesit gjithashtu than se nëse nuk  plotësohen kërkesat e tyre ata do të vazhdojnë me protestat e tyre, deri në plotësimin e të njëjtave.