Avokati i Popullit RMV: Është hapur linjë telefonike falas për raportimin e parregullsive zgjedhore
Prej sot, zyra e Avokatit të Popullit ka lëshuar linjë telefonike falas 0800 54321, ku qytetarët mund të raportojnë çdo shkelje të të drejtave të tyre, si gjatë periudhës së fushatës ashtu edhe në ditët e raundit të parë dhe të dytë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025, 19 tetor dhe 2 nëntor 2025, transmeton Portalb.mk.
Siç informon zyra e Avokatit të Popullit, raportimet e qytetarëve do të përpunohen menjëherë, dhe të gjitha ankesat që mbërrijnë pas orarit të punës, pas orës 16:00, do të incizohen.
“Avokati i Popullit, me qëllim mbrojtjen dhe ushtrimin e të drejtës së votës së qytetarëve, do të veprojë sa më shpejt të jetë e mundur pranë autoriteteve kompetente dhe institucioneve të tjera, duke kërkuar që ato të veprojnë shpejt dhe me efikasitet në procesin zgjedhor në mënyrë që të sigurohet ushtrimi i të drejtës së garantuar të qytetarëve”, njoftoi zyra e Avokatit të Popullit.
Gjithashtu, për të raportuar shkelje, qytetarët mund të kontaktojnë gjashtë zyrat rajonale çdo ditë pune nga ora 8:00 deri në orën 16:00 në numrat e mëposhtëm të telefonit – Zyra Rajonale në Strumicë: 034 329-996, Zyra Rajonale Kërçovë: 045 228-586, Zyra Rajonale Tetovë: 044 344-082, Zyra Rajonale Manastir: 047 242-310, Zyra Rajonale Shtip: 032 389-701 dhe Zyra Rajonale Kumanovë: 031 431-488.
Ndryshe, më 29 shtator në Maqedoninë e Veriut filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të këtij viti, rrethi i parë i të cilave do të mbahet më 19 tetor. Fushata do të zgjasë pandërprerë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor.