Ashensorët e Spitalit të Tetovës ende s’janë gati, ministria thotë se vijon procedura e re e prokurimit

Procedura për instalimin e ashensorëve të rinj në Spitalin Klinik të Tetovës assesi të përfundojë. Kjo procedurë njëherë u rrëzua nga Komisioni i Prokurimeve Publike, ndërkaq tani Ministria e Shëndetësisë për Portalb.mk thekson se në proces është procedurë e re e përshpejtuar për prokurim publik.

Ndonëse në muajin tetor u paralajmërua se pesë ashensorët në Spitalin e Tetovës do të instalohen para Vitit të Ri (2024), kjo nuk ka ndodhur.

Shkak për këtë është fakti se Komisioni i Prokurimeve publike rrëzoi procedurën paraprake për ashensorët e Spitalit të Tetovës, me çka procedura filloi nga e para pasi kishte ankesë kundër vendimit për ofertuesin e zgjedhur.

Pyetëm drejtorin e Spitalit të Tetovës se ku ka ngecur procedura e re, por ai na drejtoi te Ministria e Shëndetësisë.

“Procedura është në Ministrinë e Shëndetësisë, atje duhet të merrni informacionet se deri ku ka arritur procedura”, tha Ilir Demiri, drejtor i Spitalit të Tetovës.

Ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë theksuan se në proces është hartim i procedurës së re për prokurim publik për ashensorët.

“Për prokurimin e ashensorëve për Spitalin Klinik të Tetovës është në proces hartimi i procedurës së re për prokurim publik, sipas planit vjetor për prokurim publik të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili do të zbatohet me procedurë të përshpejtuar për prokurim publik”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ashensorët në Spitalin e Tetovës te Reparti Internistik. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ashensorët në Spitalin e Tetovës te Reparti Internistik. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ashensorët aktual në Spitalin e Tetovës janë të vjetër dhe vazhdimisht pësojnë defekte, shpesh duke qenë jashtë funksionit për periudha të gjata. Pavarësisht nevojës së madhe për zgjidhjen afatgjate të së njëjtëve, pasi shpesh pacientët dhe kufomat barteshin me duar, autoritetet deri më tani nuk kanë gjetur zgjidhje. Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për këtë problematikë.