Aliu dhe Geer, e nënshkruan Marrëveshjen për pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në Programin “Evropa Digjitale”

Ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu, së bashku me euroambasadorin David Geer, sot në Skup e kanë nënshkruar Marrëveshjen mes Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrjen e vendit tonë në Programin “Evropa Digjitale”.

Në kuadër të Dialogut Rregullues me Ballkanin Perëndimor, më  datë 30 qershor 2023, Komisioni Evropian nënshkroi Marrëveshje Аsocimi për Programin “Evropa Digjitale” – me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Serbinë.

Nga MSHIA shtojnë se bizneset, administrata publike dhe organizatat e këtyre vendeve fqinje do të kenë qasje në fondin prej 7.5 miliardë euro, për periudhën e viteve 2021-2027.

“Kjo Marrëveshje shënon hap të rëndësishëm në rrugën e digjitalizimit që vendi ynë tashmë ka nisur me hapa të përshpejtuar dhe kjo rrugë do të jetë e pandërprerë deri në digjitalizimin e plotë të proceseve të punës së administratës, duke i respektuar ligjet, standardet dhe strukturat e TIK-ut, gjatë dizanjimit, zbatimit dhe përmirësimit të shërbimeve digjitale. MSHIA-ja, ka objektiv kryesor plotësimin e standardeve dhe kushteve për të siguruar një të ardhme të sigurt në Bashkimin Evropian. Pikërisht për këtë, aktivitetet lidhur me transformimin digjital të institucioneve publike dhe modernizimi në këtë drejtim është fokusi kryesor i Qeverisë sonë”, deklaroi ministri Aliu.

Sipas tij, Programi “Evropa Digjitale” do të sigurojë financim strategjik për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, duke mbështetur projekte në pesë sfera kyçe të kapacitetit: në superkompjuter, inteligjencë artificiale, sajber siguri, aftësi avancuese digjitale dhe sigurim të përdorimit të gjerë të teknologjive digjitale në ekonomi dhe shoqëri, duke përfshirë edhe qendrat inovative digjitale”.

Siç informuan nga MSHIA, ministri Azir Aliu është për vizitë zyrtare treditore në Bruksel, ku ka realizuar një sërë takimesh.