“Sociologji e islamit” nga Ali Pajaziti vjen në panairin e librit në Prishtinë

ShB Logos-A për panairin e librit të Prishtinës (6-11 qershor) para lexuesve sjell 3 vëllimëshen “Sociologjia e islamit” të prof. Ali Pajaziti (përzgjedhës, autor, përkthyes, redaktor), një vepër kjo enciklopedike që shtjellon nga këndvështrime të ndryshme “sociologjinë e islamizuar”, “pikëpamjen islame mbi çështjet sociologjike”, “sociologjinë islame”, “sociologji fetare islame”, “sociologjinë e fesë islame”, “sociologjinë e popujve myslimanë” etj, transmeton Portalb.mk.

Është ky një studim sistematik i aspekteve shoqërore, politike dhe ekonomike të islamit klasik dhe transformimit të shoqërive myslimane në kontekst të një bote gjithnjë e më të globalizuar. Kjo vepër, që përfaqëson një “sociologji të sociologjisë islame”, ku termi sociologji islame ose e islamit përmban gjithsej 79 artikuj nga 67 autorë, njohës të fushës nga katër anët e botës, si nga Turqia, Egjipti, Maroku, Katari, Nigeria, Australia, Malajzia, Bangladeshi, India, SHBA-të, Kanadaja, Rusia, Italia, Anglia, Uellsi, Suedia, Gjermania, Franca, Serbia, Maqedonia e Veriut e të tjera.

Artikujt janë të shkruar në periudha të ndryshme kohore, që nga vitet e ’60-ta të shekullit të kaluar deri në ditët tona (2021) dhe janë të përkthyer nga shtatë gjuhë të ndryshme (anglishtja, turqishtja, gjermanishtja, arabishtja, frëngjishtja, boshnjakishtja dhe rusishtja). Aty defilojnë klasikë të sociologjisë së fesë dhe asaj islame, si Gustav Mensching, Joseph Chelhod, William Montgomery Watt, Ilyas Ba-Yunus, Jean Paul Charnay, Ünver Günay, Yümni Sezen, Bryan S. Turner, Meredith B. McGuire, por edhe autorë të rinj, që synojnë të hapin shtigje të reja në këtë fushë, si Lara el-Hadid, Kerim Edipoğlu, Omero Marongiu-Perria e të tjerë.

Vëllimi i parë i kësaj krestomacie, i këtij teksti të ri për grafosferën dhe logosferën tonë, e trajton fenë nga perspektiva e antropologjisë, sociologjisë dhe filozofisë, jep një pasqyrë të paraardhësve dhe themeluesve të sociologjisë islame, i zbërthen sociologjitë e reja të fesë, çështjen e sociologjisë islame të religjionit, sociologjinë diferenciale të islamit, metodologjinë dhe teoritë sociologjike në mendimin islam, relacionin orientalizëm-sociologji e islamit e të tjera. Vëllimi i dytë i hap faqet e dialogëve, diskutimeve rreth kësaj shkence, që nga Ibën Halduni, Weber-i, Gellner-i, Geertz-i, Sheriati, e deri te Güngör-i e Mardin-i. Aty qëmtohen lëvizjet islame, diada shoqëri civile-islam, çështja e antropologjisë dhe sociologjisë së islamit, të islamizimit të sociologjisë dhe të sociologjizimit të islamit e të sociologjisë së shprehjes. Vëllimi i tretë përbëhet nga kapitujt “Hyrje në sociologjinë islame”, “Islami mes teologjisë dhe sociologjisë” dhe “Opinione, ese dhe recensione.”

Është për t’u shënuar se 15 autorë janë jomyslimanë, që është një vlerë shtesë e këtij punimi, ngaqë aty përfshihen edhe perceptime dhe studime të të tjerëve mbi islamin si fenomen social, pra një input sociologjik nga një perspektivë ndryshe ose oksidentale.