U anuluan rishfaqjet e “Magjistarit të Ozit” pasi u lëndua njëra nga aktoret

Rishfaqjet e “Magjistarit të Ozit”, të planifikuara për sot dhe nesër, më 9 dhe 10 shtator, janë anuluar për shkak të lëndimit serioz të njërës prej aktoreve gjatë interpretimit të mbrëmshëm, shkruan Portalb.mk.

Lajmi është bërë i ditur nga Teatri i Tetovës, nga ku kanë shprehur keqardhje për ndryshimin e papritur të programit. Për shkak të natyrës së lëndimit dhe pamundësisë që shfaqja të vazhdojë me përbërjen e paraparë, është marrë vendimi që të anulohen të dyja rishfaqjet.

Të gjithë artdashësit që tashmë kanë siguruar bileta për terminet e 9 dhe 10 shtatorit do të kenë mundësi t’i zëvendësojnë ato me bileta për rishfaqjet e ardhshme. Ata që nuk do të mund të marrin pjesë në datat e reja mund t’i kthejnë biletat në biletarinë e teatrit dhe të kërkojnë rimbursimin e mjeteve.

Datat e reja të rishfaqjeve të “Magjistarit të Ozit” do të caktohen më vonë, ndërsa publiku do të njoftohet në kohë për vazhdimin e programit dhe hollësitë e tjera.