Apeli vendosi në favor të Angjushevit, hodhi poshtë ankesën e IRL-së kundër padisë së biznesmenit për shpifje prej pesë vjetësh më parë
U qoftë për nder. Kështu e komentoi shkurtimisht me ironi dhe me hidhërim në sallën e gjyqit redaktorja e Investigative Reporting Lab (IRL), Sashka Cvetkovska, aktgjykimin e Gjykatës së Apelit në Shkup, e cila vendosi në favor të biznesmenit Koço Angjushev, i cili e paditi IRL-në për shkak të akuzave të bëra në dokumentarin “Konspiracion Kundër Ajrit” të transmetuar pesë vjet më parë në RTM, raporton 360gradë, përcjell Portalb.mk.
Gjykata e Apelit në Shkup sot e hodhi poshtë si të pabazë ankesën që Cvetkovska dhe IRL e parashtruan kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës Themelore Civile në Shkup, sipas të cilit IRL-ja dhe redaktori i saj kishin gënjyer dhe shpifur në dokumentar me qëllim dëmtimin e nderit dhe reputacionit të biznesmenit.
Shpallja e aktgjykimit të Gjykatës së Apelit zgjati rreth dy minuta. U shpall nga gjykatësi Suad Aliu, i cili së bashku me kolegen e tij Sofia Milenkova, ishin në këshillin gjyqësor të gjykatës së shkallës së dytë që vendosi për ankesën.
“Në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut ankesa e të paditurit refuzohet si e pabazë”, tha gjykatësi Aliu, duke lexuar aktgjykimin e duke shtuar se në të njëjtën kohë vërtetohet edhe padia për të cilën është dhënë aktgjykimi i shkallës së parë.
Gjykatësi shtoi vetëm se në lidhje me shpenzimet monetare gjykata do të vendosë në shpalljen me shkrim të aktgjykimit.
Ai nuk dha arsyetim ndaj aktgjykimit. Kjo, siç e kërkon procedura, duhet të bëjë pjesë në shpalljen me shkrim të aktgjykimit, i cili mund të pritet në periudhën në vijim.
Në sallën e gjyqit ishte e pranishme edhe gazetarja Cvetkovska së bashku me kolegët e saj. Nga ana tjetër aktgjykimin e dëgjoi avokatja Meri Mlladenovska-Gjorgjievska (ndryshe, ish-ministre e drejtësisë), e cila është përfaqësuese ligjore e biznesmenit Angjushev.
Ai nuk u paraqit në sallën e gjyqit.
Përfaqësuesit e organizatave të gazetarëve – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SPGPM), të cilët ishin në gjykatë, paralajmëruan reagime me shkrim ndaj aktgjykimit.
Përndryshe, aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është final dhe vjen pas aktgjykimit të dytë të shkallës së parë të Gjykatës Civile. Në aktgjykimin e parë gjykata e hodhi poshtë padinë e Angjushevit, por pas ankesës së tij Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në rigjykim me udhëzime në lidhje me lëshimet e bëra në procedurën e shkallës së parë.
E njëjta gjykatëse në tetor të vitit 2023, duke u thirrur në udhëzimet e Gjykatës së Apelit, mori një vendim krejtësisht të kundërt, përkatësisht vendosi që IRL-ja dhe Cvetkovska kanë publikuar fakte të pavërteta kundër biznesmenit në emision dhe e obligoi median dhe redaktorin e saj të paguajnë nga 60 denarë secili për Angjushevin dhe kompanitë e tij që paraqiten si paditëse dhe të publikojnë aktgjykimin në një gazetë ditore.
Siç deklaroi në atë kohë gjykatësja në Gjykatën Civile në Shkup, Jovanka Spirovska-Paneva, redaktorja dhe IRL-ja kanë bërë publike në emision se paditësi Koço Angjushev, si zëvendëskryeministër i atëhershëm në Qeveri, në kabinetin e tij është njoftuar me Kenan Ahmetliq nga ‘Hiva Oil’ dhe Ilija Strezovski nga ‘Evrotim’, kompani që pas takimit fituan si klientë kompanitë e Angjushevit “Brako” dhe “Feni Industry” ose sot “Evronikel”. Qëllimi i transaksionit ishte furnizimi dhe shitblerja e mazutit.
“Në këtë rast, kur bëhet fjalë nëse do të mbrohet një e drejtë private ose e drejta e lirisë së fjalës, unë gjithmonë kam qenë në anën e mbrojtjes së lirisë së fjalës dhe ky është ndoshta aktgjykimi i parë ose i dytë në karrierën time në të cilin kam marrë një vendim të tillë. Gjykata e Apelit e rrëzoi aktgjykimin tim (paraprak) sepse është dashur t’i kushtoj më shumë vëmendje nderit dhe reputacionit, i cili mbrohet edhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha gjykatësja Spirovska-Paneva më 24 tetor të vitit 2023, pasi shpalli aktgjykimin që konfirmoi padinë e Angjushev dhe kompanive të tij, të cilat u paraqitën gjithashtu si paditëse.
Ky aktgjykim në atë kohë shkaktoi reagime të furishme jo vetëm në fushën e gazetarisë, por edhe te publiku në përgjithësi, në mesin e politikanëve, madje ndaj tij reaguan edhe shoqatat dhe organizatat ndërkombëtare të gazetarëve.
Gjithashtu reagime të forta shkaktoi edhe Komenti i gjykatëses se nëse në rastin IRL-së a bëhej fjalë për një media të vërtetë që merret me gazetari investigative dhe nëse redaktorja e saj Sashka Cvetkovska ishte vërtet një gazetare investigative.
