Arabia Saudite kushtëzon marrëdhëniet diplomatike me Izraelin me një shtet të pavarur palestinez

Arabia Saudite i ka njoftuar Shtetet e Bashkuara se nuk do të ketë marrëdhënie diplomatike me Izraelin nëse nuk njihet një shtet i pavarur palestinez bazuar në kufijtë e vitit 1967, që përfshijnë Jeruzalemin Lindor dhe ndalohet lufta makabre izraelite në Rripin e Gazës, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme saudite të publikuar të mërkurën, transmeton VOA.

Të martën, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, tha se administrata e Presidentit Biden ka marrë reagime pozitive se Arabia Saudite dhe Izraeli janë të gatshëm të vazhdojnë diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve.

Mbretëria e Arabisë Saudite e lëshoi deklaratën për të pohuar qëndrimin e saj të palëkundur ndaj Uashingtonit për çështjen palestineze nën dritën e komenteve që i atribuohen zotit Kirby, tha ministria saudite.

Ideja që Izraeli dhe Arabia Saudite të çimentojnë zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike ka qenë pjesë e diskutimeve që kur sauditët dhanë pëlqimin për vendet fqinje, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, të cilat vendosën marrëdhënie me Izraelin në vitin 2020.

Arabia Saudite ngriu planet e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters në tetor të vitit 2023 burime që kanë dijeni mbi vendimet e Riadit, ndërsa u përshkallëzua lufta midis grupit palestinez Hamas dhe forcave izraelite.

Izraeli filloi luftën në Gaza më 7 tetor. Deri tani, Izraeli ka vrarë 27.585 palestinezë, me mijëra të tjerë druhet të jenë të varrosur nën rrënoja.