Aludime të pasakta për përfshirjen e Bullgarisë në aleancën ushtarake rajonale

Një deklaratë e dhënë nga Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, më 18 prill 2025, nxiti reagime, pavarësisht përpjekjeve të tij dhe zyrtarëve të tjerë për ta mohuar se ka deklaruar që Bullgaria e ka “konfirmuar” se do të bëhet pjesë e aleancës rajonale ushtarake me Kosovën, Shqipërinë dhe Kroacinë, shkruan Sbunker. 

Fillimisht, Maqedonci kishte deklaruar në një intervistë, për “TRT Balkan” se: “Bullgaria do t’i bashkëngjitet kësaj aleance rajonale, që tashmë përshin Kroacinë dhe Shqipërinë.”

Kemi një konfirmim nga Bullgaria, e cila ka diskutuar më herët me ministrin kroat për mundësinë që t’i bashkëngjitet kësaj marrëveshjeje trilaterale, mirëpo besoj plotësisht që edhe vende të tjera të regjionit, sidomos ato që ndajnë vlerat e përbashkëta me ne dhe që ndajnë normalisht edhe interesa të përbashkëta, sepse nuk mjaftojnë vetëm vlerat, do të bashkëngjiten në këtë marrëveshje le të themi në këtë deklaratë, e cila, edhe njëherë po e theksoj, gjithmonë synim ka paqen, stabilitetin dhe sigurinë”, kishte thënë Maqedonci për TRT Balkan në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalias.

Deklarata e tij u interpretua gjerësisht si një paralajmërim për zgjerimin e aleancës së re ushtarake në rajon me edhe një vend tjetër anëtar të NATO-s. Ky mesazh u përforcua nga mediume të tjera në Kosovë.

Po atë ditë, qeveria e Bullgarisë reagoi duke e mohuar kategorikisht pjesëmarrjen në një aleancë të tillë.

Ministri i Jashtëm bullgar, Georg Georgiev, i mohoi raportimet se Bullgaria ka shprehur interes për t’iu bashkuar Deklaratës mbi forcimin e bashkëpunimit të Mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Në një përgjigje me shkrim drejtuar deputetëve bullgarë Xhipo Xhipov dhe Elisaveta Belobradova nga grupi “Vazhdo Ndryshimin – Bullgaria Demokratike”, e cila është e qasshme në faqen zyrtare të Kuvendit të Bullgarisë, Georgiev theksoi se janë të pasakta informacionet që aludojnë për interesim të Bullgarisë që t’i bashkohet kësaj aleance.

Bullgaria është në dijeni të nismës së Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës dhe po analizon me kujdes tekstin e Deklaratës së Përbashkët të nënshkruar nga ministrat e mbrojtjes të tri vendeve në Tiranë, më 18 mars 2025. Informacioni publik që sugjeron se Bullgaria ka shprehur interes jozyrtar për t’iu bashkuar deklaratës është i pasaktë, shpjegoi Georgiev,” shkruan aty.  Ministria e Jashtme ka marrë një kopje zyrtare të dokumentit të nënshkruar përmes një note verbale nga Ambasada e Shqipërisë në Sofje më 25 mars. Në asnjë moment nuk është kontaktuar apo konsultuar Ministria apo pala bullgare në lidhje me iniciativën nga propozuesit e saj dhe as nuk është bërë ndonjë ftesë zyrtare për anëtarësim, tha Georgiev.

Tutje aty thuhet se Ministria e Jashtme bullgare ka marrë një kopje zyrtare të deklaratës përmes notës verbale nga Ambasada e Shqipërisë më 25 mars, “por nuk është ftuar zyrtarisht për anëtarësim dhe as nuk është konsultuar në asnjë fazë të nismës”.

Në deklaratë përmendet po ashtu se ministri shqiptar i mbrojtjes Pirro Vengu tha në mars se Bullgaria kishte treguar interesim për nismën. “Po ashtu, ministri i Mbrojtjes i Kosovës theksoi se Bullgaria ka shfaqur interesim”, shkruan aty.

Më tej Georgiev citohet të ketë thënë se Bullgaria ka marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me secilin nga tre vendet – “dy prej tyre aleatë të NATO-s si dhe një kontingjent ushtarak bullgar është pjesë e misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), detyra kryesore e të cilit është të sigurojë paqen dhe stabilitetin”.

