ANALIZË: Numri më i madh i të papunëve nën 29 vjeç në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar

Nga numri i përgjithshëm i të papunëve në vend, mbi 10.000 janë vetëm në tre qytete, Shkup, Tetovë dhe Kumanovë. Përveç këtyre tre qyteteve, papunësia e “të rinjve” është më e dukshme edhe në Gostivar dhe Prilep, ku janë regjistruar numri më i madh i të papunëve nën moshën 29 vjeçare, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.  

Nga numri i përgjithshëm i të papunëve, 18,2% janë të rinj nga 15 deri në 29 vjeç…

Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë së Punësimit, në fund të vitit 2023 janë regjistruar zyrtarisht si punëkërkues aktivë (të papunë) 19.240 persona nga mosha 15 deri në 29 vjeç, që përbën 18,2% të numrit të përgjithshëm të të papunëve. Por, përveç kësaj, Agjencia ka regjistruar edhe 47.300 persona të tjerë si punëkërkues “pasivë”, ku sërish shfaqen të rinj, por nuk është publikuar struktura e moshës së këtij grupi të të papunëve. Pavarësisht se statistikat regjistrojnë vazhdimisht largim të popullsisë së re të aftë për punë nga njëra anë dhe reduktim të vazhdueshëm të papunësisë në nivel shtetëror nga ana tjetër, papunësia e “të rinjve” mbetet ende një problem i madh. “Portalb”-i ka bërë një analizë përmbledhëse të numrit të të papunëve sipas moshës dhe sipas qyteteve, me ç’rast të dhënat tregojnë se përveç Shkupit, numrin më të madh të të papunëve nga 15 deri në 29 vjeç e kanë edhe Gostivari, Kumanova dhe Tetova.

RMV, Të papunët e moshës prej 15 deri 29 vjeç
RMV, Të papunët e moshës prej 15 deri 29 vjeç

Konkretisht, në Shkup, ku është koncentruar pjesa më e madhe e numrit të përgjithshëm të të papunëve, në fund të vitit të kaluar janë regjistruar 4.076 punëkërkues aktivë nën moshën 29 vjeçare. Në katër vendet e radhës gjenden Tetova me gati 2.700 të papunë, Kumanova me gati 2.000, Gostivari me gati 1.400 dhe Prilepi me pak më shumë se 1.100 të papunë nga mosha 15 deri në 19 vjeç. Nëpërmjet Planit Operativ 2024, të cilin tashmë e ka publikuar “Portalb”-i, këtë vit planifikohet punësimi i 11.622 personave, shumica të rinj deri në moshën 29 vjeç. Ekspertët komentojnë se masat e tilla që synojnë papunësinë e “të rinjve” duhet të zbatohen sistematikisht dhe në mënyrë të barabartë në të gjithë rajonet.

“Është shumë e rëndësishme që masat të jenë njëlloj të qasshme për të gjithë, në të gjitha rajonet. Që të mos përsëriten të njëjtët njerëz me masat, më saktë që disa persona të përdorin vazhdimisht masat, e të tjerët të mos kenë sukses në këtë, nëse e dimë se zbatohet parimi “i pari që ka ardhur, i pari shërbehet” për të gjithë ata që aplikojnë dhe që i plotësojnë kriteret” – thotë një nga ish-drejtoret e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska.

Tre qytete me mbi 10 mijë të papunë…

Plani Operativ këtë vit “peshon” 32,4 milionë euro, ndërsa masat më të përdorura janë “vetëpunësimi” dhe “subvencionimi i rrogave”. Një nga pyetjet kryesore është nëse masat kanë një efekt afatgjatë.

“Nevojitet edhe një analizë nëse përfituesit e këtyre masave janë në marrëdhënie pune edhe pas skadimit të kontratës me të cilën kanë shfrytëzuar grantin, gjegjësisht për cilët janë paguar subvencione, dhe në bazë të kësaj do të konstatohej nëse masat janë të qëndrueshme. Është gjithashtu e rëndësishme të dihet përqindja e njerëzve që kanë ndjekur trajnimet dhe nëse ata janë ende duke punuar. Edhe ky është një tregues se a kanë sukses masat e trajnimit” – thotë Jovanovska.

Edhe pse të dhënat e Agjencisë për Punësim dhe Entit të Statistikave flasin për ulje të papunësisë së përgjithshme, për këtë problem ende po kërkohen zgjidhje dhe po shpenzohen dhjetëra milionë euro për ta luftuar atë.

Janë tre qytete në vend ku janë regjistruar zyrtarisht më shumë se 10 mijë të papunë. Në fund të vitit të kaluar në Shkup kishte 22.863 të papunë, në Tetovë 13.198 dhe në Kumanovë 10.716.

Të papunë (31 dhjetor 2023)
Të papunë (31 dhjetor 2023)

Disa nga ekonomistët kanë vlerësuar tashmë se masat e qeverisë për të “stimuluar” punësimin e të rinjve janë të mirëseardhura, por se efektet janë të “padukshme” për disa arsye, mbulimi i të rinjve me masat është i vogël, vendimet për hapjen e një biznesi nuk varen vetëm nga financat, por dhe nga mjedisi ekonomiko-politik, prania e korrupsionit, cilësia e arsimit, mundësia e avancimit në punë.