7 Marsi nuk është thjesht një datë historike, por një simbol i përpjekjeve të përkushtuara për dije, për identitet dhe për zhvillim kombëtar. Mësonjtorja e parë shqipe, e hapur në Korçë më 1887, ishte një fitore jo vetëm kundër ndalimit të mësimit në gjuhën tonë, por edhe kundër mentaliteteve që e shihnin arsimin si privilegj të pakicës. Në rrjedhën e historisë, sfidat e arsimit shqip nuk u pakësuan, por përkundrazi u shtuan me ndalesa, pengesa dhe nevojën e vazhdueshme për reformim.
Në Maqedoninë e Veriut, sot operojnë tri universitete në gjuhën shqipe, një realitet i paimagjinueshëm për brezat e mëparshëm. Ky progres është rezultat i përpjekjeve të palodhura të shumë brezave të cilët e panë arsimin jo vetëm si një domosdoshmëri, por si një akt ekzistence dhe vetëvendosjeje. Megjithatë, sfidat mbeten të shumta. Përshtatja e kurikulave për të stimuluar mendimin kritik, inovacionin dhe përgatitjen e studentëve për një treg global pune kërkon përkushtim dhe reforma të vazhdueshme.
Një nga aspektet më të rëndësishme të zhvillimit të arsimit është ndërkombëtarizimi i tij. Programet e shkëmbimit akademik si Fulbright dhe Erasmus kanë ndihmuar studentët dhe profesorët të shkëmbejnë ide, të krijojnë ura bashkëpunimi dhe të sjellin praktikat më të mira në vendin tonë. Këto iniciativa kanë qenë dhe mbeten një burim frymëzimi për shumë akademikë dhe studentë shqiptarë, duke mundësuar qasje në një botë të gjerë idesh dhe eksperience.
Megjithatë, bota po ndryshon, dhe jo domosdoshmërisht për të mirë. Sot mora lajmin e hidhur për anulimin e grantit Fulbright të një profesori shumë të dashur me të cilin kam vite që bashkëpunoj. Kjo pasojë e politikave të reja të administratës Trump, është një goditje e rëndë për një vizion që e sheh diturinë si diçka që nuk njeh kufij shtetërorë dhe mund të shpërndahet kudo. Kjo qasje izolacioniste është jo vetëm zhgënjyese, por edhe alarmante për të ardhmen e bashkëpunimit ndërkombëtar në arsim. Në një botë ku sfidat janë globale, nga ndryshimet klimatike deri te zhvillimet teknologjike; në një botë që ka gjithnjë e më shumë nevojë për bashkëpunim dhe mirëkuptim ndërkulturor, shkëmbimi i njohurive dhe përvojave të përbashkëta është më i domosdoshme se kurrë.
Por pavarësisht politikave dhe vendimeve të administratave të ndryshme, ka diçka që nuk mund të anulohet: miqësia dhe lidhjet ndërmjet kombeve dhe individëve që ndajnë vlera të përbashkëta. Këto lidhje, të ndërtuara mbi respektin, shkëmbimin akademik dhe besimin në fuqinë e dijes, do të mbeten gjithmonë një dritë shprese dhe bashkëpunimi. Ashtu si mësonjtorja e parë në Korçë sfidoi pengesat e kohës së saj, edhe ne sot duhet të gjejmë rrugët për të mbajtur të hapura dyert e arsimit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.