Arta Jashari: Në art nuk ka meritokraci absolute, ata që varen nga politika nuk janë artistë por servilë
Muzika klasike është një rrugëtim që kërkon shumë më tepër sesa talent, kërkon disiplinë, sakrificë, përkushtim të vazhdueshëm dhe guxim për t’u përballur me një profesion ku suksesi ndërtohet ngadalë, ndërsa skena fitohet me punë të pandërprerë. Për sopranon Arta Jashari, ky rrugëtim nuk nisi rastësisht, por si vazhdimësi e një tradite të gjatë familjare, të trashëguar nga prindërit dhe brezat e mëparshëm. E rritur në një familje muzikore, ajo zgjodhi që trashëgiminë ta shndërrojë në profesion dhe ambicien personale në një mision përfaqësimi. Shkollimi, specializimi dhe përvoja ndërkombëtare, veçanërisht studimet në Berlin, i hapën rrugën drejt skenave të rëndësishme dhe e bënë një nga artistet që me punën e saj përfaqëson kulturën shqiptare përtej kufijve.
Në një intervistë për Portalb.mk, Arta Jashari foli për fillimet e saj në muzikën klasike, sfidat e profesionit, kushtet në të cilat zhvillohen artistët e rinj, përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet kulturore dhe rolin e politikës në art. Ajo ndalet edhe te nevoja për meritë, mbështetje institucionale dhe krijimin e kushteve konkrete për zhvillimin e skenës artistike.
Portalb.mk: Si nisi rrugëtimi juaj në muzikën klasike dhe cili ishte momenti kur e kuptuat se skena do të bëhej profesioni juaj?
Arta Jashari: Rrugëtimi im është trashëguar nga prindërit e mi, si vazhdimësi e traditës së familjes sonë muzikore. Unë vetëm e kam përqafuar atë me entuziazëm dhe ambicie për të arritur një standard të ri, të cilin prindërit e mi dhe gjeneratat para nesh nuk e kanë pasur mundësinë e as fatin ta përjetojnë. Falë sakrificës dhe punës së tyre, ne sot gëzojmë shumë privilegje dhe kemi për detyrë kombëtare të arrijmë në skenat botërore, duke përfaqësuar traditën tonë me dinjitet dhe krenari para publikut ndërkombëtar.
Portalb.mk: A ekziston realisht meritokracia në institucionet kulturore, apo shpesh talenti humbet përballë lidhjeve, politikës dhe përkatësisë partiake?
Arta Jashari: Në art nuk ka meritokraci absolute. Ky profesion, kudo që të shkosh, ka sfida të mëdha, e aq më tepër në një vend të vogël me shumë të rinj të talentuar, gjë që është një krenari e veçantë. Nga një vend që nuk ka as objekte të destinuara për prova, as skenë, sallë koncertesh apo godinë të operës, lindin zëra unikë dhe të jashtëzakonshëm. Ky profesion kërkon karakter të fortë, edukim cilësor, shkollim dhe specializim të vazhdueshëm, kreativitet, ambicie dhe shumë vullnet. Jo vetëm tek ne, por kudo në botë, duhet të jesh artist i dalluar, shumë i përgatitur dhe, në fund, të kesh edhe fatin të dalësh si solist në një skenë të madhe.
Megjithatë, pa ndihmën e njerëzve që besojnë në dhuntitë e tua, ky rrugëtim është shumë i vështirë, pavarësisht edukimit apo dëshirës individuale. Për mua, një artist që varet nga politika apo ndikime të tjera nuk është artist, por servil. Fatmirësisht, tek ne ky fenomen nuk është i theksuar dhe nuk ka qenë ndonjëherë dominues.

Portalb.mk: Pse artistët shqiptarë vazhdojnë të jenë më pak të dukshëm në filarmoni, opera dhe skenat kombëtare? Është mungesë kuadri apo mungesë vullneti?
Arta Jashari: Ne jemi mjaft mirë të përfaqësuar nga solokëngëtarë dhe instrumentistë të dalluar, sidomos nga gjeneratat e reja, të cilat tashmë kanë edhe role në produksione operistike. Mungesa e objekteve adekuate dhe e kushteve elementare, e shoqëruar me një vullnet të pamjaftueshëm për përmirësim, e bën të vetën. Përfaqësuesit tanë të ardhshëm të skenës i nisin hapat e parë në bodrumet e aneksit të Shkollës së Mjekësisë, siç është rasti i Shkollës së Mesme të Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Largimi ose jo nga vendi është më pas një vendim personal dhe, në fakt, një zhvillim pozitiv. Përvoja në institucione të tjera jashtë vendit është një pasuri e madhe profesionale.
Portalb.mk: A ju ka ndodhur personalisht të ndiheni e anashkaluar vetëm për shkak të gjuhës, emrit apo përkatësisë suaj?
Arta Jashari: Nuk mbaj mend ndonjë rast kur jam nënçmuar për shkak të nacionalitetit tim. Përkundrazi, në Berlin kam qenë shqiptarja e parë nga Kosova në studimet master në degën Operë dhe Arte Skenike. Gjithashtu, isha e para e pranuar në mesin e pesë studentëve të përzgjedhur nga rreth 250 kandidatë nga e gjithë bota, me të cilët edhe diplomuam. Mbështetja që kam marrë atje ka qenë baza më e madhe e zhvillimit tim profesional, të cilën e gëzoj edhe sot. Kjo mbetet një krenari e madhe, si për mua, ashtu edhe për vendin tim.
Portalb.mk: Kultura shqiptare në vend po zhvillohet apo ende mbahet gjallë vetëm falë entuziazmit individual të artistëve?
Arta Jashari: Mendoj se ekziston një mbështetje shumë e vlefshme nga institucionet, të cilat financojnë koncertet tona në mbarë botën dhe mundësojnë një përfaqësim dinjitoz të shtetit tonë. Si artiste, kam qenë e ftuar në ambasadat tona jashtë vendit për të prezantuar traditën tonë kulturore dhe jam shumë mirënjohëse për këtë mbështetje.

Portalb.mk: Sa e rrezikshme është që artistët të heshtin përballë padrejtësive nga frika se mund të humbin angazhime, konkurse apo mbështetje institucionale?
Arta Jashari: Artistët, historikisht, kanë qëndruar përballë çdo trysnie, vështirësie apo presioni për ta mbajtur gjallë misionin e tyre dhe besoj se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Është detyra jonë të ngremë zërin edhe kundër padrejtësive, jo vetëm të kërkojmë duartrokitje.
Portalb.mk: A ka sot një të ardhme reale për një artiste të re të muzikës klasike këtu, apo suksesi kërkon domosdoshmërisht largimin jashtë vendit?
Arta Jashari: Ky profesion, në mënyrë të natyrshme, kërkon përvojë. Angazhimi në vende të tjera vetëm sa e pasuron vendin tonë, sepse ne gjithmonë kthehemi dhe performojmë në shtëpi. Kjo është dëshmuar shumë herë dhe është bërë e mundur edhe falë hapësirës që na jepet dhe mbështetjes institucionale. Ne jemi me fat që jemi shqiptarë, sepse lindim me vullnetin dhe përgjegjësinë për të përfaqësuar veten dhe popullin tonë kudo që shkojmë, qoftë për studime apo për angazhime profesionale. Prandaj, iniciativa të tilla duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në mënyrë që ta zhvillojmë edhe më tej skenën tonë artistike, e cila tashmë e ka dëshmuar veten.
