Baktere fekale janë gjetur në ushqimin dhe ujin në shkollën në Shkup ku u helmuan 40 fëmijë
Bakteret nga grupi Enterobacteriaceae (baktere fekale) janë gjetur në një mostër të musakës që është shërbyer në turnin e parë në Shkollën Fillore “Dimo Haxhi Dimov” në lagjen Vllae në Shkup, si dhe janë gjetur në tre çezma në shkollë, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISP), në lidhje me rastin e helmimit e rreth 40 fëmijëve, transmeton Portalb.mk.
“Numri i mostrave të marra dhe materialeve të pranuara është i gjerë, dhe materialet për analizë ende po mbërrijnë,” thonë nga ISP.
Kujtojmë se në Sh.F. “Dimo Haxhi Dimov” në Vllae më 26 nëntor, një numër i madh nxënësish u ankuan për shqetësime në stomak. Institucionet kompetente njoftuan se nga kuzhina e shkollës fillore janë marrë mostra ushqimi, uji, si dhe mostra nga sipërfaqet dhe punonjësit, rezultatet e të cilave pritet të bëhen të ditura gjatë ditës së sotme.
“Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Shkup më herët sot njoftoi se uji në “Dimo Haxhi Dimov” është i sigurt sanitarisht dhe mund të përdoret pa pengesa.
“Më 26.11.2025 ‘Ujësjellësi dhe Kanalizimi’ kreu një monitorim të jashtëzakonshëm bazuar në një ankesë nga Sh.F.Q. ‘Dimo Haxhi Dimov’, Komuna e Karposhit. Sektori për Kontroll Sanitar mori 4 mostra nga dy lokacione (klasë dhe kuzhinë), dy prej të cilave për analizë fiziko-kimike dhe dy për analizë mikrobiologjike.
Nga rezultatet e marra, të gjitha mostrat fiziko-kimike dhe mikrobiologjike i përgjigjen Rregullores për kërkesat e sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijshëm (Gazeta Zyrtare e RM-së nr. 183/18), me ç’rast konstatojmë se uji është i sigurt sanitarisht dhe mund të përdoret pa pengesa,” thonë nga ndërmarrja publike.
Inspektorët nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dje kryen kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese në kuzhinat e 9 shkollave fillore në Komunën e Karposhit, të cilat menaxhohen nga i njëjti operator ushqimor në pronësi të të cilit është edhe magazina qendrore ku ndodhet Shkolla Fillore “Dimo Haxhi Dimov” dhe prej nga furnizohen materialet për përgatitjen e ushqimit.
Bëhet fjalë për operatorin ushqimor “Vanilla Food“.