Kryeministri Mickoski i shpalosi disa projekte që pritet të realizohen nga partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar
Investime në vlerë prej 6 miliard euro pritet të bëhen në infrastrukturën, shëndetësinë dhe transportin e Maqedonisë së Veriut, si rezultat i partneriteti strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri Hristijan Mickoski sot mbajti konferencë për media në hapësirat e Qeverisë së RMV-së për të paralajmëruar 6 miliardë euro investime së bashku me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shkup, Metju Loson.
Përmes këtyre investimeve, kryeministri Mickoski, paralajmëroi se do të ketë modernizimi të forcave ushtarake në përputhje me standardet e NATO-s, rritje të sigurisë së qytetarëve, parandalim të tregtisë me njerëz, investime në arsim, transformim digjital dhe inovacion. Ai sqaroi se këtu përfshihen edhe investimet te të rinjtë, kultura, shkenca dhe teknologjia.
“Njëkohësisht, përse kjo marrëveshje për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar është e rëndësishme për qytetarët maqedonas. Ajo do të jetë baza dhe themeli për një cikël investimesh që do të ketë kornizë totale prej 5 miliardë paund, gjegjësisht 6 miliardë euro, ku një pjesë e këtyre mjeteve do të përdoren për investime në infrastrukturë, ndërtimin e një hekurudhe moderne për mallra dhe pasagjerë nga Tabanoci deri në Gjevgjeli, investime në shëndetësi dhe spitale të reja, përfundimin e projektit të spitalit klinik në Shtip bashkë me ndërtesën e Fakultetit të ri të Mjekësisë, konvikt studentor me kapacitet prej 200 shtretërve, ndërtimin e spitalit në Kërçovë bashkë me shtëpinë e shëndetit, rinovimin e spitalit klinik në Tetovë, etj”, deklaroi Mickoski.
Këto investime janë rezultat i marrëveshjes ndërmjet këtyre dy vende, që sipas Mickoskit është “marrëveshje historike” që u nënshkrua mes dy kryeministrave në Tiranë. Ai paralajmëroi që ditët në vazhdim do të nënshkruhet marrëveshje edhe për këto investime që i shpalosi sot.
Ndryshe, dje (16 maj) në Tiranë u nënshkrua Marrëveshja bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ajo u vlerësua si një marrëveshje historike nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Marrëveshja u nënshkruar në kuadër të Samitit të Komunitetit politik evropian, ku u takua kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.