Edhe këshilltar nga Kabineti i Mickoskit në rrjetin e familjeve investitore në Vodno
Një partner biznesi i lidhur me familjen e ish-kryeministrit Zoran Zaev, një emër që shfaqet në kompani të lidhur me baxhanakun kryeministrit aktual Hristijan Mickoski, një këshilltar në kabinetin e kryeministrit, struktura e pronësisë së investitorëve në lokalitetin “Barutana” hap rrjet që i lidh njerëzit dhe kompanitë që qëndrojnë prapa ndërtimeve të paralajmëruara të haciendave në parcelat e Vodnos, shkruan Slloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.
Në këtë rrjet kryqëzohen kompanitë e familjes Kostovski, pastaj kompanitë e Goran Krstevit dhe Robert Noveskit, ndërsa lidhjet e tyre afariste çojnë edhe deri në struktura në Qeveri. Bëhet fjalë për investitorë që kanë blerë tokë në Vodno në të cilën planifikohet ndërtimi i haciendave, por historia e tyre afariste shkon shumë më larg.

Kompania “Energo Maksistem“, shoqëri për ndërtim pronare e të cilës është Sanja Kostovska, bashkëshortja e Sasho Kostovskit, në shtator të vitit 2023 ka blerë dy nga katër parcelat në “Barutana”. Po atë ditë nga një parcelë kanë blerë edhe kompania “International Group” në pronësi të Krstevit, si dhe kompania “Ensof Capital” në pronësi të Robert Noveskit.
Përveç faktit që i kanë blerë parcelat në të njëjtën ditë, familja Kostovski lidhet me Krstevin dhe Noveskin edhe përmes partneritetit afarist me kompani të tjera.
Lidhja e Kostovskit me Krstevin shihet në pronësinë e kompanisë “The Grand Spin“ ShPK Shkup, ku pronarë aktualë janë kompania e Kostovskit “Energo Maksistem“ ShPKNjP Shkup dhe kompania e Krstevit nga Strumica “International Group“ ShPK Strumica, ndërsa si menaxher është shënuar një person i tretë, i quajtur Zoran Dimitrovski.

Lidhja e Kostovskit me Noveskin, i cili ka blerë parcelë përmes kompanisë “Ensof Capital”, shihet në kompaninë “Instituti i cilësisë” – shoqëri për ekzaminime dhe shërbime, ku si pronarë shfaqen edhe Sanja Kostovska edhe Robert Noveski.

Të dyja kompanitë, përveç se që e lidhin Kostovskin, Krstevin dhe Noveskin përmes strukturës së pronësisë, gjenden në të njëjtën adresë në qendër të Shkupit në rrugën “Leninova”.
Në vitin 2025 familja Kostovski ka marrë “Medaljen e Shën Klimentit të rendit të parë” për ndihmën në përfundimin e ndërtimit të kishës “Shën Konstantini dhe Helena”, e cila u ndërtua në qendër të Shkupit gjatë kohës të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
Por, struktura e biznesit të çon edhe deri te kabineti qeveritar. Djali i Sanja dhe Sasho Kostovskit, Davidi, është këshilltar për tregti të jashtme në Kabinetin e Qeverisë dhe anëtar i Këshillit për Inovacion, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Sipërmarrësi, me të cilin kryeson Hristijan Mickoski.

Këshilli e ka mbajtur seancën konstituive më 23 shkurt të vitit 2026, ndërsa është themeluar me vendim qeveritar nga muaji shkurt të vitit 2026. Nga profili i David Kostovskit, i publikuar në rrjetin social LinkedIn, mund të shihet se nga tetori deri në qershor të vitit 2024 ka punuar në kompaninë “Sinceritas”, në të cilën si themelues dhe drejtor ekzekutiv figuron Noveski.

Bizneset e familjes nuk përfundojnë me kaq. Ata kanë pasur të regjistruara pesë kompani në Serbi në të njëjtën adresë në Novi Sad. Kompanitë e investitorëve që kanë blerë parcela në pjesën e pjerrët të Vodnos ende pa u votuar projekti i Planit të Detajuar Urbanistik (PDU) me votat e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, duken si një rrjet pa fund që të çon deri te struktura të larta afariste dhe politike.
Slloboden Peçat paraprakisht ka raportuar se një kompani afariste – partnere e familjes Zaev dhe një emër që lidhet me një nga kompanitë e baxhanakut të Mickoskit janë pjesë e strukturës pronësore që posedon parcelë në Vodno tek lokaliteti “Barutana”.
Krahas këtyre kompanive që kanë blerë parcela në të njëjtën ditë, pra në dhjetor të vitit 2025, kur filloi të aktualizohej kjo çështje, parcelë ka blerë edhe kompania “Rule Turs” në pronësi të Masar Omeragiq, të cilës parcelën ia shiti “Energo Maksistem”.
Siç publikoi Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese BIRN, i cili i publikoi investitorët, shitja është bërë vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi PDU-në për lokalitetin “Barutana” dhe i ndaloi ndërtimet e reja deri në miratimin e PDU-së të ri. Omeragiq është kryetar i FFM-së dhe investitor i ndërtimeve përballë qendrës tregtare “East Gate”.
Opinioni reagoi pasi këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe SDSM-së në Këshillin e Komunës Qendër më 14 korrik të këtij viti bashkërisht e votuan PDU-në për lokalitetin “Barutana”, pas disa orë debatesh dhe prezentimesh nga kompania private e planifikimit “Bild Urban”.
Planifikuesit e kësaj kompanie pretendonin se nuk ka rrezik dhe se toka nuk është erozive, edhe pse përfaqësuesja e kësaj kompanie deklaroi se Plani nuk ka marrë mendim pozitiv nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim lidhur me rrezikun. Kundër votuan këshilltarët e “Shansi për Qendrën”, “E majta”, ZNAM, si dhe nga një këshilltar i LSDM-së dhe i VMRO-DPMNE-së.