ANALIZË: Borxhi i kompanive në RMV ndaj bankave u rrit për gjysmë miliardë euro, a ka kontribuar për këtë edhe kredia hungareze?
Rritje dyshifrore e përqindjes së kreditimit të kompanive, në prill, borxhi arriti në 4,05 miliardë euro, që është për gjysmë miliardë euro më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Bankierët presin që edhe në këtë tremujor të dytë të ketë rritje të kërkesës për kredi dhe se kushtet e për miratimin e tyre do të lehtësohen. Amvisëritë kanë borxh prej 3,74 miliardë euro vetëm për kreditë për banesa dhe kreditë konsumatore, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Kompanitë me borxhe prej 4,05 miliardë eurosh, familjet me 4,16 miliardë euro…
Edhe tremujori i dytë bankar filloi me një rritje dyshifrore të kreditimit për sektorin e kompanive – në prill u regjistrua një rritje prej 14,1%. Në fund të tremujorit të parë, të dhënat e përmbledhura tregojnë një rritje të kreditimit për kompanitë prej 15,3%, ndërsa vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë të analizuar, rritja ishte 5,4%. Disa nga ekonomistët e konsultuar nga “Portalb”-i thonë se që nga fillimi i këtij viti, kredia hungareze ka pasur ndikim në rritjen e kreditimit për kompanitë, i cili, nëpërmjet Bankës për Mbështetje të Zhvillimit të Maqedonisë, përfundon te bankat komerciale, të cila pastaj ua miratojnë paratë kompanive.
Sipas të dhënave të reja nga BPM-ja, borxhi total kreditor i kompanive në banka arrin në 4,05 miliardë euro, dhe sipas llogaritjes së “Portalb”-it, kjo është për rreth gjysmë miliardë euro më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur borxhi ishte 3,55 miliardë euro.

Që nga fillimi i këtij viti, ka pasur një rritje të ndjeshme të kërkesës për kredi nga kompanitë, si dhe një lehtësim neto më të madh të kushteve për kreditimin e tyre. Është interesante që bankierët deklaruan në Anketën e re të BPM-së deklaruan se presin që kjo tendencë të vazhdojë edhe në tremujorin e dytë, aktual, bankar.
“Analizuar nga perspektiva e faktorëve që ndikojnë në kërkesën për kredi të kompanive, mund të vërehet se të gjithë faktorët nga grupi që lidhen me “nevojat për financim” kontribuojnë për një rritje neto të kërkesave për kredi” – thuhet në Anketë, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe, pritet të ketë një kërkesë në rritje për kredi nga kompanitë nga të gjithë sektorët si ndërtimtaria, tregtia, veprimtaritë shërbyese, përveç industrisë përpunuese.
Në mesin e këtij muaji, u shpërnda edhe një transh tjetër i kredisë hungareze për kompanitë. Shuma e pagesës së fundit është 41,3 milionë euro dhe këto para tashmë janë transferuar në banka përmes BMZHM-së për financimin e 100 kompanive mikro dhe të vogla, 57 kompanive të mesme dhe 18 kompanive të mëdha në vend. Nga totali prej 250 milionë eurosh nga kredia hungareze, të paralajmëruara dhe të premtuara për kompanitë, deri tani në banka janë transferuar 125,8 milionë euro.
Për dallim nga kreditimi i kompanive, bankierët presin që kreditimi i amvisërive të rritet në këtë tremujor të dytë, por me një lehtësim më të moderuar të kushteve të kreditimit.
“Analizuar nga perspektiva e kushteve individuale të kreditimit, ka një lehtësim të fortë neto të përqindjeve të kamatave dhe margjinës së kamatës për kreditë për banesa dhe ato konsumatore” – thuhet në Anketën e re të BPM-së.
Deri në prill, borxhi total i kredive të amvisërive arriti në 4,16 miliardë euro, që, sipas llogaritjes së “Portalb”-it, është për 67,7 milionë euro më shumë në krahasim me gjendjen në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Shumat më të larta të borxhit të kreditit të familjeve bazohen në kreditë konsumatore dhe të strehimit, si dhe në kartat e kreditit. Në fund të prillit, borxhi total i kredive në banka (i amvisërive dhe i sektorit të kompanive) arriti në 8,26 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 11,8% dhe rritje mujore prej 0,8%.