Ansambli Emin Duraku dhe Muzeu i Alfabetit sjellin sonte në Manastir koncert në vigjilje të Ditës së Alfabetit
Sonte me fillim nga ora 20:00 te Pallati Kulturës në Manastir, AKV “Emin Duraku” Shkup në bashkëpunim me Muzeun e Alfabetit në Manastir organizojnë koncert në nder të Ditës së Alfabetit, njofton Portalb.mk.
Fadil Zeneli kryetar i AKV “Emin Duraku” për Portalb.mk tha se janë të përgatitur në çdo moment dhe çdoherë kur ofrohet ndonjë manifestim siç është kjo ditë e veçantë, janë të gatshëm që të prezantohen me program të pasur kulturor.
“Jemi dëshmitarë se disa momente është mbyllur Ansambli Shtetëror momentalisht, ku pritet muajin e ardhshëm te fillojë me punë, ansambli “Emin Duraku” do ti plotësoj nevojë dhe kërkesat aty ku ansambli shtetëror nuk do të jetë. Ne jemi këtu që të jemi kujdestar të të gjitha aktiviteteve shtetërore dhe mbi të gjitha kombëtare ti përmbushim nevojat e kulturës shqiptarëve në Maqedoni”, tha Fadil Zeneli.
Koncerti do të hapet me vallen me titull “Kur vallja na bashkon”, koreografi e Avni dhe Xheneta Zenel për të pasuar pastaj me një sofër ku do të këndojnë këngëtarët e Ansamblit “Emin Duraku”. Pjesë e këtij koncerti janë edhe këngëtarët Lumturie Axhami, Lindita Purellku, Enes Seferi dhe shumë këngëtarë të tjerë.