U arratis i dënuari shqiptar dhe i merr armën e shërbimit rojës, bashkëpunëtorët të kamufluar me makina policie
Një 41-vjeçar shqiptar në Greqi është arratisur mbrëmjen e së premtes gjatë transferimit të tij nga burgu i Nigritës, teksa po shkonte në Spitalin e Përgjithshëm të Seresit, raporton Klan.
Sipas raportimit të medias greke, Protothema, shqiptari është ndihmuar nga një grup i armatosur me kallashnikovë, të cilët bllokuan rojet e burgut në oborrin e spitalit, duke i hapur rrugë kështu largimit të 41-vjeçarit. Ky i fundit arriti të marrë armën e shërbimit të një prej rojeve.
Gjithçka ndodhi rreth orës 23:30 (me orën greke), të premten (11 shtator), jashtë pavijonit psikiatrik të spitalit. Bashkëpunëtorët e të dënuarit erdhën me automjete të ngjashme me ato të Policisë Helene, duke konfuzuar kështu rojet që shoqëronin shqiptarin.
41-vjeçari është arrestuar një vit më parë nga Departamenti i Krimit të Organizuar për përfshirje në një tentativë vrasjeje në një kantinë në Selanik, si dhe njihet nga autoritetet për precedentë në fushën e trafikut të armëve dhe lëndëve narkotike.
Policia greke ka ngritur menjëherë alarmin dhe ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e 41-vjeçarit shqiptar dhe bashkëpunëtorëve të tij, por deri më tani asnjë prej tyre nuk është lokalizuar.