Kaos në Qendrën për Punësim në Tetovë, pritje të gjata për aplikim në masat e vetëpunësimit
Në Agjencinë për Punësim në Tetovë për ditë të tëra janë krijuar radhë të gjata nga qytetarët të cilët presin rend për të aplikuar për grantet për vetëpunësim. Qytetarët ankohen se procesi shkon shumë ngadalë, ndërsa autoritetet thonë se procesi vijon dhe se radhët krijohen nga interesimi i lartë, ndërsa zotohen se të gjithë qytetarëve të interesuar do u jepet mundësia të aplikojnë, shkruan Portalb.mk.
Qytetarët alarmojnë se procesi i aplikimit për përfitimin e grantit për vetëpunësim në Agjencinë e Punësimit zhvillohet në kushte kaotike dhe se duhet të presin me orë të tëra në shkallë dhe korridore.
Një qytetar i cili u ankua në redaksinë tonë tha se ka shkuar çdo ditë për rreth një javë dhe se gjithnjë ka pasur radhë të gjata.
“Kam shkuar që në ora 8 të mëngjesit dhe radhët kanë qenë gjithmonë jashtë objektit. Kam folur edhe me njerëz që kanë qenë aty që në ora 7 të mëngjesit dhe kanë pritur deri në 1–2 të pasdites. Në qendër ka vetëm disa punonjës që po merren me aplikimet, ndërsa numri i qytetarëve është shumë i madh (shpesh 50+ persona në radhë”, tha ai.
Ai theksoi se procesi është shumë i ngadalshëm, pasi çdo 10-15 minuta del vetëm një person nga zyra e aplikimeve.
“Gjithashtu, disa aplikues raportojnë probleme me sistemin online, gjë që i detyron të gjithë të paraqiten fizikisht në qendër”, tha ai.
Portalb.mk ishte sot aty dhe e pa nga afër se brenda institucionit pritjet ishin të gjata.
Në kohën kur proceset digjitale po intensifikohen, aplikimi për masën e vetëpunësimit vazhdon të zhvillohet me pritje në shkallë dhe korridore.
Drejtori i Agjencisë së Punësimit në Tetovë, Nehat Osmani thekson se sistemi i aplikimit këtë herë është pak më ndryshe dhe se ka rregullore të re.
“Radhët kanë qenë gjithmonë dhe do jenë edhe në të ardhmen. Sa që shoh edhe vetë qytetarët mbajnë rend, rendi do ekzistojë se nuk mundet të vijnë dhe të aplikojnë menjëherë. Mirë është duke shkuar procesi, është duke rrjedhur si që duhet, nga sot kemi kapacitet më të madh”, tha Osmani.
Sipas ministrit të Ekonomisë, Besar Durmishit i cili e vizitoi sot Agjencinë e Punësimit në Tetovë, vetëm javën e kaluar numri aplikimeve ka arritur mbi 2800.
“Po ashtu me këtë tempo vazhdohet edhe këtë javë, interesimi është tepër i madh. Normalisht ka pasur radhë, në komunikim me drejtorin e Agjencionit në nivel qendror po ashtu edhe me udhëheqësin e Agjencionit të punësimit në Tetovë të krijohen kushte që të gjithë të mund të aplikojnë”, tha Durmishi.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 2 qershor e miratoi Planin operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2026, ku janë të parapara mbi 2,4 miliardë denarë, ose më shumë se 40 milionë euro, për të mbështetur punësimin, sipërmarrësinë dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Në Planin operativ është përfshirë edhe zhvillimi sipërmarrësisë dhe vetëpunësimit, ku për këtë është parashikuar mbështetje për mbi 2.000 persona përmes masave të vetëpunësimit, duke përfshirë të rinjtë deri në 29 vjeç, personat mbi 29 vjeç dhe bashkimin e përdoruesve në shoqëri tregtare.
Përmes këtyre masave, sigurohen grante deri në 615.000 denarë për themelimin e biznesit të tyre, si dhe mbështetje deri në 1.230.000 denarë për bashkimin e disa përdoruesve në biznes të përbashkët.
Bartës i Planit operativ është Ministria e Ekonomisë dhe Punës, ndërsa implementimin e tij do ta zbatojë Agjencia e Punësimit e Republikës së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me institucionet dhe partnerët kompetentë.
Ndryshe, dje u regjistrua një incident në Qendrën për Punësim në Tetovë ku mes një ekipi gazetaresk dhe udhëheqësisë së institucionit pati mosmarrëveshje gjatë raportimit për pritjet e gjata të qytetarëve. Për këtë rast reagoi edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut.