(Në kujtim të mikut dhe shkrimtarit të shquar Luan Starovës)
I pavdekshëm si Nica dhe Haxhi Mileti i Kadaresë, Shoku Zylo i Dritëro Agollit apo Xhezairi i Gjikës i Rexhep Qosjes është edhe Babai i Luan Starovës, kryepersonazhi i serisë romanore “Saga ballkanike”, shkruar në shqip e maqedonisht dhe përkthyer e botuar edhe në gjuhët e mëdha të botës. Si i tillë, Babai është shndërruar në figurë të qëndrueshme arketipale, është ngulitur fuqishëm në memorjen e publikut të gjerë lexues dhe ka lënë gjurmë si personalitet letrar në hapësirën kulturore evropiane.
Përtej kësaj, Saga shqiptare e ballkanike e Starovës, është vepër homazh për Babain e kudondodhshëm në mijëra faqet e shkruara të korpusit të parë romanor të kësaj natyre në letërsinë ballkanike që, me pretekstin e shpalimit të historisë 100 vjeçare të familjes shqiptare, përmes analogjishë e mjetesh të tjera që ka në disponim një mjeshtër i teknikave narrative, vin të shpalojë historinë e njerëzimit, veçanërisht të vërtetën e siujdhesës trazovaçe të Evropës.
Po kush është në të vërtetë Babai, ky hero përmasash koymopolite?
Fillimisht duhet thënë se Babai është prindi i autorit narrator dhe personazh i romaneve, me ndikim tek i biri, i cili në masë të madhe e ka letrarizuar e fiksionalizuar, i vetëdijshëm se si i tillë do të jetë, jo vetëm më i veçantë, por edhe më i vërtetë. Si njohës i teorive të romanit, Luani e dinte se: “Personazhi i gatshëm nga realiteti, në vepër mund të jetë disi si statujë, skematik…”.
Babai është figurë komplekse: njeri që ka mbijetuar katër regjime despotike, secili më i mbrapshtë se tjetri, veprimtar i shkathtë dhe i guximshëm në periudha të trazuara historike, kryefamiljar i detyruar të braktisë atdheun dhe të kërkojë udhën e mbijetesës së familjes në ekzil, nëpunës i heshtur dhe i përqendruar në detyrën prej së cilës siguron bukën e gojës, intelektual erudit, njohës i disa gjuhëve dhe kulturave të Lindjes e të Perëndimit, i dhënë i tëri pas librave të shumëllojshëm që i merrte me vete ngado që e shpiente fati i jetës.
Bota e tij është e vetmuar. Në krah ka vetëm të shoqen dhe familjen, po edhe këta më shumë si një barë me të cilën nuk mund të lëvizë lirshëm nëpër jetë. I gjendur në mjedis të huaj e mosbesues për shumë arsye, në hapësirën me limite të një azilanti, ai kërkon mekanizmin e ruajtjes së vijave identitare dhe shmangies së fatit të jeniçerit që, në ambientin e “tjetrit”, duket i pamundshëm. Në këso rrethanash nis e tëhuajsohet dalëngadalë nga rrethi dhe nga njerëzit, por me besimin e plotë se bota megjithatë është e ndreqshme, falë të fshehtave të mbyllura në faqe librash dhe në renditjen e tyre nëpër raftet e bibliotekës sipas një rendi kuptimin dhe efektin e të cilit e di vetëm ai. Librat në fakt përbëjnë oazën mes oqeanit të trazuar të jetës, zhguallin brenda të cilit ndjenë përparësitë e një lirie absolute, pa çka se ishte utopike? Albatros ndjehet vetëm në aktin e leximit dhe përkthimit të sixhileve. Ky lloj emigrimi nga realiteti që e shndërron atë në Don Kishot të llojit të vet, është në funksion të ruajtjes së dinjitetit njerëzor dhe vazhdimësisë së jetës.
Babai jeton në një rreth pa imperative morale, me njerëz shpirtrobër që nuk e përjetojnë keq humbjen e lirisë dhe që pandehin se jetojnë në rrethana normale. Ai është i ndryshëm prej viktimave të thjeshta të pushtetit monist. Librat e kishin mësuar se diktaturat i ndërrojnë emrat, po jo dhe mënyrën e ndrydhjes së vullneteve njerëzore, por i kuptonte edhe njerëzit që e prisnin shpëtimin nga po ata që i poshtërronin në vazhdimësi. Komunizmi mbështetej në floskula ideshë të mëdha, në premtime e shpresa të rreme që e bënin të padukshëm katandisjen e njerëzve në kandra kafkiane. A nuk janë me mijëra, në mos me miliona, ata që hiqnin shpirt pro pushteteve diktatoriale të cilët ua prisnin kokën në gijotinë?
