Aliu: Do të ndërtohen dy objekte të reja në kuadër të Spitalit të Tetovës dhe do të rinovohen tre objekte ekzistuese
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot gjatë vizitës së tij në spitalin e Tetovës, premtoi investime në vlerë të përgjithshme mbi 70 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës së këtij spitali. Sipas tij, me këto mjete do të bëhen dy objekte të reja dhe tre objekte infrastrukturore ekzistuese do të rinovohen, transmeton Portalb.mk.
“Tashmë ka kaluar në seancë të Qeverisë informacioni për 205 milionë euro investime në Tetovë, Kërçovë dhe Shtip. Sot jemi këtu në një takim pune së bashku me kryetarin e Komunës së Tetovës dhe me grupin e punës të përbërë nga mjekë dhe administratorë, për të parë se cilat janë nevojat nga këndvështrimi funksional dhe infrastrukturor. Grupi i punës do të hartojë një raport në mënyrë që të buxhetohen të gjitha nevojat e domosdoshme për spitalin”, deklaroi ministri Aliu.
Në kuadër të projektit për përmirësimin infrastrukturor të shëndetit publik , në Spitalin Klinik të Tetovës është paraparë ndërtimi i dy pavijoneve të reja për shërbime të specializuara si onkologjia, infektologjia, dermatologjia, psikiatria dhe gjinekologjia, si dhe rikonstruksioni i blloqeve ekzistuese kirurgjikale dhe internistike, bashkë me rregullimin e plotë të infrastrukturës dhe hapësirave të jashtme.
Nga ministria sqaruan se investimi i përgjithshëm për Tetovën arrin mbi 70 milionë euro, për të gjithë kampusin, pra për dy objekte të reja dhe tre objekte infrastrukturore ekzistuese që duhet të rinovohen.
Kujtojmë që më 1 korrik 2025, Qeveria e miratoi informacionin mbi nevojën për rindërtim të gjerë dhe ndërtim të mëtejshëm të kapaciteteve spitalore në Shtip dhe Tetovë.
Ndërkaq, kryeministri Hristijan Mickoski në maj 2025 kishte paralajmëruar ndërtimin e spitali të ri në Kërçovë dhe punime në Tetovë e Shtip, si rezultat i partneriteti strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar.