PISA: Nxënësit në Maqedoninë e Veriut bien në matematikë, vetëm 26% arrijnë nivelin bazë në lexim
Nxënësit 15-vjeçarë nga Maqedonia e Veriut kanë shënuar rezultate dukshëm nën mesataren e OECD-së në PISA 2025, veçanërisht në lexim, matematikë dhe shkencë. Sipas raportit të ri të OECD-së, vetëm 26% e nxënësve kanë arritur të paktën nivelin bazë në lexim, ndërsa në matematikë kjo përqindje është 32% dhe në shkencë 36%, transmeton Portalb.mk.
Në lexim mesatarja e nxënësve nga Maqedonia e Veriut është 357 pikë, krahasuar me 472 pikë në vendet e OECD-së. Në matematikë rezultati mesatar është 380 pikë, kundrejt 472 pikëve në OECD, ndërsa në shkencë është 378 pikë, krahasuar me 485 pikë.
Vetëm 1% e nxënësve në matematikë arrijnë nivelet më të larta të performancës, ndërsa në shkencë pothuajse asnjë nxënës nuk arrin nivelin 5 ose 6. Në lexim, pothuajse asnjë nxënës nuk arrin nivelin 5 ose më lart.
OECD vëren gjithashtu se nga viti 2022 deri në vitin 2025 është zgjeruar hendeku mes nxënësve me rezultatet më të larta dhe atyre me rezultatet më të ulëta në të tri fushat.
Mungesa dhe kushtet në shkolla
Problemet nuk kufizohen vetëm te rezultatet. 35% e nxënësve kanë munguar të paktën një ditë të plotë në shkollë gjatë dy javëve para testimit, ndërsa 41% kanë munguar të paktën një orë mësimore. Për krahasim, mesatarja e OECD-së është 22% dhe 24%.
52% e nxënësve ndjekin shkolla ku drejtuesit thonë se mungesa e materialeve, si tekstet shkollore, pajisjet IT dhe materialet laboratorike, pengon mësimin të paktën deri në një masë.
Nga ana tjetër, nxënësit vlerësojnë relativisht pozitivisht mbështetjen e mësuesve. 80% thonë se mësuesi tregon interes për të nxënit e secilit nxënës, ndërsa 77% thonë se mësuesi vazhdon shpjegimin derisa nxënësit të kuptojnë.
Telefonat dhe inteligjenca artificiale
33% e nxënësve raportojnë se bashkëmoshatarët shpërqendrohen shpesh nga pajisjet digjitale gjatë orëve të shkencës. Nxënësit që raportojnë këtë shpërqendrim kanë mesatarisht 22 pikë më pak në shkencë.
Në 60% të shkollave përdorimi i telefonave celularë është i ndaluar në ambientet shkollore.
Ndërkohë, përdorimi i inteligjencës artificiale është i përhapur. 44% e nxënësve përdorin chatbotë të AI-së për të mësuar të paktën një herë në javë. 34% i përdorin për të hartuar tekste për detyrat me shkrim, 31% për të përmbledhur tekste dhe 33% për hulumtim paraprak.
Bullizmi dhe mjedisi familjar
17% e nxënësve raportojnë se kanë qenë viktima të të paktën një forme bullizmi disa herë në muaj ose më shpesh. Sa i përket bullizmit në internet, 6% thonë se informacione shqetësuese për ta janë publikuar online pa lejen e tyre.
Ndërkohë, përfshirja e prindërve është ulur krahasuar me PISA 2022. 67% e nxënësve thonë se prindërit i pyesin të paktën një herë në javë se çfarë kanë bërë në shkollë, ndërsa 52% diskutojnë me ta rregullisht për problemet që mund të kenë në shkollë.
Në PISA 2025 morën pjesë 6.977 nxënës nga 124 shkolla në Maqedoninë e Veriut.
Rezultatet e PISA-s tregojnë se, përkundër disa treguesve pozitivë në mbështetjen nga mësuesit dhe qëndrimet ndaj mjedisit, performanca e nxënësve të Maqedonisë së Veriut mbetet shumë nën mesataren e OECD-së, ndërsa veçanërisht shqetësues mbetet niveli i ulët i aftësive në lexim, matematikë dhe shkencë. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.
Rezultatet e reja të PISA-s vijnë në një kohë kur sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut përballet prej vitesh me kritika për cilësinë e arsimit. Edhe gjatë viteve të kaluara nxënësit e vendit u renditën nga vendet e fundit në testet ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian kishte vlerësuar se vendi ishte “mesatarisht i përgatitur” në fushën e arsimit dhe kishte evidentuar progres të kufizuar në zbatimin e reformave. Sistemi arsimor ishte përballur gjithashtu me mungesë të teksteve shkollore, probleme me organizimin e maturës shtetërore dhe kritika për financimin e arsimit, i cili në vitin 2022 përbënte vetëm 3.71% të PBB-së, dukshëm nën mesataren e Bashkimit Evropian prej rreth 5%.