Ky shtjellim i fatit të Babait të mbetur brenda babilonisë së letrave që ia sigurojnë paqen dhe qetësinë shpirtërore, ikjet imagjinare nga rrethi vicioz, vetmia dhe frika për fatin e familjes, që lakadredhen nëpër Sagën ballkanike…, përbëjnë prosedenë bazike të saj dhe e përafrojnë Starovën me korifejtë e prozës narrative, për të cilët Millan Kundera thoshte: Aventura është tema e parë e romanit, e dhënë kjo që Babait i jep tiparet e heroit servantesian.
Bota fluide e librave bëri prej Babait Don Kishotin, kurse kalimi imagjinar i udhëve të Skiljes e Haridbës Odisenë e tipit starovian. Në fakt, ai është një ngjizje e të dyve në një vetje të vetme – një Donkishotodise apo një Odisedonkishot që kërkon në ëndrra zgjidhjen e rebusit të jetës.
Babai përfaqëson idenë humane të barazisë mes të ndryshmive, i bindur se vetëm kësisoj mund ta ruajë identitetin e familjes. Si i këtillë, ai është në rolin e apostujve të fesë, që njerëzit i shohin si vëllezër. Në praktikë kjo nuk është larg rolit të një idelaisti epokash e sistemesh të dështuara shoqërore që propagonin vëllazërinë dhe barazinë, pa u vajtur mendja tek sindromi i përsëritur i tragjedisë së T. Hobsit, në të cilën i shtypuri i djeshëm vazhdimisht luan rolin e ujkut të sotëm.
Babai është personazh që flet më shumë me heshtjen e tij të mençur, koshient se jeton në Ballkan ku “kohët e lumtura kurrë nuk kanë zgjatur”, ku sipas një rregulli të pashkruar, paqa e lumturia paguhen me ngjarje tragjike. Ai ka botë të pasur meditimesh filozofike e psikologjike të cilave u jep zë i biri narrator, jo fort dorëlirë në portretimin e brendshëm e të jashtëm të figurës së tij. Mozaiku i portretit të Babait plotësohet me një ritëm të ngadalshëm dhe në mënyrë të tërthortë, përmes ndriçimesh anësore të të tjerëve, më së shpeshti përmes veprimeve dhe fjalëve të pakta të nënës. Lexuesi nuk di gati asgjë për tiparet fizike të Babait, për ngjyrën e flokëve dhe syve të tij, për përmasat trupore… Luani nuk u shkon deri në fund as përshkrimeve të situatave jetësore përpara të cilave gjendet Babai dhe familja. Nuk e përmend as emrin e tij, sepse ka zgjedhur modelin kafkian të emërtimit të personazhëve me iniciale apo me emra të përgjithshëm. Përse vallë kjo mungesë e portretimit të jashtëm të figurës së kryepersonazhit të sagës ballkanike? A mund të lidhet kjo vetëm me tendencën e ikjes nga skema e romanit tradicional realist të njohur me personazhë të skenuar gjer në palcë?
Shkaqet e lënies së portretimit të jashtëm të Babait në kompetencën e plotë të lexuesit janë të ndryshme. Shumëdimensionaliteti mund të jetë njëri prej tyre, siç mund të jetë dhe ruajtja e heroit nga shkrirja në masën e madhe e uniforme të njerëzve të rëndomtë, dëshira për ta bërë të pranueshëm për më shumë mjedise, qasja moderniste e autorit që vin në shprehje kur, sipas Floresha Dados: Karakteret nuk kristalizohen plotësisht, po jetojnë si karaktere-ide dhe si mishërim i pozicioneve morale…
Kjo “mungesë” informacioni mbi kryeprotagonistin e romaneve të Starovës na e përkujton Tomeshin e romanit “Lehtësia e papërballueshme e të ekzistuarit” të Milan Kunderës, i cili në pyetjen përse ofron aq pak detaje për pamjen e heroit të tij, duket sikur përgjigjet për heroin e Luan Starovës – Babain: Trupi i tij dhe fytyra e tij mbeten krejtësisht të panjohur për ne, sepse thelbi i problematikës së tij ekzistenciale rrënjoset në tema të tjera. Kjo mungesë informatash nuk e bën më pak të ‘gjallë’. Sepse që të bëhet një person ‘i gjallë’ dmth: të shkohet gjer në fund të problematikës së tij ekzistenciale. E kjo do të thotë: të shkohet gjer në fund të disa situatave, disa motiveve, gjegjësisht disa fjalëve prej të cilave është ndërtuar ajo. Asgjë më shumë.
