Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi nevojën për të zgjeruar dy spitalet aktuale dhe për të ndërtuar një spital të ri

Në seancën e sotme të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, u miratua nevoja për të ndërtuar një spital të ri në Kërçovë, si dhe nevoja për të zgjeruar kapacitetet për dy spitalet ekzistuese, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria në seancën e sotme miratoi Informacionin mbi nevojën për rindërtim të gjerë dhe ndërtim të mëtejshëm të kapaciteteve spitalore në Shtip dhe Tetovë, ndërtimin e një objekti të ri shëndetësor në Kërçovë”, njoftoi Ministria për Shëndetësi.

Ministria sqaroi që planifikohet ndërtimi i një spitali të ri në vend të ri në Kërçovë, pasi spitalin e (pa)përfunduar e vlerësoi me mangësi “serioze konstruktive dhe projektuese”.

Në këtë seancë u diskutua edhe nevoja për investime të reja dhe transformim digjital të shëndetësisë, përmes futjes së Dosjes Elektronike Shëndetësore dhe Qendrës kombëtare të e-shëndetësisë elektronike.

Në Shtip planifikohet përfundimi i objektit ekzistues dhe zgjerimi me një objekt të ri për Fakultetin e Mjekësisë dhe parkingu në kate.

“Me qëllim që Spitali Klinik në Tetovë të rritet vërtet në një qendër shëndetësore rajonale dhe funksionale, Ministria propozon ndërtimin e dy objekteve të reja për shërbime specifike diagnostikuese dhe terapeutike, si dhe një rindërtim dhe modernizim të plotë të pavijoneve ekzistuese, për të përmirësuar kushtet për pacientët dhe stafin mjekësor”, sqaroi Ministria.

Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski në muajin maj kishte paralajmëruar ndërtimin e spitali të ri në Kërçovë dhe punime në Tetovë e Shtip, si rezultat i partneriteti strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Objekti i spitalit të ri të Kërçovës, ka filluar të ndërtohet që nga vitet e 90-ta. Kërçovarët vazhdojnë t’i marrin shërbimet shëndetësore në hapësirat e spitalit të vjetër, pavarësisht se autoritetet lokale dhe qendrore disa herë u kanë premtuar spital me kushte moderne. Spitali, i cili do të duhej t’u shërbente pacientëve, sot është bërë vendstrehim për qentë endacakë. Në muajin prill, kryeministri Mickoski kishte deklaruar se punimet në këtë objekt do të ndërpriten, pasi spitali do të ndërtohet në një objekt tjetër.