Atdhe, një tokë e premtuar e një populli. Jo të qindra popujve, por e një populli. Një atdhe i rrethuar nga malet e mallkuara, buzë Adriatikut dhe Jonit, shpesh i quajtur ndryshe si Toka e Shqiponjave, një trashëgimi që të parët tanë na e lanë. Gjithmonë i pushtuar, por kurrë i humbur. Gjithmonë të parët në luftë, në trimëri, në besnikëri, por më së shumti në gjakderdhje.
Një tokë që mbajti burra të dheut, gra të dheut, pleq nga më të mençurit, të rinj nga më rebelët. Por më së shumti, tradhtarë nga më të ligët. Tradhtarë të cilët duhej të ishin dënuar e eliminuar. Por s’ka gjë, koha e tyre do të vijë një ditë.
Pa më trego, atdhe, sot si je? I prerë copë nga gërshërët e Londrës, i rrëzuar përdhe faqezi. Më trego, ku i ke burrat e dheut të dikurshëm? Ku i ke ata heronj trima e ato gra të dlira? Të gjithë i mori toka jote. I përbiu të gjithë, një e nga një.
Pse, more atdhe, vuajte kaq shumë? Nga kush vuajte? Nga ne, po, po, pikërisht! Ne ishim ai popull që nuk deshi atdheun e vet aspak, si fëmija që s’pati prind kurrë. Ata të huajt na bënë pikë e pesë, na ndanë në fe e në komb. Na mbytën neve të gjorët, erdhën si gogoli në kohët e errëta dhe na morën të gjithë ne, na ndanë nga e ëma jonë. Mirëpo ne ishim ata të marrë që e lejuam këtë.
Ne ishim ata që s’kishim aspak dashuri e mëshirë ndaj teje. Ne ishim ata fëmijë të pasjellshëm të cilët e merituam të na merrte gogoli. Andaj, Zot, falna, sepse pa dyshim që mëkati ynë i preferuar ishte tradhtia. Pa më trego, atdhe, tani si ndihesh? I ndarë nga fëmijtë e tu, i vetmuar në tradhti, lakmi dhe korrupsion?
Ku jeni, more o popull shqiptar!
Pse s’po keni mend aspak, bre?!
Ku e keni besën, more bijtë e shqiponjës?
Pse po ua rrotulloni eshtrat heronjve tuaj?
Zgjohuni, more! Zgjohuni nga ai gjumë mijëvjeçar!
Kur do të zgjoheni, more!? Pas mijëra viteve? Jo, asnjëherë. Prisni në ëndrra, por ëndrrat nuk ngjallin kombe! Jo, bre, se ashtu asgjë nuk do të ndryshojë! Si mendoni se vjen ndryshimi? Nga imagjinata?
Ndryshimi nuk vjen pa flijuar asgjë! Jo, harrojeni atë përgjithmonë dhe futeni e mbylleni në kafkat tuaja bosh! Sepse liria nuk fitohet duke ëndërruar; lapsi është armë më e fortë se çdo zjarr.
Shkruan: Fatima Lamallari