ANALIZË: Bankat i shtrënguan kushtet e kreditimit – kompanitë dhe qytetarët “të përmbajtur” nga huamarrjet e reja!

Rreth 80% e menaxherëve të bankave të mëdha vlerësojnë se lartësia e kamatave të kredive është një nga kushtet që ka ndryshuar gjatë miratimit të kredive, ndërsa 24,6% kanë deklaruar se gjatë muajve të kaluar është zvogëluar kërkesa për kredi nga firmat e vogla dhe të mesme. Bankierët vlerësojnë se në periudhën e ardhshme do të ketë një lehtësim të kushteve të kreditimit dhe një rritje të lehtë të kërkesës, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Kreditimi i kompanive…

Të gjitha bankat e ndoqën sinjalin e Bankës Popullore – i shtrënguan politikat e kreditimit. Anketa e fundit e BPM-së tregon se bankierët e kanë “shtrënguar rripin” për kreditim, kryesisht duke i rritur kamatat e kredive. Të gjitha bankat në këtë anketë konfirmuan se politika monetare ka ndikuar në ndryshimin e kushteve të kreditimit.

Infografik: Politika monetare në RMV ka ndikuar në ndryshimin e kushteve të kreditimit
Infografik: Politika monetare në RMV ka ndikuar në ndryshimin e kushteve të kreditimit

Përgjigjet e këtilla priten në kushtet kur qytetarët dhe kompanitë i paguan këstet e para për kreditë më të shtrenjta. Kamatat më të larta e ngadalësuan kërkesën nga ndërmarrjet.  Parashikimet e bankierëve tregojnë për një shtrëngim të mëtejshëm të kushteve të kreditimit për kompanitë, e duke pasur parasysh tashmë nivelin e ulur të kreditimit, në tremujorin e dytë bankierët presin një rritje të lehtë të kërkesave për kredi.

“Për tremujorin e dytë të vitit 2023, pritet një shtrëngim i mëtejshëm minimal neto i kushteve për miratim të kredive për kompanitë. Për tremujorin e dytë të vitit 2023, bankat presin një rritje të moderuar neto të kërkesës për kredi nga kompanitë” – thuhet në Anketën e BPRM-së.

Me rastin e miratimit të kredive për kompanitë, 100% e menaxherëve të bankave të mëdha e vlerësuan rëndësinë e kritereve të mëposhtme gjatë miratimit të kredive për kompanitë: njohja e klientit, aftësia kreditore e firmës, fuqia e kapitalit, të ardhurat dhe cilësia e projektit.

44,5% e bankave të mëdha kryesore në këtë tremujor presin rritje të kërkesës për kredi nga kompanitë.

Kreditimi i popullsisë…

Ky vit nisi me kushte më të rrepta të kreditimit edhe për qytetarët, por në këtë tremujor të dytë aktual, bankierët presin një lehtësim të lehtë të kushteve të kreditimit.  A do të ndodhë kjo duke pasur parasysh shtrëngimin e mëtejshëm të politikës monetare – do të tregojë anketa e re e radhës. Ka pasur një shtrëngim më të madh të kushteve të kreditimit për kreditë konsumatore dhe ato të banesave, të cilat janë më të kërkuarat nga popullsia.

Në kushtet e përmbajtjes nga kredi të reja, bankat janë në “gjueti” të klientëve, kështu që konkurrenca ndërmjet bankave në ofertën për kredi është bërë një nga faktorët më të rëndësishëm në periudhën e kaluar.

“Konkurrenca nga bankat e tjera edhe më tej është faktori kryesor që kontribuon në lehtësimin neto të kushteve të kreditimit, si për kreditë për banesa, ashtu edhe për ato konsumatore” – thuhet në Anketë.

Në miratimin e kredive për popullatën, sipas 100% të bankierëve, të ardhurat e klientit janë faktori më i rëndësishëm, 97% mendojnë se në vend të dytë është aftësia kreditore, ndërsa 88,1% mendojnë se e rëndësishme vlera e hipotekës.

Pothuajse gjysma ose 44,4% e bankierëve deklaruan se kërkesat për kredi nga popullata në periudhën e kaluar ka rënë pjesërisht, ndërsa 55% se në fakt situata është e pandryshuar. Deri në tremujorit të parë, në bazë të kredive, sektori i korporatave kishte borxh 3,9 miliardë euro borxh, ndërsa amvisëritë 3,5 miliardë euro. “Portalb”-i ka publikuar tashmë një analizë për rritjen e kamatave si pasojë e shtrëngimit të politikës monetare, dhe pikërisht rritja e kamatave është një nga faktorët kryesorë për shtrëngimin e kushteve të kreditimit dhe për ngadalësimin e kërkesa për kredi. Sipas vlerësimeve të ekonomistëve, politika e kujdesshme monetare do të mbizotërojë edhe gjatë këtij viti 2023, për shkak të presioneve ende të pranishme inflacioniste.