Në disa romane, përkatësisht në pjesë të caktuara të tyre, Babai duket pasiv dhe i painteresuar për problemet reale të jetës. Në pjesë të tëra, ndërkaq, është hero i aksionit dhe i gatshëm për flijime. Ai ka ide të qëndrueshme për realitetin dhe asnjë rrethanë nuk ia luhat kuptimin bazë për gjërat. Por, ndodhet në ekzil dhe i duhet të jetë i kujdesshëm. Me aktin e ikjes nga vendlindja e zgjodhi dhe rolin që do t’i duhej ta luajë në vendin e huaj – rolin e një sfidanti të fshehur të së keqes, që nuk kushtëzohej nga natyra e tij, por nga kujdesi për të ardhmen e fëmijëve. Në familjet e varfëra heshtja është pasuri e madhe…
Ishte ky tagri i fatit prej azilanti që duhej të integrohet me patjetër në mesin e ri dhe, për shkaqet e sipërpërmendura, të bëjë kinse…, gjersa të gjejë udhën për shtegtimin e rradhës. Ky fat ishte ai i dhisë ndër dhen, fati i një laramani që fsheh përcaktimet e vërteta vetëm për të mbijetuar në mjedisin që, sado mirë e priti, nuk ishte i tij. Thënë shkurt: Babai ishte i kurthuar brenda fatit të heroit lirik të Gjergj Fishtës, i cili situatën e këtillë e dha përmes vargjesh të paharrueshme satirike: Sa mundohe ti për ne / e di mirë po s’kam kah mbajë, / qyshse derri do thirr dajë.
S’do mend se autori i di më së miri arsyet e këtyre gjesteve të Babait që janë të përafërta me ato të malësorit migjenian të gjendur përpara prefekturës së misrit, por prapseprapë i përshkruan në vepër me dozat e një ironie të kontrolluar. Ai është në pozitën e autorit narrator e personazh që këto gjëra i pasqyron në një vepër artistike, shumë vite pasi kanë ngjarë dhe pasi e ka kuptuar më mirë se kurrë gjer ku ishte në gjendje t’i katandisë mendësia totalitariste, njerëzit e gjendur nën tutelat e saj.
Shprehur me fjalorin e Edgar Morenit, Babai ishte opozicioni i përhershëm moral i stalinizmit. Brenda tij ka dyluftime botërash kundërthënëse. Njëra botë ishte ajo e kalkulimeve që i impononte mbijetesa, kurse tjetra bota reale, para së cilës binin të gjitha maskat, kurtoazitë dhe bërjeqejfet, gjithçka që lidhej me falsitetin e imponuar të jetës. Dy botërat e Babait rrjedhin paralelisht si dy lumenj që nuk përziejnë asnjë pikë të vetme uji, po që janë të dënuara të bashkëjetojnë.
Jeta e Babait është e dyzuar, e ndarë mes mikrobotës familjare të gjendur në vorbullën e diktarurës moniste, që kërkon sakrifica e koncensuse të dhimbshme… dhe jetës së mbyllur në universin e librave, brenda së cilës lundron papengueshëm dhe ndjehet tamam ai që është: njeri shpirtlirë. Të parën nuk e bën dot pa pasur në krah nënën – të shoqen dhe kryeprotagonisten tjetër të sagës, kurse jeta e dytë rjedh në vetminë e plotë, të mirëkuptuar sërish vetëm nga nëna.
Dyzimi i Babait lidhet me dyzimin e siujdhesës ballkanike, të njohur nga bota si hapësirë trazirash e turbulencash, luftërash shkatërrimtare e migrimesh masovike, ekzodesh biblike e gjenocidesh barbare, në njërën anë, dhe si mjedis që ka njohur paqe dhe përafrime të sinqerta mes komunitetesh të ndryshme, kryesisht gjatë epokave të pushtimeve nga perandoritë më të fuqishme të kohës.