Qëllimi i deklaratës është të forcojë bashkëpunimin mes tri vendeve dhe të krijojë një kornizë për përgjigje të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera për stabilitetin rajonal. Dokumenti parashikon bashkëpunim të zgjeruar midis industrive të mbrojtjes, ndërveprim më të madh nëpërmjet arsimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta dhe mbështetje të plotë për integrimin euro-atlantik,” shkruan në faqen zyrtare të Ministrisë Kroate të Mbrojtjes.

Pasi reagimi bullgar u bë publik, Maqedonci tentoi ta sqarojë pozicionin e tij në një intervistë, tjetër në “Kosovapress”.

Unë në asnjë rast nuk kam thënë që kam pasur kontakte me Bullgarinë. Me Bullgarinë ka pasur kontakte kryeministri kroat, i cili e ka një intervistë në Večernji list me datën 18 mars, ditën kur kemi nënshkruar marrëveshjen trilaterale ku thotë që (kemi një mund të themi komunikim me Bullgarinë për një bashkëngjitje të mundshme të Bullgarisë në këtë marrëveshje trelaterale)”said Maqedonci.

Megjithatë, ky sqarim nuk është shoqëruar me ndonjë ndryshim të intervistës fillestare në TRT Balkan, ku deklarata e tij vazhdon të qëndrojë si e pakorrigjuar.

Në tentim për tu reaguar mediave në Kosovë, zyrtarja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi, publikoi koment shtesë në Facebook, ku përmendi një intervistë të Maqedoncit për mediat kroate.

Qëllimisht është shtrembëruar deklarata e ministrit Maqedonci për mediat kroate, ku tekstualisht ministri asnjëherë nuk ka përmendur që kemi dakordimin e Bullgarisë për t’iu bashkuar marrëveshjes ushtarake të inicuar fillimisht nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova. Për TRT, ministri Maqedonci ashtu si dhe ministri kroat në ‘Večernji list’, ka deklaruar ‘Tri shtete do të jenë më të gatshme për t’u përballur me sfidat e ardhshme në juglindje të Evropës, dhe është e hapur mundësia që kësaj marrëveshje trilaterale ushtarake t’i bashkohet si anëtar i katërt edhe Bullgaria”, ka shkruar ajo.

Megjithë përpjekjet për të qartësuar, reagimet e shpejta dhe kontradiktore në nivel institucional kanë shkaktuar paqartësi në publik dhe në qarqe diplomatike.

Deklarata e Maqedoncit nxiti reagime nga përfaqësues të opozitës në Kosovë që e cilësuan “papërgjegjësi në nivelin më të lartë dhe amatorizëm diplomatik e politik që e turpëron vendin”. 

Ministrat e Mbrojtjes së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nënshkruan më 18 mars në Tiranë një Deklaratë trepalëshe për aleancë ushtarake.

Marrëveshja synon forcimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, kundërveprimin ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë strategjike. Gjithashtu, ajo ofron mbështetje të plotë për integrimin euro-atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.

Në Serbi, kjo marrëveshje u prit me shqetësim dhe u portretizua si një kërcënim potencial për sigurinë e tyre dhe të rajonit. Mediat që transmetuan edhe qëndrimin zyrtar të Beogradit e cilësuan aleancën si një ”pakt” mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës kundër interesave serbe.

Në një klimë të ndjeshme rajonale dhe gjeopolitike, deklaratat e zyrtarëve mund të interpretohen si pjesë e zhvillimeve strategjike dhe të gjenerojnë shqetësime të panevojshme.

Duke e përfshirë Bullgarinë në një aleancë të pakoordinuar paraprakisht, deklarata e ministrit të Kosovës mund të perceptohet si nxitëse ose e panevojshme për vendet anëtare të NATO-s, duke dëmtuar përpjekjet për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal.

Institucionet dhe bartësit e saj duhet të kenë një strategji të qartë të komunikimit publik dhe të ndërtojnë besueshmëri duke u siguruar që deklaratat e tyre të jenë të koordinuara, transparente dhe të bazuara në fakte. Keqinformimet e tilla marrin jehonë të menjëhershme në media e rrjete sociale, ushqejnë rrëfime të rreme dhe mbeten në kujtesë edhe pasi të jenë demantuar – një fenomen ky i njohur si “efekti i vazhdimësisë së keqinformimit.”