ARM do të blejë helikopterë italianë

Oferta e kompanisë “Leonardo” nga Italia është zgjedhur si më e përshtatshme për gjeneratën e re të helikopterëve për Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, njoftoi dje ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, transmeton Portalb.mk.

Ajo në intervistën për “360 Gradë” bëri të ditur se blerja e tetë helikopterëve të rinj shumëfunksionalë për Ushtrinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut po hyn në një fazë të re pasi Ministria dhe Ushtria zgjodhën ofertën e kompanisë italiane Leonardo si më të përshtatshmen në procesin e modernizimit të kapaciteteve helikopterike të Armatës.

“Para një jave mbajtëm një Grup drejtues, ku qëndrimi i Shtabit të Përgjithshëm, i cili u konfirmua nga të tjerë, mes tyre edhe unë, është se më i përshtatshmi, sipas performancës, çmimi, përfshirë sistemin e mirëmbajtjes, është oferta nga kompania italiane Leonardo”, tha ministrja.

Do të prokurohen dy lloje helikopterësh, Agusta 149 dhe Agusta 169. Njëri helikopter ka kapacitet më të madh, deri në 14 pasagjerë me pajisje, ndërsa tjetri me kapacitet më të vogël, deri në 8 pasagjerë po ashtu me pajisje, informoi ministrja dhe shtoi që pas këtij vendimi hyn në fazën e formimit të komisionit të prokurimit i cili do të nisë negociatat me kompaninë oferta e së cilës përzgjidhet si më e favorshme.

Lidhur me projektet e tjera të modernizimit, ministrja theksoi se tupas 32 automjeteve të mbërrira, këtë vit priten rreth 16 autoblinda shtesë të prodhimit amerikan JLTV, si dhe blindat e para Stryker.

Sipas marrëveshjeve të prokurimit, theksoi Petrovska, dorëzimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore nga Franca pritet në gjysmën e dytë të vitit 2025, ndërsa sistemet e artilerisë nga Turqia duhet të arrijnë në periudhën 2025-2026.

Buxheti i mbrojtjes këtë vit ka kaluar pragun prej 2 për qind të PBB-së, pra është 2.05% ose rreth 327 milionë euro. Një e treta e buxhetit të mbrojtjes është menduar për modernizimin dhe pajisjen e ushtrisë, me të cilën Maqedonia e Veriut përmbushi dy kriteret e NATO-s – Aleancën e Buxhetit të Mbrojtjes – minimumi 2 për qind të PBB-së për mbrojtje dhe së paku 20 për qind të këtyre fondeve për modernizim, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

ARM aktualisht përdor helikopterë të zhvilluar në Bashkimin Sovjetik, nga seria “Mi”.