Banesat e Mijallkovit në Ohër do të shiten për thuajse dy mijë euro për metër katror

Agjencia për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar në RMV, publikoi shpallje në të cilin ofrohen në shitje një pjesë e pasurisë së konfiskuar të ish-shefit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sasho Mijallkov, për rastin “Perandoria”, transmeton Portalb.mk

Shpallja është publikuar në ueb faqen e Agjencisë dhe do të zgjasë 15 ditë, ndërsa afati për regjistrim është 23 gusht në ora 14:00.

Sipas shpalljes, në shitje janë vënë dy apartamente në Ohër, njëri prej 46 metër katror plus 19 metra katror ambient ndihmës, me çmim prej 94 mijë euro, ndërkaq tjetri me 58 metra katror dhe hapësira ndihmëse prej 56 metra katror i cili do të shitet për 146 mijë euro. Bëhet fjalë për dy apartamente në të njëjtën ndërtesë.

Ankandi është caktuar për 25 gusht dhe do të mbahet në mënyrë elektronike përmes të sistemit elektronik të tenderimit të Agjencisë www.odzemenimot.gov.mk.

Skrin shot nga Agjencia për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar

Të drejtë për pjesëmarrje në ankandin publik në mënyrë elektronike kanë të gjithë personat fizik dhe juridik, me përjashtim të personave të dënuar nga të cilët është konfiskuar pasuri e patundshme, të punësuarve në Agjencinë për Menaxhim me Pronën e Konfiskuara, si dhe personave të tjerë që zyrtarisht kanë marrë pjesë në procedurën e shitjes, thuhet në një nga kushtet në shpalljen e publikuar nga Agjencia për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar.

Rikujtojmë se rasti “Perandoria” ishte hapur nga ish-Prokuroria Publike Speciale në vitin 2018, për bashkim kriminal, dëmtim apo fuqizim të kreditorëve, keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim dhe pastrim parash dhe rendimente të tjera të veprës penale. Bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë, pasuria e konfiskuar e Mijallkovit në rastin “Perandoria” është me vlerë rreth 15 milionë euro, pavarësisht se Prokuroria pas arritjes së marrëveshjes me Mijallkovin deklaroi se është 36 milionë euro.

Më herët, në korrik të këtij viti, aksionet e sekuestruara të Mijallkovit ishin hedhur në ankand në bursë.

Në hetimin e këtij rasti janë përfshirë 19 persona, por shumica prej tyre në ndërkohë e kanë pranuar fajësinë dhe janë marrë vesh me Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, njëri prej tyre është edhe biznesmeni Jordan (Orce) Kamçev i cili e ka pranuar fajin dhe duhet të paguajë mbi 5 milionë euro në Buxhetin e shtetit përmes Drejtorisë për të Ardhura Publike.

Mijallkov, tanimë 11 muaj është i burgosur në Strugë. Ai vjet në gusht filloi ta mbajë dënimin me burg prej tre vjetësh. Mijallkov vendosi të mos punojë, por ka shprehur dëshirë të ndihmojë në aktivitetet e përditshme të burgut në pozicionin e shoferit.