Mjeti për shpenzimet e funksionarëve shtetëror nuk është azhurnuar që nga viti 2021 në Maqedoninë e Veriut
Nëse doni të shihni se sa para ka shpenzuar një ministër aktual për bileta avioni, sa para ka marrë si mëditje, sa ka shpenzuar për transport me taksi, hotele apo sa ka shpenzuar për restorante, këtë gjë nuk do mund ta bëni duke e përdorur Mjetin për llogaridhënie që u promovua nga qeveria, të paktën jo për vitin 2022 dhe 2023.
Mjeti për llogaridhënie nuk është azhurnuar që nga viti 2021, kështu që në listën e fundit të zyrtarëve ndodhen ministra që tashmë për më shumë se një vjet nuk janë në atë funksion, ndërsa për ministrat aktualë apo zëvendësit e tyre nuk ka aspak të dhëna. Nuk gjenden të dhëna as për shpenzimet e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, pas ardhjes së tij në postin e kryeministrit në janar të vitit 2022.
Në fakt ky mjet u prezantua si një softuer nëpërmjet të cilit mund të kërkohen dhe krahasohen shpenzimet e ministrive dhe zyrtarëve të veçantë.
“Si pjesë e përkushtimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për një transparencë më të madhe digjitale, në këtë uebfaqe mund ta përdorni Mjetin për llogaridhënie për shpenzimet e bartësve të funksioneve publike, ku mund t’i shihni dhe t’i krahasoni shpenzimet zyrtare të kryeministrit të RSM-së, zëvendës-kryeministrave, ministrave, ministrave pa resor, zëvendës-ministrave, sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë dhe sekretarëve shtetërorë dhe sekretarëve të ministrive”, thuhet në përshkrimin e mjetit që u prezantua në vitin 2018, si një përkushtim i Qeverisë për funksionim transparent.
Edhe pse nga Qeveria njoftuan se ky mjet fillimisht do të azhurnohet çdo gjashtë muaj, e më pas në intervale më të shpeshta, për momentin pothuajse një vit e gjysmë nuk ka të dhëna të reja për atë se si kryeministri i Maqedonisë, ministrat apo sekretarët shtetërorë në ministri i shpenzojnë paratë publike.
Edhe në vitin 2020 të dhënat për shpenzimet e zyrtarëve nuk u azhurnuan për një vit të tërë.
Për Meta.mk nga Qeveria deklaruan se ngecja e fundit ka ndodhur për shkak të disa ndryshimeve në sistem. Nga atje shtojnë se janë duke punuar për një zgjidhje me të cilën institucionet do të bëjnë futjen e rregullt dhe në mënyrë të pavarur të të dhënave.
“Për shkak të ndryshimeve në sistem një kohë të caktuar kishte një ngecje në azhurnimin e mjetit për llogaridhënie për shpenzimet e zyrtarëve të qeverisë. Pavarësisht kësaj ngecjeje të dhënat grumbullohen dhe përpunohen rregullisht. Për ciklin e 11-të, i cili e mbulon periudhën nga dhjetori i vitit 2021 deri në gusht të vitit 2022, është duke vijuar grumbullimi i të dhënave. Gjithashtu, ju njoftojmë se jemi duke punuar për një zgjidhje me të cilën institucionet do të mund t’i fusin të dhënat rregullisht dhe në mënyrë të pavarur, me qëllim që publiku në kohë dhe pa ndërprerje të ketë një pasqyrë për shpenzimet zyrtare të ministrave, zëvendës-ministrave dhe sekretarëve shtetërorë“, thonë nga shërbimi i Qeverisë për marrëdhënie me publikun.
Me ndihmën e mjetit për llogaridhënie në media u zbuluan më shumë raste të shpenzimit joekonomik të parave të buxhetit, veçanërisht në pjesën e shpenzimeve për përfaqësim, pra shpenzimeve të përfaqësuesve të qeverisë nëpër lokale dhe restorante. Mundësia për krahasimin e shpenzimeve mes funksionarëve aktualë dhe ish-funksionarëve në të njëjtin pozicion ofronte edhe mundësinë për të bërë një paralele se kush ishte më “ekonomik” në menaxhimin e parave.