Ambasada britanike në Shkup promovoi themelimin e Shoqatës afariste britanike

Ambasada Britanike në Shkup mbrëmë, njoftoi për themelimin e Shoqatës Afariste Britanike, organizatë qëllimi i së cilës është të promovojë marrëdhëniet tregtare midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Maqedonisë së Veriut, për të përfaqësuar interesat e kompanive të Mbretërisë së Bashkuar në vend si dhe kompanive të tjera që kanë interesa për biznes në Mbretërinë e Bashkuar. Themeluesit e Shoqatës Afariste Britanike janë kompanitë, Johnson Matthey, miniera Sasa dhe SoPro, transmeton Portalb.mk.

Aktivitetet e Shoqatës Afariste Britanike kanë për qëllim përmirësimin e legjislacionit për të krijuar një klimë më të mirë biznesi për të gjitha palët e interesit në ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Shoqata do të punojë për të promovuar praktikat e mira të biznesit dhe kodet e etikës për qeverisje të mirë, ndërgjegjësimin shoqëror dhe mjedisor, angazhimin social të kompanive dhe do të përfaqësojë interesat dhe pozicionet e kompanive anëtare në nivelin legjislativ dhe ekzekutiv. Shoqata do të shërbejë gjithashtu si një forum për ndarjen e informatave dhe shkëmbimin e njohurive, mendimeve dhe praktikave midis anëtarëve, ndërsa, në të njëjtën kohë, do të ofrojë shërbime të tjera bazuar në nevojat dhe interesat e anëtarëve.

Themelimin e Shoqatës Afariste Britanike e njoftoi Ambasadori britanik Matthew Lawson i cili deklaroi:

“Mbretëria e Bashkuar është një partner i fortë dhe mik i ngushtë i Maqedonisë së Veriut. Ne jemi të interesuar dhe të gatshëm të jemi partneri preferencial për tregti dhe investime i Maqedonisë së Veriut, përmes aftësive industriale, ekosistemit të investimeve dhe mbështetjes së qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Bizneset britanike përfaqësojnë transparencën, besueshmërinë, qëndrueshmërinë, inovacionin, bashkëpunimin dhe partneritetin. Qëllimi i Shoqatës Afariste Britanike në Maqedoninë e Veriut është të promovojë këto vlera brenda mjedisit afarist në vend, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha palët e interesuara.”

I dërguari për tregti për Ballkanin Perëndimor, Martin Vickers, i cili mbërriti në Shkup me rastin e themelimit të Shoqatës Afariste Britanike, theksoi:

“Maqedonia e Veriut është partneri më i madh tregtar i Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor. Kam kënaqësinë të jem këtu për të nisur Shoqatën e re Afariste Britanike në Maqedoninë e Veriut dhe për të diskutuar tregtinë dhe investimet dypalëshe midis dy vendeve tona. Një dëshmi se sa i vlerësojmë partneritetet tona në Ballkanin Perëndimor – dhe besojmë në strategjinë e tij të zhvillimit – është fakti që UK Export Finance, agjencia e garantimit të kredive për eksporte në Mbretërinë e Bashkuar, kohët e fundit ka rritur ndjeshëm kufizimet për vendet ku tani kompanitë do të jenë në gjendje të kenë qasje deri në 4 miliardë paund mbështetje vetëm në Maqedoninë e Veriut.”

Nga këshilli i Shoqatës Afariste Britanike, organi drejtues i organizatës theksuan:

“Krijimi i Shoqatës Afariste Britanike në vendin tonë përfaqëson një pikëarritje të rëndësishme në marrëdhëniet tregtare midis Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar. Anëtarët dhe themeluesit e Shoqatës do të punojnë për të lidhur kompanitë dhe sektorët e biznesit në mënyrë efikase si dhe për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë ekonomik dhe miqësisë tradicionale midis dy vendeve.”

Kompanitë britanike në vend dhe kompanitë me interesa britanik për biznes që janë të interesuar të bëhen anëtarë të Shoqatës mund të gjejnë më shumë informacion në www.bba.mk.

Ndërkohë, kujtojmë se ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Metju Loson, nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për realizimin e projektit për mentorimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Drejtorisë për NATO-n dhe Çështjet Politike dhe të Sigurisë pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.