Ana Kaçinari: Muzika klasike nuk duhet të jetë elitare për ta ruajtur nivelin, por as të banalizohet për t’u bërë më e pranueshme

Në një kohë kur gjithçka konsumohet shpejt dhe muzika shpesh reduktohet në sfond, muzika klasike vazhdon të sfidojë muzikën komerciale e cila krijohet ‘brenda natës’. Por a është ajo sot luks, apo thjesht një art që shoqëria e trajton sikur nuk e meriton? Pianistja dhe pedagogia Ana Kaçinari e refuzon etiketimin “elitare” dhe e quan muzikën klasike alfabetin e muzikës, themelin mbi të cilin është ndërtuar çdo tingull modern. Në një intervistë për Portalb.mk, ajo foli për sfidat e artit në kohën moderne dhe shumëçka rreth veprimtarisë së saj.

Portalb.mk: A është muzika klasike sot luks, apo ne si shoqëri po sillemi sikur nuk e meritojmë artin? Pse? 

Ana Kaçinari: Nuk mendoj që muzika klasike është luks. Ajo është baza mbi të cilën është ndërtuar pothuajse çdo gjë që ne dëgjojmë sot; është alfabeti i muzikës. Sigurisht, si çdo gjuhë, kërkon që veshi të kultivohet për ta shijuar më thellë, por kjo nuk e bën elitare. Përkundrazi, e bën një udhëtim. Kur i japim vetes kohën e mundësinë ta dëgjojmë, kuptojmë që nuk është luks, por themel dhe rikthim tek origjina.

Portalb.mk: Si e zgjidhni repertorin dhe çfarë kërkoni t’i thoni publikut përmes tij?

Ana Kaçinari: Repertorin e zgjedh gjithmonë duke menduar për një urë lidhëse mes muzikës klasike dhe publikut të gjerë. Duke qenë se kjo muzikë kërkon një lloj kultivimi të veshit, përpiqem të zgjedh vepra ku mesazhi emocional të jetë i drejtpërdrejtë dhe i ndjeshëm, pa humbur thellësinë. Mundohem gjithmonë të ulem në ‘karrigen e publikut’ dhe të pyes veten: çfarë do të ndiejë ai që po dëgjon? Në fund, për mua rëndësi ka që muzika të komunikojë, jo thjesht të ekzekutohet.

Foto nga arkivi personal i Ana Kaçinarit. Foto: Ana Kaçinari
Foto nga arkivi personal i Ana Kaçinarit. Foto: Ana Kaçinari

Portalb.mk: Çfarë të irriton më shumë, kur njerëzit e nënvlerësojnë muzikën klasike apo kur e përdorin vetëm si “background”? 

Ana Kaçinari: Edhe pse kohët e fundit çuditërisht ndihet një interes në rritje për muzikën klasike, mendoj se ende nuk ka vlerësimin që meriton. Nuk më irriton fakti që përdoret si ‘background’, sepse çdo kontakt me artin është një hap i parë. Ajo që më trishton është kur harrohet thellësia e saj. Kur mendon se çdo vepër mbart 200 apo 300 vite histori, kulturë dhe mendim njerëzor, kupton se nuk është thjesht tingull, por trashëgimi. Dhe trashëgimia kërkon respekt.

Portalb.mk: A duhet të jetë muzika klasike “elitare” që të ruajë nivelin, apo duhet të bëhet më popullore për të mbijetua, ku është kufiri? 

Ana Kaçinari: Muzika klasike nuk duhet të jetë elitare për të ruajtur nivelin, por as të banalizohet për t’u bërë më e pranueshme. Ne kemi përpara një trashëgimi të jashtëzakonshme nga artistë që nuk kthehen më, dhe është fat që këto kryevepra kanë mbërritur deri tek ne. Detyra jonë është t’i ruajmë me integritet dhe t’i përcjellim tek brezat që vijnë. Ndoshta sfida nuk qëndron tek vetë muzika, por tek mënyra si e prezantojmë dhe si e komunikojmë; si i bëjmë këto thesare të ndihen të afërta pa humbur madhështinë e tyre.

Portalb.mk: Si pedagoge, çfarë u mungon më shumë të rinjve sot, talenti, kushtet apo durimi, dhe si ndërtohet një artist?

Ana Kaçinari: Si pedagoge, jam e mendimit se të rinjve sot u mungon terreni, mundësia për të përjetuar, eksperimentuar dhe përvetësuar rrugën e artit në realitet. Sfida ime është t’i motivoj të vazhdojnë, edhe kur as vetë nuk e di se çfarë mundësish do të gjejnë për të zhvilluar talentin e tyre. Por çdo artist ndërtohet mbi një themel të patjetërsueshëm: talenti, puna dhe disiplina. Pa këto, as muzika, as arti, as jeta nuk mund të shndërrohen në një rrugë të vërtetë krijuese.

Foto nga arkivi personal i Ana Kaçinarit. Foto: Ana Kaçinari
Foto nga arkivi personal i Ana Kaçinarit. Foto: Ana Kaçinari

Portalb.mk: Çfarë projekti po përgatitni aktualisht dhe pse është i rëndësishëm për ju? A ka një bashkëpunim që e ëndërroni?

Ana Kaçinari: Aktualisht po punoj mbi një projekt personal që ka shumë rëndësi për mua. Kam muaj që e përgatis, por kërkon disa detaje teknike që duhet t’i koordinojmë për ta realizuar në mënyrën e duhur. Nuk po zbuloj më shumë për momentin. Sa i përket bashkëpunimeve, një nga më të veçantat që kam pasur, ishte koncerti i fundit me Orkestrën e mrekullueshme të RTSH dhe drejtimin e Maestros Gridi Kraja. Pavarësisht mundësive ndërkombëtare, për mua gjithmonë bashkëpunimet dhe skenat shqiptare mbeten më të bukurat e më të dashurat, pasi aty ndjehem në shtëpi.