Përveç dyzimeve ekzistuese, si: mbetja peng mes orientit e oksidentit, Parisit e Stambollit, islamit turk e krishterimit evropian, mes gjuhësh e kulturash të ndryshme, mes jetës reale dhe utopisë së librave, së fundmi, pas vendosjes përfundimtare në republikën jugore jugosllave, u bë dhe viktimë e dyzimeve ideologjike, përkatësisht e nuancave të shumta të ideologjisë komuniste: me Titon a me Stalinin, që herë ishin bashkë e herë dukeshin se konfrontoheshin për vdekje. Dyzimi ideologjik lidhej me besimin dhe frikën e njëkohësishme ndaj sistemit të mistifikuar stalinist, të cilin Moreni e quajti: lum i rrëmbyer historik.
Tema që trajton Luan Starova në sagën e tij, më shumë se me shtjellimin e së kaluarës familjare ka të bëjë me portretimin e vetë autorit që pashmangshmërisht e padiktueshëm shndërrohet në personazh që krijon personazhe. I biri autor është reinkarnim i Babait, vazhdues i misionit jetësor të tij në betejën e madhe familjare për ruajtjen e identitetit, sendërtues ëndrrash, realizues i shpresave dhe besimit që kishte Babai në të, Konstandin baladash që merr mbi vete me çdo kusht t’i çojë në vend amanetet prindore. Pra, Babai nuk i përfaqëson përherë idetë e veta, sepse është bartës i botëperceptimeve të autorit narrator. Të dy i kanë pasion librat, të dy gjakojnë ruajtjen e gjuhës amtare, të dy përpiqen si Montenji, Prusti, Konica… të kompensojnë kohën e humbur shtjellave të historisë, të dy i tuten fatit të jeniçerit, të dy kërkojnë udhët e daljes nga labirintet ballkanike, me veprime konkrete e me shembuj personalë të dy mbjellin dashuri mes njerëzish e bashkësish, duke e kundruar “tjetrin” si vetveten.
Babai e provoi më shumë se një herë ta gjejë lirinë e vet, por aq herë dhe e humbi. Herën e parë, kur gjeneralët albanofilë francezë, vendosën të ndihmojnë formimin e republikës së Korçës e të Pogradecit; herën e dytë, kur ishte student në Stamboll dhe kur Ataturku rrënoi ëndrrën e tij osmane – kur Turqia moderne braktisi alfabetin osman në të cilin kishte investuar aq shumë, kurse herën e tretë, kur pas shpërnguljes nga Pogradeci dhe vendosjes në Jugosllavi, arriti epoka staliniste.
Kjo mund të jetë në pika të shkurta hyrja në portretin e kryepersonazhit atipik të një vepreje atipike letrare, të karakterizuar nga qetësia dhe heshtja solemne. Por, vetëm hyrja, sepse Babai është univers i tërë,me figurën e të cilit vijnë e ndërlidhen një shumësi mitesh të lashta religjioze e letrare: krishtësh e nuhësh, sizifësh e feniksësh, prometejësh e odiseshë, donkishotësh e robinson-krusosh…, që e pasurojnë sagën me shtresa ndërtekstore, kurse Babain e bëjnë të qëndrueshëm në mesin e personazhëve të paharruar letrarë.
Dënimi më i madh të cilin ia dha fati i jetës ishte mundësia e kufizuar e veprimit. Ai ishte i vetëdijshëm se në vend të huaj, më shumë se në atdhe, vlen ajo porosia e famshme e filozofit francez me prejardhje rumune – Emil Sioranit: “Provo të jetosh i lirë, do ngordhish urie!”. A s’ishte kjo arsye e mjaftueshme për t’u strehuar brenda botës së madhe të librave, që mund të kuptohet lirshëm dhe si një lloj vetëflijimi e sakrifikimi për lirinë utopike personale dhe të ardhmen e sigurt të fëmijëve të tij?
Babai është shembulli i gjallë, personazhi, me figurën e të cilit përfaqësohet beteja e madhe e individit të gjendur mes darëve të një diktature, beteja e mbijetesës familjare dhe lufta më origjinale dhe më e padëmshme për të shpëtuar nga ky kaos pa shitur asnjë copë shpirti: duke ruajtur dinjitetin njerëzor dhe, kur e donte nevoja, duke u treguar më i shkathtë se budallenjtë e sistemit stalinist. Këtë betejë donkishotiane të Babait, që përfaqëson triumfin e dritës ndaj errësirës, ngadhnjimin e lirisë ndaj prangave turlifare…, Starova e shpërfaq me një cikël të tërë të suksesshëm romanesh, rëndësia e të cilëve kaloi kufinjtë e të gjitha pritjeve të autorit, duke na dhënë veç tjerash portrtetet e një Babai dhe të një nëne të gjithkohshëm e të gjithbotshëm…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.