As zgjedhjet nuk zgjidhin ngërçin politik në Greqi
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis dhe partia e tij konservatore kanë fituar një avantazh të qartë në zgjedhjet parlamentare të Greqisë, tregojnë sondazhet e ditës së zgjedhjeve. Por exit pollet tregojnë se ai nuk ka vota të mjaftueshme për të formuar qeverinë, që do të thotë se zgjedhje të tjera ka të ngjarë të mbahen nëse nuk mund të formojë koalicion me një parti tjetër, transmeton Koha.net.
Exit poll-et e nxorën rivalin kryesor të Mitsotakisit, ish-kryeministrin 48-vjeçar, Alexis Tsipras, dhe partinë e tij të majtë Syriza, në vendin e dytë. Sondazhet parashikonin që Demokracia e Re të fitonte midis 121 dhe 125 vende në parlamentin prej 300 anëtarësh, me Syrizën midis 86 dhe 89 vendeve. Një total prej gjashtë apo shtatë partish parashikohet të kalojnë pragun prej 3% të votave për të hyrë në parlament.
Nëse konfirmohet nga rezultatet zyrtare, Mitsotakis do të ketë deri në tri ditë kohë për të kërkuar partnerë koalicioni, përpara se t’i dorëzohet mandati Tsiprasit për të tentuar të formojë një qeveri koalicioni.
Por partia Demokracia e Re e Mitostakisit tregoi se do të preferonte të kërkonte një fitore të qartë në zgjedhjet e dyta dhe të ishte në gjendje të qeverisë vetë.
“Ne kemi thënë se duam të qeverisim drejtpërdrejt, sepse kjo do të siguronte stabilitetin dhe rrugën përpara. Pra, ne kemi të drejtë t’i kërkojmë popullit grek për këtë në zgjedhjet e ardhshme”, tha Ministri i Rendit Publik, Takis Theodorikakos menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit të dielën në mbrëmje.
Zgjedhjet e së dielës janë të parat e Greqisë që kur ekonomia e saj pushoi së qeni nën mbikëqyrjen e rreptë nga huadhënësit ndërkombëtarë, të cilët kishin siguruar fonde shpëtimi gjatë krizës financiare gati dhjetëvjeçare të vendit.
Zgjedhjet u mbajtën sipas një ligji të ri të përfaqësimit proporcional, i cili e bën veçanërisht të vështirë për secilën parti që të fitojë mjaft vende parlamentare për të formuar një qeveri më vete. Por ligji do të ndryshojë sërish për zgjedhjet e ardhshme, duke kaluar në një sistem që shpërblen partinë drejtuese me vende bonus dhe duke e bërë më të lehtë për të fitimin e shumicës parlamentare.
Mitsotakis, ish-drejtues bankar 55-vjeçar i shkolluar në Harvard, kishte qenë vazhdimisht përpara në sondazhet e opinionit në prag të zgjedhjeve. Por popullariteti i tij u godit pas një fatkeqësie hekurudhore të 28 shkurtit që vrau 57 njerëz pasi një tren pasagjerësh ndërurbanë u vendos aksidentalisht në të njëjtën linjë hekurudhore me një tren mallrash që po afrohej. Më vonë u zbulua se stacionet e trenave kishin staf të dobët dhe infrastruktura e sigurisë e prishur dhe e vjetruar.
Qeveria u godit gjithashtu nga një skandal përgjimi në të cilin gazetarë dhe politikanë të shquar grekë zbuluan spyware në telefonat e tyre. Zbulimet thelluan mosbesimin midis partive politike të vendit në një kohë kur konsensusi mund të jetë shumë i nevojshëm.