“Antigona” me fokus në shoferen e vetme nga Likova do të jetë pjesë e Sheffield DocFest, një ndër pesë festivalet më të mëdha dokumentare në botë
Dokumentari i ri “Antigona” nën regji të Ibër Dearit dhe Mirsad Abazit, tashmë është përzgjedhur zyrtarisht për të marrë pjesë në edicionin e këtij viti të Sheffield DocFest një ndër pesë festivalet më të mëdha dokumentare në botë, që mbahet çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar dhe përfshin prodhime nga Netflix, BBC, ARTE, dhe National Geographic. “Antigona” shkon në Sheffield bashkë me të edhe zëri i grave të fuqishme dhe të pavarura që udhëheqin vetë jetën dhe punën e tyre, shkruan Portalb.mk.
“Antigona” sjell portretin e vetmes grua shofer në komunën e Likovës një heroinë moderne që përmes drejtimit të furgonit, lidh 11 fshatra me njëri-tjetrin. Një histori e thjeshtë, por jashtëzakonisht e fuqishme për forcën, durimin dhe rolin e grave në komunitetet rurale.
Regjisori i filmit Ibër Deari për Portalb.mktha se historia e Antigonës si shofere e vetme e rrethit të Likovës i ka inspiruar që të përgatisin këtë dokumentar të shkurtër, me një histori të veçantë, e cila do të jetë pjesë e festivalit Sheffield DocFest.
“Ideja e filmit nuk është që e kemi kërkuar shumë, sepse vazhdimisht e kemi pa rreth neve këtu. D.m.th Antigona, është një shofere taksie e njohur në Komunën e Likovës, e cila vazhdimisht punon si e vetmja shofere taksie që i lidhë këto fshatra. Dhe unë së bashku me kolegun tjetër Mirsad Abazi e kemi bërë këtë film, sepse e kemi njohur vendin, tregimin dhe na ka pëlqyer të bëjmë një dokumentar të shkurtër për këtë grua heroinë, e cila asnjëherë nuk është ndal as nga paragjykimet as nga vështirësia e punës që ka pasur”, tha Deari.

Deari edhe më tej shtoi se ndjehet i privilegjuar që ky film do të shfaqet në festivalin më prestigjioz të dokumentarit në botë, sepse do të happen rrugë të reja për filmin shqiptar.
“Të jesh i pranuar në njërin nga festivalet më të mëdha në botë të filmit dokumentar është diçka shumë e veçantë, jo vetëm për neve, por për gjithë filmin shqiptar në Maqedoni e filmat dokumentar, sepse hapen rrugët drejt një festivali të madh. Me këtë film mesazhin më të mirë e jep Antigona si personazh, ku tregon se çfarë do të thotë të jesh grua e guximshme dhe të kesh një familje të fuqishme, se guximi siç thot ajo; vjen nga familja! Rrugëtimi i këtij filmi shpresoj të jetë i gjatë dhe i suksesshëm”, tha Deari.

Filmi është përkrahur nga North Macedonia Film Agency, realizuar nga produksioni filmit LLumièreShkup me producent Avdi Thaçi.