Nuk është e vërtetë që BE-ja ndaloi importin e grurit ukrainas në pesë shtete anëtare
Postimi që po shqyrtojmë në mënyrë të gabuar pretendon se BE-ja ka ndaluar importin e grurit nga Ukraina në disa nga vendet anëtare të saj. Përkundrazi, BE-ja i rezistoi vendimeve të njëanshme nga Polonia, Hungaria, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria për të ndaluar përkohësisht importet e drithërave nga Ukraina për të mbrojtur fermerët e tyre, pas së cilës ata arritën një marrëveshje të pranueshme reciprokisht më 28 prill. Kjo marrëveshje ruan kapacitetin eksportues të Ukrainës, e cila do të vazhdojë të ushqejë botën, si dhe jetesën e fermerëve në BE, shkruan Vërtetmatësi.
Një postim në Facebook pretendon se BE-ja ka ndaluar importin e grurit ukrainas në pesë shtete anëtare të Unionit dhe aludon se kjo ka ndodhur për shkak se është një produkt i dëmshëm. Por kjo nuk është e vërtetë. BE-ja nuk i ka ndaluar importet, pesë vendet anëtare e kanë bërë këtë me iniciativën e tyre.
BE-ja ka ndaluar importin e grurit ukrainas në Çeki, Poloni, Hungari, Sllovaki, Bullgari…kujdes se çfarë blini!!!
Postimi në Facebook pretendon rrejshëm se Bashkimi Evropian ka ndaluar importin e grurit ukrainas në Republikën Çeke, Poloni, Hungari, Sllovaki dhe Bullgari. BE-ja nuk i ndaloi importet, por përkundrazi kundërshtoi vendimet individuale të pesë vendeve anëtare – Poloni, Hungari, Sllovaki, Rumani dhe Bullgari – për të ndaluar përkohësisht importet e drithit nga Ukraina për të mbrojtur fermerët e tyre.
Postimi me fjalinë “kujdes se çfarë bleni” nënkupton se ndalimi i importit është për shkak se është grurë i dëmshëm, për të cilën aludohet nga shumica e komenteve nën postim, si këto:
MAQEDONIA DO TË JETË E VETMJA QË DO TË BLEJË GRUR UKRAINAS… PA MARRË PARASYSH SE DO TË JETË RADIOAKTIV…NGA URANIUMI I VARFËRUAR QË PËRDORIN UKRAINASIT.
Në periudhën e ardhshme askush nuk do ta blejë grurin ukrofashist sepse anglezët kanë filluar t’u dërgojnë raketa me uranium të varfëruar duke supozuar të ndihmojnë dhe do të ndotin edhe tokën edhe ujin.
Megjithatë, kjo nuk është e vërtetë, nuk bëhet fjalë për ndalim për shkak të cilësisë së produkteve.
Dy muaj më parë, pesë vende të BE-së – Polonia, Hungaria, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria – i kërkuan Komisionit Evropian me shkrim ndihmë për fermerët dhe prodhuesit e tyre të ushqimit që po vuajnë për shkak të importeve të lira nga Ukraina. Si rezultat, BE ra dakord në fund të marsit për një paketë ndihme me vlerë 56 milionë euro, e cila është në dispozicion të vendeve anëtare për të kompensuar fermerët e tyre.
Në mesin e prillit, fillimisht Polonia dhe më pas katër shtetet e tjera anëtare ndaluan në mënyrë të njëanshme drithërat dhe produkte të tjera bujqësore të importuara nga Ukraina, duke thënë se donin të mbronin fermerët e tyre.
Pas dy javësh negociata intensive, Brukseli njoftoi një marrëveshje për grurin ukrainas që thotë se mbron ekonominë e Ukrainës dhe jetesën e fermerëve të BE-së.
Komisioni Evropian njoftoi të premten se kishte arritur një marrëveshje me pesë vende të BE-së, përfshirë Poloninë dhe Hungarinë, për të garantuar tranzitin e grurit ukrainas, pas ndalimeve të importit të vendosura nga këto vende që Brukseli i konsideroi “të papranueshme”.
Kjo marrëveshje ruan gjithashtu kapacitetin eksportues të Ukrainës në mënyrë që ajo të vazhdojë të ushqejë botën, si dhe jetesën e fermerëve tanë në BE, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen
I welcome the agreement in principle found on the transit of 4 types of Ukrainian grain and seeds.
A deal that preserves both Ukraine’s exports capacity so it continues feeding the world, and our farmers’ livelihoods.
Thank you @VDombrovskis and @jwojc for your efforts. https://t.co/9TqtuG1gla
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) April 28, 2023
Marrëveshja parashikon t’i jepet fund ndalimeve të njëanshme të importit, në këmbim të “masave të jashtëzakonshme mbrojtëse” për katër produkte ukrainase: grurë, misër, fara panxhari, fara luledielli.
Publikimi i këtij postimi manipulues dhe të pavërtetë, i cili është objekt shqyrtimi, vjen nga data 2 maj, pra katër ditë pasi BE-ja arriti një marrëveshje me pesë vendet anëtare që penguan përkohësisht importin e drithërave nga Ukraina.
Sipas fakteve të mësipërme, arrijmë në përfundimin se pretendohet rrejshëm se BE-ja ka ndaluar importin e grurit nga Ukraina në disa prej shteteve anëtare. Përkundrazi, ajo kundërshtoi vendime të tilla të njëanshme të qeverive të këtyre vendeve, pas së cilës arritën një marrëveshje të pranueshme reciprokisht.