Bambuja dhe kapitali

Edukata është një nga shtyllat kryesore të formimit të njeriut dhe të ndërtimit të shoqërisë. Është procesi i krijimit të njeriut të dytë, të atij tejfizik, i tëhollimit të qenies më fisnike në faqe të dheut. Pa të njeriu është vetëm biologji e fiziologji, është vetëm pamje, vetëm imazh njeriu, agjent pa thelb, pa esencën që i jep atij karakterin superior. Andaj shoqëritë vizionare investimin më të madh e bëjnë në gatimin e brezave përmes procesit edukativ që nis nga mjedisi prindëror-familjar dhe vazhdon përgjatë gjithë jetës. Është një formë e kulturizimit, e mbjelljes së kodit që hap çdo derë të jetës, që ndihmon përparimin dhe progresin vleror. 

Puna edukuese është e lodhshme, nuk jep fryte apo rendimente përnjëherë, duhet pasur durim, ngase rezultatet vijnë më vonë, nganjëherë edhe shumë vonë. Një pedagog atë e krahason me drurin e bambusë që mbillet si farë në tokë, plehërohet dhe ujitet për pesë vjet të plota, dhe në fund të vitit të pestë fillon të mbijë. Fillimisht mbillet fara e pemës, ujitet dhe plehërohet. Gjatë vitit të parë, nuk ka asnjë ndryshim në farën e mbjellë. Fara ujitet dhe plehërohet përsëri. Gjatë vitit të dytë, fara e bambusë gjithashtu nuk nxjerr asnjë filiz jashtë dhe nuk rritet. Gjatë viteve të tretë dhe të katërt, procesi i njëjtë përsëritet çdo vit, duke e ujitur dhe plehëruar përsëri farën e bambusë. Kinezët, me shumë durim, vazhdojnë të ujisin dhe të plehërojnë pemën e bambusë edhe gjatë vitit të pestë. Bambuja, pas plotësimit të periudhës pesëvjeçare, brenda gjashtë javësh, në një mënyrë të jashtëzakonshme, arrin një lartësi prej 27 metrash.

Rezultatet a e erdhën për gjashtë javë apo për pesë vjet? Me siguri se për pesë vjet. A mund të flisnim për rritjen e pemës, madje edhe për ekzistencën e saj, nëse nuk do të durohej, nëse fara nuk do të ujitej dhe plehërohej me bindje të fortë, me këmbëngulje për pesë vjet? Dhënia e ujit me kujdes në intervale të caktuara, mbrojtja nga kushtet fizike të pafavorshme si shiu dhe era, dhe puna ngulmuese, mosdorëzimi dhe durimi që zgjat në kohë, kanë si rrjedhim një bambu që arrin një lartësi mbresëlnëase për një pemë… (Çuhacı, 2015)

Çdokush nga ne duhet të punojë pandërprerë me fëmijën e vet që të nxjerrë në skenën sociale një aktor të dobishëm për veten dhe të tjerët. Rezultatet nuk duhet pritur në çast. Veprimet stihike dhe lënia e fëmijëve dallgëve të kohës, sjellin kokëçarje nga më të ndryshmet, shkarje nga të cilat do të vuajmë të gjithë. Le të jetë metafora e kultivimit të bambusë një simbolikë nxitëse për të na dhënë elan dhe për të na mobilizuar në aktivizmin tonë me brezat që do të jenë pasqyra e jonë. 

Një afarist shqiptar me nam që luan globalisht me kompaninë e vet, që ka bërë milionat, në një intervistë televizive, mes tjerash shprehu një fjali emblematike: “Pasuria ime është kjo kafeja që po e pi me ju!” Kafeja nuk është thjesht një pije, por një mundësi për të shkëmbyer e ballfaquar mendimet, për të qarë hallet, për t’i bashkuar hapësirat kulturore, vlerat shoqërore dhe besimet,  për t’u takuar me fytyrat e jetës dhe për t’u socializuar. Pra, shoku, miku, njerëzit që i kemi përreth që kemi arritur t’u bëhemi forcë tërheqëse kah vetja janë kapitali i vërtetë i jetës. Paratë dhe xhirollogaritë gjithashtu janë të rëndësishme. Aspekti material është pjesë e pandashme e jetës, por koncentrimi dhe reduktimi i jetës vetëm te lekët, është huqje fatale. Nëse njeriu mbetet i vetmuar, nëse s’ka sy që do ta shikojë, vesh që do ta dëgjojë, buzë që do t’i qeshin, fytyrë që para tij do të ndriçojë, mjedis që do ta vlerësojë, gjithçka është e kotë, s’ka kurrnjë vlerë. 

Një mangësi e madhe e disave nga mesi ynë është se sa t’i bëjnë dy qindarka, hipin në kullat e tyre të fildishta, shkëputen nga rrethi që i ka rritur, tjetërsohen tërësisht, duke mos e njohur as babain e vet. Edhe nëpër lagjen ku kanë lindur kalojnë në kohën kur s’ka njerëz ose natën, madje ka raste kur heqin dorë edhe nga shtëpia e trashëguar, për t’u shpërngulur në një lagje a qytet tjetër. Imagjinoni intelektualin që edhe për të shkuar në mal, del skajeve të katundit, e jo nëpërmes tij. Kjo është një kurs patologjik, një hastallëk i njerëzve të dobët që përfshihen nga një amnezi e vetëshkaktuar që në fund i bën të harruar nga vatra që u ka dhënë atyre gjithçka. Disa njerëz kanë kapital monetar, disa të tjerë kapital human, disa i kanë të dyja llojet. Njëri pa tjetrin nuk shkojnë. Po mungoi i dyti, njeriu ka vdekur para kohe. Formula ‘self-partnered’, për të cilën flet Carla M. Manly, që bazohet në idealin e të qenët i lumtur dhe i plotësuar si një  individ i vetëm, i izoluar (solo individual) nuk është platformë e shëndoshë, është një baltnajë e gjallë ku njeriu batis çdo ditë e më tepër. Bëhu miku më i mirë i vetëvetes (Be your own best friend.) – sugjerojnë ndjekësit e kësaj pikëpamjeje që bie ndesh me parimin që thotë se vetmia është specifike vetëm për Perëndinë. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.