ANALIZË: Ndërmarrjet publike të RMV-së ndër “punëdhënësit” më të mëdhenj (Infografik)

Në vend funksionojnë 155 ndërmarrje publike dhe shumica prej tyre, 113, janë NP për veprimtari komunale. Janë pikërisht këto NP për aktivitete komunale që përfshijnë numrin më të madh të punonjësve – gati 9.900. Disa nga NP-të me numër të madh punonjësish, në të njëjtën kohë raportojnë shuma të larta borxhesh dhe humbjesh, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

NP: mosha dhe struktura etnike e punonjësve …

Në ndërmarrjet publike në vend janë të punësuar 17,240 persona, kurse pjesa më e madhe e të punësuarve absorbohen nga NP-të për veprimtari komunale.  Nga analiza krahasuese e të dhënave nga Regjistri i Sektorit Publik rezulton se në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, numri i të punësuarve në të gjitha NP-të është ulur për 906 persona.

Disa nga NP-të i përkasin institucioneve me numër të madh të të punësuarve.  Më shumë se 500 persona punojnë në disa nga NP-të shtetërore dhe ato të themeluara nga Qyteti i Shkupit si RTM-ja, Pyjet Kombëtare, NP Infrastruktura Hekurudhore, NPT, Higjiena Komunale, Ujësjellësi dhe Kanalizimet. Jo vetëm që bien në sy sipas numrit të të punësuarve, ndërmarrjet publike në krahasim me ministritë, prokuroritë, komunat, organet rregullatore, agjencitë, entet publike, janë të parat edhe sipas moshës mesatare më të lartë të të punësuarve.

“Nëse analizohet mosha mesatare sipas llojit të institucionit, mund të vërehet se mosha mesatare më e lartë prej 49,05 vjeç është në ndërmarrjet publike”- thuhet në raportin e ri të MSHIA-së.

Rreth 31,5% e të punësuarve janë të moshës prej 56 deri në 64 vjeç, ndërsa 35,6% janë të moshës 46 deri në 55 vjeç, ndërsa 32,7% janë të moshës 18 deri në 45 vjeç. Nëse analizohet struktura etnike e të punësuarve në NP, të dhënat tregojnë se 71,68% janë maqedonas, 17,70% janë shqiptarë etnikë, 5,06% janë romë, 2,23% e të punësuarve janë turq, 1,26% janë serbë, 1,01% nuk e kanë deklaruar përkatësinë etnike, kurse boshnjakët dhe vllehët janë të përfaqësuar nën 1%.

RMV, struktura etnike e të punësuarve në ndërmarrjet publike, infografik: Portalb.mk
RMV, struktura etnike e të punësuarve në ndërmarrjet publike, infografik: Portalb.mk

Sipas nivelit të arsimimit në NP, dominues, me 58,71%, janë të punësuarit me arsim të mesëm dhe 23,90% me arsim fillor. Në NP vitin e kaluar ka pasur vetëm 0,03% të punësuar me titull doktor shkencash, 1,14% janë magjistra dhe 14,02% janë me arsim të lartë.

NP me numrin më të madh të të punësuarve….

Nën ombrellën e Qeverisë janë 13 ndërmarrje publike me 4.401 të punësuar. Nga këto NP shtetërore, numri më i madh i punonjësve është në NP “Pyjet Kombëtare”, 1923, pasuar nga HM “Infrastruktura” me 837 punonjës, ndërsa në vendin e tretë është NP për Mirëmbajtjen dhe Mbrojtjen e Rrugëve me 806 punonjës.

Ndërmarrjet publike të RMV-së me numrin më të madh të punonjësve, infografik: Portalb.mk
Ndërmarrjet publike të RMV-së me numrin më të madh të punonjësve, infografik: Portalb.mk

Kuvendi është themelues i tri ndërmarrjeve publike me gjithsej 909 punëtorë dhe në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, në këto tri NP numri ka rënë për 44 persona.

Numri i të punësuarve në ndërmarrjet publike të themeluara nga Kuvendi, infografik: Portalb.mk
Numri i të punësuarve në ndërmarrjet publike të themeluara nga Kuvendi, infografik: Portalb.mk

Në NP për Shërbime Publike të themeluar nga komunat dhe Qyteti i Shkupit janë të punësuar 2.031 persona, dhe në këtë grup më së shumti të punësuar ka NPT-ja, edhe atë 1.268 dhe NP “Parkingu i qytetit” me 244 punëtorë dhe NP “Parkingjet – Qendër” (POC) me 115 punonjës.

Megjithatë, numër më të madh të punësuarve, edhe atë 9.899, ka në Ndërmarrjen Publike për Shërbime Komunale, e themeluar nga komunat dhe Qyteti i Shkupit. Kështu, të parat në listë janë NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi” me 1.148 punëtorë, NP “Higjiena Komunale” me 1.119 punëtorë, NP “Parqet dhe Gjelbërimi” me 497 punëtorë.  Në nivel të qyteteve tjera të vendit, NP “Komunalec” Strugë ka të punësuar 138 persona, NP “Komunalec” Prilep 338, NP “Gjelbërimi” Kumanovë 299 punëtorë, NPK Tetovë 238 punëtorë, NP “Komunalec” Kërçovë 233, NP “Komunalec” Gostivar 57 dhe NPK “Dibra” ka 50 të punësuar.  Një numër i madh i ndërmarrjeve publike në nivel komunal janë në listën e borxhlinjve, me obligime të prapambetura, por të papaguara, ndërsa për sa i përket borxheve, lart renditen HM “Infrastruktura”, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Shkup, NP “Ujësjellësi” Kumanovë, NP “Ujësjellësi” Ohër, NP RTM, NP “Rrugët dhe udhët”, NP “Komunalno” Strugë dhe të tjera.