Kanalet pro-ruse i paraqesin gërmimet për të zhdukurit si persekutim i serbëve

Teksa institucionet e Kosovës kanë zhvilluar gërmime në tre lokacione në Komunën e Zubin Potokut, duke zhgropuar mbetje mortore që dyshohen të të shqiptarëve të vrarë gjatë konfliktit në Kosovë (1998-1999), rrjetet propagandistike ruse e kanë paraqitur hetimin e Prokurorisë Speciale si operacion politik e jo veprim që synon ta zbardhë fatin e personave të zhdukur me dhunë, shkruan Sbunker.

Artikulli i publikuar nga “Pravda” dhe i amplifikuar edhe në kanalet e lidhura në Telegram, pretendon pa fakte se gërmimet janë “një përpjekje tjetër për të denigruar serbët dhe për të gjetur një arsye për arrestime të reja”. Shkrimi i publikuar në “Pravda” është shembull i narrativës dezinformuese që synon të zhvendosë fokusin nga hetimi i krimeve të luftës drejt pretendimeve për viktimizimin e Serbisë. Mesazhi nuk mbështetet në prova të reja, por përsërit modelin e njohur të propagandës pro-Kremlin e pro-serbe, që mëton relativizimin e krimeve të luftës, delegjitimimin e institucioneve të drejtësisë së Kosovës dhe paraqitjen e çdo veprimi hetimor për krimet e luftës si veprim politik kundër serbëve.

Zbulimi i mbetjeve mortore

Në fund të korrikut, autoritetet e Kosovës filluan gërmimet në fshatin Kalludër të Zubin Potokut. Në këtë lokacion u gjetën mbetje mortore që ekspertët e Mjekësisë Ligjore konfirmuan se janë me origjinë njerëzore dhe me rëndësi për hetimin penal. Më pas, hetimet u zgjeruan edhe në dy lokacione të tjera në Komunën e Zubin Potokut, ku u gjetën mbetje të tjera që dyshohet se lidhen me luftën.

Sipas institucioneve të Kosovës, qëllimi i gërmimeve është identifikimi i personave të zhdukur gjatë luftës. Rreth 1,600 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur, më shumë se dy dekada pas përfundimit të konfliktit.

Në këtë fazë, autoritetet kanë theksuar se identifikimi i mbetjeve kërkon analiza të ADN-së dhe procedura forenzike që mund të zgjasin me muaj. Kjo bie ndesh me narrativën e “Pravda”-s, e cila e paraqet procesin si të motivuar politikisht dhe të orientuar drejt arrestimeve.

Sipas narrativës ruse, gërmimet po përdoren si pretekst për arrestime të reja ndaj serbëve. Megjithatë, dyshimet për krime lufte dhe arrestimet e kryera lidhen me hetimet penale të Prokurorisë Speciale dhe jo me ekzistencën e vetë gërmimeve. Dy persona u arrestuan nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile, ndërsa më vonë hetimet u zgjeruan edhe ndaj personave të tjerë. Autoritetet nuk kanë deklaruar se gërmimet janë ndërmarrë për të justifikuar arrestime, por për të mbledhur prova dhe për të identifikuar viktimat.

Edhe reagimi zyrtar i Beogradit, i cili i quajti arrestimet “terrorizëm” dhe “frikësim të serbëve”, përputhet me logjikën narrative që më pas u riprodhua nga “Pravda”.

Narrativë që tenton të përmbys rolet e viktimës dhe autorit

Pretendimi se gërmimet janë “përpjekje për të denigruar serbët” e përmbys kontekstin historik të luftës.

Gjatë lufës më 1998–1999, forcat serbe kryen vrasje masive, dëbime dhe zhdukje me dhunë të civilëve shqiptarë. Pas luftës u zbuluan disa varreza masive në territorin e Serbisë, përfshirë në Batajnicë, Rudnicë, Petrovo Sellë dhe Peruçac, ku ishin transportuar trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë, në kuadër të operacioneve për fshehjen e krimeve. Prandaj, kërkimi për varreza të reja nuk përbën një praktikë të re apo të jashtëzakonshme, por vazhdim të procesit shumëvjeçar të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

Formacione të Armatës Jugosllave (AJ) dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë (MUP) që vepruan në Kosovë gjatë luftës kanë qenë objekt i hetimeve dhe dokumentimit nga organizata ndërkombëtare, Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe organizata për të drejtat e njeriut. Shkalla e Dytë e këtij tribunali erdhi në përfundimin se Armata e Tretë Jugosllave nën udhëheqjen e Nebojsha Pavkoviqit u përfshi në fshehjen e trupave të të paktën 700 civilëve shqiptarë. Pavkoviq, por edhe Sreten Lukiqi (kreu i MUP-it për Kosovën) dhe Vladimir Lazareviq (komandant i Korpusit të Prishtinës në Armatën Jugosllave) janë dënuar për akte çnjerëzore dhe janë shpallur përgjegjës me vendim të formës së prerë për fshehjen e trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Çfarë dihet për brigadën e përmendur në raportime?

Në përmbajtjen e publikuar nga “Pravda” përmendet edhe brigada që dyshohet se ka operuar në zonën ku po zhvillohen gërmimet, duke sugjeruar se akuzat janë të pabazuara. Derisa në Kosovë po vazhdojnë gërmimet në kërkim të mbetjeve mortore të shqiptarëve, në Rashkë të Serbisë më 2 gusht, u përurua një monument kushtuar pjesëtarëve të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave të vrarë gjatë luftës së vitit 1999.

Brigada e 37-të është një nga njësitë ushtarake që përmendet në dokumentacionin e organizatave për të drejtat e njeriut dhe në kërkesat institucionale të Kosovës për zbardhjen e krimeve të luftës. Në ceremoninë e mbajtur në Rashkë morën pjesë ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, dhe ish-komandanti i Brigadës së 37-të, Ljubisha Dikoviq.

Ata e përshkruan brigadën si një njësi “heroike”, përkundër faktit që e njëjta prej vitesh ndodhet në qendër të kërkesave të Kosovës për hapjen e arkivave ushtarake — arkiva që nuk janë hapur pavarësisht se për këtë ka marrëveshje edhe në kuadër të dialogut të Brukselit.

Amplifikimi në Telegram

Artikulli nuk mbeti vetëm në faqen e “Pravda”-s. E njëjta narrativë u shpërnda edhe në një kanal në Telegram, duke zgjeruar audiencën e saj dhe duke ndjekur modelin e rrjetit “Pravda”, i cili kombinon publikimet në portale me amplifikimin në platforma sociale.

Ky model i shpërndarjes është vërejtur vazhdimisht në operacionet informative pro Kremlinit, ku Telegrami shërben si kanal për përhapjen e shpejtë të narrativave përpara se ato të riciklohen nga media dhe faqe të tjera të lidhura.

Ky është një mekanizëm i njohur propagandistik që tenton t’i shndërrojë në viktima ata që dyshohen si autorë zhvendosë dhe që i paraqet hetimet për krime lufte i paraqet sikur përndjekje etnike, tenton të minojë besimin në institucionet e Kosovës, si dhe e përforcon narrativën se serbët janë viktima të një fushate të organizuar ndërkombëtare.

Asnjë nga këto pretendime nuk mbështetet në faktet e publikuara nga autoritetet përkatëse apo në raportimet e mediave të besueshme.