Antikorrupsioni në RMV udhëhiqet nga një e dyshuar për korrupsion e cila refuzon të japë dorëheqje, Kuvendi nuk e shkarkon
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) që duhet të luftojë korrupsionin në Maqedoninë e Veriut, udhëhiqet nga një e dyshuar për korrupsion e cila refuzon të japë dorëheqje. Për shkak të interesit të mediave, nga Antikorrupsioni janë deklaruar se kryetaren e dyshuar tashmë për rast korruptiv, mund ta shkarkojë vetëm Kuvendi, duke nënvizuar se ajo as nuk jep dorëheqje dhe as nuk paraqitet në punë, kjo në përputhje me masat e vendosura nga gjykata kompetent, transmeton Portalb.mk.
“Në lidhje me interesin e treguar nga publiku, ju informojmë se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është institucioni që merr vendimin për ndërprerjen e funksionit dhe shkarkimin e kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave. Dorëheqja si akt moral është vendim dhe e drejtë e vetë kryetares. Duke marrë parasysh se në këtë rast specifik bëhet fjalë për përgjegjësi individuale, Komisioni Shtetëror është duke punuar dhe do të vazhdojë të punojë dhe të ushtrojë kompetencat e tij të përcaktuara me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave. Megjithatë, në interes të funksionimit të pandërprerë dhe arritjes së suksesshme të qëllimit dhe kompetencave të Komisionit Shtetëror, vlerësojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Komisioni Shtetëror të funksionojë në përbërje të plotë. Njëkohësisht, ju informojmë se kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në përputhje me masat e vendosura nga gjykata kompetente, nuk ka ardhur në punë në periudhën e kaluar”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër, Kuvendi deri tani nuk ka marrë asnjë iniciativë për shkarkimin e saj.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thotë se ende nuk janë përmbushur kushtet ligjore që Parlamenti të fillojë një procedurë për shkarkimin e Kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrovska.
Kryetari i Parlamentit është decid se për të filluar një procedurë për shkarkimin e kryetares së Komisionit Antikorrupsion, së pari duhet të jepet vendim gjyqësor i formës së prerë në lidhje me veprat penale për të cilat Prokuroria e akuzon atë. Një dispozitë e tillë, thotë Gashi, është e parashikuar si në ligj ashtu edhe në Rregulloren e Punës.
“Procedura nuk i referohet ngritjes së një aktakuze, por një vendimi përfundimtar gjyqësor. Procedura është e përcaktuar në Rregulloren e Punës dhe vendoset nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime. Nëse ka ndonjë procedurë, ajo duhet të iniciohet nga ai komision dhe nëse ata marrin ndonjë vendim, ai pastaj dërgohet në seance plenare. Çfarëdo që të vendosë komisioni, unë do ta procesoj në seancë plenare”, tha Gashi.
Prandaj, thotë kryetari i parlamentit, kushtet ligjore për të filluar një procedurë të tillë nuk janë përmbushur.
“Megjithatë, sa i përket reputacionit – nëse ai organ mund të drejtohet nga dikush kundër të cilit është ngritur një aktakuzë – është çështje etike, reputacioni dhe dinjiteti i udhëheqjes së një institucioni”, shtoi kryetari i Parlamentit.
Ai theksoi se Dimitrovska nuk i ka paraqitur dorëheqjen Parlamentit dhe se për momentin nuk ka njoftime për aktivitete ose seanca të planifikuara në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski, ka deklaruar sot se nëse ndonjë funksionar gabon dhe ndjen përgjegjësi, duhet vetë të tërhiqet nga funksioni dhe se nuk ka vend për estradë politike, tha ai në përgjigje të një pyetjeje të gazetarëve nëse do të kërkohet shkarkimi i kryetares së Komisionit për Antikorrupsion.
“Në jetë ka dy lloje përgjegjësie. Njëra është morale, kur njeriu ushtron një funksion të caktuar dhe nëse bën një gabim, duhet vetë të tërhiqet. E dyta është përgjegjësia penale – aty janë gjykatat, le të ndjekin ata nëse ka përgjegjësi penale. E ne tash të bëjmë estradë, e pastaj në Parlament, e pastaj se nuk ka domethënie sipas Kushtetutës e të tjera. S’kemi ndërmend më të merremi me këso gjërash. Për Këshillin Gjyqësor kemi dorëzuar kërkesë, i kemi shkarkuar, ata ende rrinë aty. Marrin mijëra euro në kurriz të qytetarëve”, tha Mickoski.
Si zyrtare, kryetare e KShPK-së, Tatjana Dimitrovska, nga maji deri në dhjetor 2024, i vuri në dispozicion një personi të paftuar të akuzuar në rastin “Aditiv” në një mënyrë tjetër të dhëna që, në përputhje me nenin 25 dhe nenin 50 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, si dhe nenin 289 të KP-së përbëjnë sekret zyrtar. Përmes telefonit të saj zyrtar dhe aplikacioneve Viber dhe WhatsApp, ajo i ofroi të pandehurit informacione mbi procedurat e filluara, mbi hapjen e rasteve kundër personave juridikë dhe individëve tani të akuzuar në rastin “Aditiv”, shënime zyrtare mbi hapjen e një rasti dhe caktimin e një anëtari të KShPK-së, vendime mbi të njëjtën, si dhe të dhëna mbi inspektimin e pronës së të pandehurit dhe familjes së tij.
Me veprimet e saj, ajo zbuloi informacione që konsiderohen sekret zyrtar sipas ligjit dhe zbulimi i të cilave mund të ketë pasoja të dëmshme si për shërbimin ashtu edhe për procedurat e zhvilluara para PNKOK-së.
E njëjta e pandehur akuzohet gjithashtu se për të marrë Certifikatë për Kalimin e Provimit, në gusht 2024, ajo i dërgoi të dhëna kompjuterike – regjistra për qasje në sistemin elektronik të trajnimit të Drejtorisë për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar të pandehurit të tretë – auditor në Entin Shtetëror të Revizionit – përmes aplikacionit Viber nga telefoni i saj zyrtar. I pandehuri i tretë hyri në pajisjen zyrtare elektronike të Entit Shtetëror të Auditimit nga adresa e tij e email-it dhe kaloi testin e informacionit të klasifikuar në emër të saj dhe për llogari të saj.
Për rastin “Auditiv”, gjithsej janë të akuzur 32 persona fizikë dhe 5 persona juridikë . Asnjë nga të pandehurit nuk e pranoi fajësinë në seancën e parë dëgjimore. Sipas prokurorisë, shtesa kishte një çmim disa herë më të lartë se çmimi i tregut, dhe Braincode u mundësua të përfitonte një përfitim material prej 6.4 milionë eurosh. Disa nga të pandehurit morën para, i vunë në qarkullim, transferuan fonde dhe tërhoqën para në dorë në shumën prej 6.7 milionë eurosh.
Gjykimi në rastin “Aditiv”, filloi më 29 maj në sallën digjitale të gjyqit të Institucionit Korrektues Idrizovë.