Pas 11 vitesh, institucionet shëndetësore dhe mjekët marrin listë të re të barnave dhe protokolle për trajtimin e pacientëve

Pas 11 vitesh është përditësuar lista esenciale e barnave. Lista e mëparshme daton nga viti 2015, tha sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Lista është përditësuar përmes Platformës Kombëtare për Barnat, në bashkëpunim me institucionet, komunitetin profesional dhe organizatat e pacientëve. Mbështetja teknike është ofruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), transmeton Portalb.mk.

Klekovski sqaroi se lista esenciale përmban barnat që duhet të jenë të disponueshme për punonjësit shëndetësorë për trajtimin e një game sa më të gjerë sëmundjesh.

“Lista kishte nevojë të përditësohej më herët, pasi gjatë këtyre 11 viteve OBSH-ja ka bërë disa ndryshime të mëdha në listën e saj. Përditësimi i listës sonë esenciale bazohet pikërisht në përditësimet e listës esenciale të OBSH-së”, tha Klekovski.

Lista e re është sistemuar në 28 fusha terapeutike dhe është ndarë në nëngrupe, forma farmaceutike dhe kategori të tjera.

Në listën e re janë shtuar 109 barna të reja, përkatësisht substanca aktive. Lista përmban gjithsej 372 barna.

Ndryshime ka edhe në qasjen terapeutike. Janë përcaktuar alternativa për zëvendësimin e barnave ekzistuese dhe janë futur disa risi.

Një prej tyre lidhet me antibiotikët. Ata janë ndarë në tri grupe: antibiotikë me përdorim të gjerë, antibiotikë nën mbikëqyrje dhe antibiotikë rezervë.

Ministri theksoi se lista esenciale dhe lista pozitive e barnave janë dy lista të ndryshme.

Lista esenciale përcakton barnat që duhet të jenë të disponueshme në vend dhe që mjekët duhet t’i marrin parasysh gjatë hartimit të udhëzimeve dhe protokolleve.

Ato nuk përfshihen automatikisht në listën pozitive. Zgjerimi i listës pozitive është proces i veçantë që lidhet me qasjen e qytetarëve në barna.

Ai sqaroi se përfshirja e 109 barnave të reja në listën esenciale nuk do të thotë se ato automatikisht do të përfshihen në listën pozitive. Lista e re esenciale tashmë është publikuar në Gazetën Zyrtare.