ASh Taravari: Qeveria dhe MPB-ja po degradojnë statusin institucional dhe sigurinë në Dibër  

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit alarmoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, po përgatit ndryshime ligjore dhe sistematizim të ri të vendeve të punës, të cilat drejtpërdrejt e dëmtojnë rëndë statusin institucional të Njësisë për Punë të Brendshme Dibër, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo parti thonë se deri më sot, organi për punë të brendshme në Dibër ka funksionuar me statusin e Njësisë për Punë të Brendshme, ndërsa sipas ndryshimeve të paralajmëruara, Njësia për Punë të Brendshme Dibër degradohet dhe kalon në njësi të kategorisë së dytë, duke humbur kompetencat thelbësore dhe strukturën e saj komanduese.

“Me këtë vendim, të gjitha kompetencat dhe organi komandues kalojnë nën juridiksionin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër, ndërsa në Dibër nuk parashihet më: kryeshef i policisë, kryeshef i njësisë antikrim, zëvendëskomandant, as komandant i pikës kufitare”, thanë nga ASh Taravari.

Sipas tyre, ky veprim përbën një zhvlerësim serioz institucional për një rajon kufitar dhe strategjik, duke cenuar drejtpërdrejt sigurinë, efikasitetin institucional dhe barazinë në trajtim.

“Ekziston rreziku real që ky degradim të jetë vetëm një hap paraprak drejt shndërrimit të Njësisë për Punë të Brendshme në Dibër në një stacion të thjeshtë policor”, thanë nga ASh Taravari.

Nga aty bënë thirrje te të gjithë faktorët relevantë politikë dhe institucionalë, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, që të mos lejojnë këtë ndëshkim të padrejtë dhe të papranueshëm ndaj Dibrës.