Shpallja e sotme e aktgjykimit të Gjykatës së Apelit u parapri nga një seancë publike, e cila u mbajt më 16 shkurt në të cilën të dyja palët i paraqitën argumentet e tyre.
Në mbështetje të ankesës përfaqësuesja ligjore e Cvetkovskës dhe IRL-së, avokatja Bojana Davitkovska nga firma ligjore e Filip Medarskit, ndër të tjera, iu referua komenteve të gjykatëses, të cilat ajo tha se ishin me rëndësi thelbësore, sepse duke vepruar kështu, gjykata ndërhyri në mënyrë të paligjshme në përcaktimin e statusit dhe cilësisë së të paditurve si gazetarë dhe si media.
Në këtë kontekst ajo deklaroi edhe se padia e parashtruar nga Angjushev është një shembull klasik i një Padie Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike ose e ashtuquajtura padi SLAPP, për të cilën Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në vitin 2022 miratoi një vendim që synonte mbrojtjen e gazetarëve.
“Dua të theksoj se gjykata gjatë gjithë kësaj periudhe ka dështuar të përcaktojë se kjo padi i ka të gjitha karakteristikat e një Padie Strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut, gjegjësisht gazetarëve dhe kjo mund të konstatohet nga përmbajtja e padisë.
Ky lloj i padive më së shpeshti parashtrohen si padi të pabazuara, të maskuara për shpifje dhe zakonisht parashtrohen jo me qëllim që të arrihet drejtësi, por për t’i lodhur të paditurit dhe bazohen në një pabarazi të fuqisë midis paditësit dhe të paditurit duke e penguar publikun të zbulojë çështje me interes publik”, tha avokatja në seancën publike.
Përveç kësaj avokatja deklaroi gjithashtu edhe se Angjushev nuk ka qenë fare tema kryesore e emisionit, pasi emri i tij përmendet vetëm në dy fjali. Qëllimi kryesor i storjes, siç tha ajo, është ndotja me mazut, e cila ka qenë një problem shumëvjeçar në këtë vend.
Megjithatë, avokatja Meri Mlladenovska-Gjorgjievska nuk u pajtua me këtë qëndrim, duke deklaruar se nëse qëllimi ishte i ndryshëm, pse në emision është shfaqur një foto me një imazh të zmadhuar të Angjushevit, ndërsa në sfond është luajtur muzikë trishtuese.
“E vetmja gjë më e rrezikshme se kufizimi i lirisë së fjalës është mungesa absolute e kufizimit të lirisë së fjalës. Kjo u ndodhi paditësve kundër të cilëve u thanë publikisht të pavërteta që ndikuan në reputacionin e tyre profesional që nga momenti që u transmetua emisioni deri më sot”, tha Mlladenovska-Gjorgjievska. I pranishëm në seancën publike rreth dhjetë ditë më parë ishte edhe paditësi, biznesmeni Koço Angjushev, dhe në fjalimin e tij para gjykatës ai tha se as ai dhe as kompanitë e tij nuk kishin punuar ndonjëherë me mazut dhe se nuk e kishte takuar ose njohur kurrë personin Goce Stefanovski, i cili po fliste në emisionin IRL-së.
Ai i quajti deklarimet e bëra në dokumentar një gënjeshtër monstruoze, ndërsa emisionin “shpifës dhe tendencioz, sepse, siç tha ai, është përpjekur të shpërqendrojë nga fajtorët e vërtetë të ndotjes së ajrit me mazut”.
“Nuk po e bëj këtë për veten time. Unë jam pronar i kompanive me 1.000 punonjës që merren me burime të rinovueshme të energjisë dhe që prodhojnë automjete elektrike, gjegjësisht me hidrogjen, të cilat janë teknologjitë më të fundit botërore. Dhe nëse akuzoni një kompani të tillë për ndotje me mazut kjo ka pasoja për të gjithë 60 tregjet dhe vendet ku punoj. Jam i shokuar dhe i tmerruar nga lehtësia me të cilën disa persona për hir të vetëpromovimit, për hir të aventurizmit dhe gjuetisë për ekskluzivitet, përmendin lehtësisht emra si i imi dhe shkaktojnë dëme të përhershme në ekonominë e Maqedonisë”, tha Angjushev më 16 shkurt të vitit 2026 në Gjykatën e Apelit.
Ekipi i avokatëve që e përfaqësonte Cvetkovskën dhe IRL-në ende nuk ka marrë një vendim konkret se cilat do të jenë hapat e tyre të mëtejshëm, por, siç njoftuan për “360 Gradë”, ka shumë gjasa që ata të parashtrojnë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për ta mbrojtur të drejtën e lirisë së fjalës.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SPGM) shprehën shqetësim në lidhje me presionin gjyqësor mbi gazetarinë e pavarur hulumtuese, pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Apelit të Shkupit që hodhi poshtë ankesën e IRL-së. Në këtë pikë, sipas informacionit të disponueshëm publikisht, vendimi mbi ankesën e IRL-së është publikuar, por arsyetimi ende nuk është shpallur publikisht dhe pritet të pasojë në vendimin me shkrim.
Ndryshe, biznesmeni dhe ish-zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev në vitin 2023 e fitoi kontestin në Gjykatën Civile të Shkupit kundër Laboratorit të Gazetarisë Hulumtuese (IRL) dhe kryeredaktores Sashka Cvetkovska për akuzat e bëra në hulumtimin “Konspiracion kundër ajrit”.
Cvetkovska kishte paralajmëruar padi në Gjykatën e Strasburgut.