ANALIZË: Rritje e borxheve të komunave në RMV, ndërmarrjeve publike komunale dhe shëndetësisë (Infografik)

Edhe në tremujorin e tretë të këtij viti, borxhi i brendshëm i një pjese të sektorit publik po “fryhet”, kurse rritja më e madhe e detyrimeve të prapambetura dhe të papaguara është te ndërmarrjet publike komunale. Në terma absolutë, borxhin më të lartë prej 263 700 000 vazhdojnë ta kenë ndërmarrjet publike dhe kompanitë e menaxhuara nga shteti, por ky grup subjektesh ka shënuar një rënie tremujore të shumës së borxhit.  Borxhi i shtetit vetëm ndaj sektorit privat arrin në gati 245 milionë euro, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Komunat, shëndetësia ndërmarrjet publike në nivel komunal vazhdojnë të “zhyten” në borxhe…  

Llogaritja e bërë nga Portalbi duke i krahasuar të dhënat në bazë tremujore, tregon se borxhi i ndërmarrjeve publike komunale për tre muaj u rrit për 22 351 000 euro, ose nga 107,4 milionë në fund të qershorit në 129,7 milionë euro në fund të shtatorit.  

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Totali i detyrimeve të prapambetura, por të papaguara i institucionet shëndetësore publike në fund të tremujorit të dytë arriti në 72 milionë euro dhe për tre muaj u rrit për 7,7 milionë euro në tremujorin e tretë, duke arritur në një shumë totale prej gati 80 milionë eurosh. Komunat në tremujorin e dytë raportuan borxh të prapambetur, por të papaguar në vlerë prej 64,6 milionë eurosh, ndërsa në tremujorin e tretë, borxhi tejkaloi vlerën 68 milionë euro, që paraqet një rritje prej 3,6 milionë eurosh. Ka një ulje të detyrimeve të prapambetura, por të papaguara, për gati 105 000 000 euro te ndërmarrjet publike të themeluara nga shteti dhe kompanitë në pronësi shtetërore dhe pikërisht kjo është arsyeja e uljes tremujore të “borxhit të brendshëm” total të vendit. Gjithashtu, ka pasur një ulje të caktuar të detyrimeve të prapambetura edhe te shfrytëzuesit e buxhetit të linjës së parë dhe të dytë (ministritë, agjencitë, inspektoratet).  

Shumën më të lartë të borxhit të brendshëm prej 297,3 milionë eurosh e raportoi sektori publik, ndërsa të dytët në listë janë borxhet ndaj sektorit privat, shoqatave të qytetarëve dhe organizatave të tjera jofitimprurëse me një shuma prej 244,8 milionë eurosh, me ç’rast kjo shumë është ulur për 7,3 milionë euro krahasuar me tremujorin e dytë.  Borxhi i shtetit ndaj personave fizikë arrin në 2,7 milionë euro. Ka një rritje të detyrimeve të prapambetura, por të papaguara ndaj kreditorëve jashtë vendit, me ç’rast në fund të shtatorit shuma arriti në 57,1 milionë euro.  

Borxhi më i madh për…

Shteti ka borxhin më të madh, ose pothuajse 110 milionë euro, për shërbime komunale, ngrohje, komunikim dhe transport, dhe kjo shumë është zvogëluar për rreth 14,4 milionë euro krahasuar me tremujorin e dytë. Në fund të shtatorit, detyrimet e prapambetura, por të papaguara në bazë të “materialeve dhe inventarit të imët” arritën në 82,6 milionë euro, për “shpenzime të tjera rrjedhëse” borxhi arriti në 74,3 milionë euro, ndërsa detyrimet e prapambetura, por të papaguara për “objekte të tjera ndërtimi” arritën në 64,5 milionë euro. Borxhi i prapambetur në bazë të kryegjësë nga kreditë e marra nga kreditorë të huaj arrin në pothuajse 56,8 milionë euro.                            

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në pozicione “udhëheqëse” sipas shumës së borxheve edhe më tej janë kompanitë shtetërore të energjetikës dhe transportit, HM – Transporti me një borxh prej 78,5 milionë eurosh, HM – Infrastruktura me një borxh prej 69,2 milionë eurosh, në pozicionin e tretë është ESM – Prodhimi me gati 61,3 milionë euro, në vendin e katërt është NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup me detyrime të prapambetura, por të papaguara në shumën prej gati 39 milionë eurosh, kurse në vendin e pestë është ESM – Shpërndarja e nxehtësisë, e cila ka raportuar fatura të prapambetura, por të papaguara në shumën prej 32 milionë eurosh. Borxhi total “i brendshëm” i shtetit në fund të shtatorit arriti në 602 milionë euro dhe në nivel tremujor u zvogëluar për 87 milionë euro.