Ansambli Muzikor-Tetovë sjell mbrëmje me hite botërore dhe interpretim live

Institucioni Nacional Ansambli Muzikor-Tetovë do të organizojë mbrëmje muzikore, të mbushur me tingujt e Jazz-it, Blues-it, Pop-it dhe Rock-ut. Koncerti do të mbahet të shtunën, më 27 qershor, me fillim në ora 20:00, në Sallën e Pallatit të Kulturës në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Nën dirigjimin e Premtim Etemit, publiku do të ketë mundësinë të shijojë një program të zgjedhur me kujdes, i cili do të interpretohet me profesionalizëm.

Drejtori i Ansamblit Muzikor -Tetovë, Blerim Qamili, për Portalb.mk theksoi se koncerti i 27 qershorit është i veçantë sepse sjell në një skenë të vetme disa prej zhanreve më të dashura të muzikës së popullarizuar, duke krijuar një urë lidhëse ndërmjet traditës muzikore dhe shijeve bashkëkohore të publikut.

“Përmes këtij programi synojmë të përcjellim mesazhin se muzika është një gjuhë universale që bashkon njerëzit, frymëzon dialog kulturor dhe pasuron jetën artistike të komunitetit tonë. Ky koncert është gjithashtu dëshmi e përkushtimit të Institucionit Nacional Ansambli Muzikor-Tetovë për të ofruar programe artistike cilësore dhe të larmishme për publikun. Publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë vepra të njohura si ‘Spain’ nga Chick Corea, ‘Sweet Home Chicago’ nga Robert Johnson, ‘Simply the Best’ nga Tina Turner, ‘Fly Me to the Moon’ e bërë e famshme nga Frank Sinatra, si dhe klasiken latine ‘Bésame Mucho’ të Consuelo Velázquez. Krahas tyre, programi përfshin edhe numra të tjerë të njohur nga repertori jazz, blues, pop dhe rock”, u shpreh Qamili.

Ai shtoi se artdashësit mund të presin interpretime cilësore, aranzhime interesante dhe një atmosferë të veçantë koncertale, ku eleganca e jazz-it, emocioni i blues-it, energjia e pop-it dhe dinamika e rock-ut do të ndërthuren në një mbrëmje artistike të paharrueshme.

Duke folur për solistët, Qamili tha se bashkëpunimi me ta ka qenë jashtëzakonisht profesional dhe frytdhënës.

Elita Ziberi, Leotrim Zejnulla, Fjolla Jahiu, Arianit Ramadani, Mentor Berisha dhe Hajdar Hajdari janë artistë me përvojë dhe identitet të veçantë interpretues, të cilët me talentin dhe profesionalizmin e tyre i japin koncertit vlera të shtuara artistike. Secili prej tyre sjell energji, emocion dhe ngjyra të ndryshme vokale e interpretative, duke pasuruar programin dhe duke krijuar një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun. Prania e tyre jo vetëm që rrit nivelin artistik të koncertit, por dëshmon edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe artistëve në promovimin e kulturës muzikore”, theksoi Qamili.

Drejtori i Ansamblit Muzikor-Tetovë vlerësoi se ngjarje të tilla kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin e jetës kulturore, pasi krijojnë hapësirë për prezantimin e vlerave artistike, edukimin e publikut dhe promovimin e muzikës cilësore.

“Për Tetovën, këto aktivitete kontribuojnë në pasurimin e ofertës kulturore të qytetit dhe në forcimin e rolit të tij si qendër e rëndësishme artistike dhe kulturore në vend. Përmes këtyre projekteve synojmë të krijojmë një audiencë të re, të afrojmë të rinjtë me artin muzikor dhe të promovojmë vlerat kulturore në nivel lokal dhe kombëtar”, tha ai.

Sa u përket planeve të ardhshme, Qamili tha se Institucioni Nacional Ansambli Muzikor- Tetovë mbetet i përkushtuar në realizimin e projekteve që promovojnë vlerat artistike dhe diversitetin kulturor.

“Në periudhën në vijim planifikojmë koncerte të reja, bashkëpunime me artistë dhe institucione kulturore brenda dhe jashtë vendit, si dhe projekte që synojnë zgjerimin e audiencës dhe afrimin e muzikës cilësore te të gjitha kategoritë e publikut. Një nga prioritetet tona kryesore mbetet edhe forcimi institucional i Ansamblit. Krahas zhvillimit të programeve artistike, do të vazhdojmë përpjekjet për plotësimin e nevojave kadrovike, realizimin e punësimeve të domosdoshme dhe funksionalizimin e plotë të institucionit, në mënyrë që Ansambli Muzikor- Tetovë të mund të ushtrojë misionin e tij me kapacitet të plotë dhe të ofrojë një kontribut edhe më të madh në jetën kulturore të vendit. Pavarësisht sfidave me të cilat jemi përballur në vitet e para të funksionimit, mbetemi të përkushtuar ndaj vizionit tonë për ta zhvilluar Ansamblin në një institucion të qëndrueshëm, profesional dhe përfaqësues të denjë të kulturës muzikore në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Qamili.