Ali Aliu: Një nga rreziqet e gjuhës është futja dhe zëvendësimi i panevojshëm i fjalëve të leksikut të pasur shqiptar
Në një kohë kur ritmi i shpejtë i jetës, teknologjia dhe kultura e spektaklit shpesh e shtyjnë në plan të dytë librin, gjuhën dhe kujtesën kolektive, pyetja se si ruhet identiteti kulturor bëhet gjithnjë e më aktuale. Për kulturën shqiptare, gjuha ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e trashëgimisë, ndërsa libri, arti dhe krijimtaria vazhdojnë të jenë ura që lidhin brezat me rrënjët e tyre. Për këto tema, por edhe për sfidat me të cilat përballet kultura shqiptare në kohën e globalizimit, për rolin e institucioneve, të leximit dhe të akademikut në shoqërinë moderne, Portalb.mk bisedoi me akademikun Ali Aliu, një nga emrat më të njohur të mendimit, kritikës letrare dhe studimeve kulturore shqiptare. Aliu flet për rolin e gjuhës si themel të identitetit kulturor shqiptar, rëndësinë e librit dhe leximit në zhvillimin e një shoqërie, sfidat që globalizimi sjell për kulturën kombëtare, si dhe nevojën për institucione të forta që mbrojnë dhe promovojnë trashëgiminë kulturore shqiptare.
Portalb.mk: Çfarë e mban gjallë një kulturë: kujtesa, krijimtaria apo njerëzit që nuk pranojnë ta lënë të harrohet?
Ali Aliu: Natyrisht, trashëgimia e një kulture është një çështje që funksionon nga shumë motive dhe nga shumë perspektiva. Kultura e një kombi është mënyra e jetës, mënyra e raporteve familjare, mënyra e komunikimit me rrethin, me anëtarët e familjes dhe me lagjen.
Kultura është ruajtja e gjuhës, ruajtja e trashëgimisë, e rrënjëve historike, e zakoneve dhe e etnografisë. Sidomos gjuha është një nga boshtet kryesore të kulturës së një mjedisi, sepse ajo është instrumenti që i përfshin të gjitha këto fusha të jetës dhe të ekzistencës njerëzore.
Qëndrimi ndaj librit, ndaj muzikës, ndaj folklorit dhe ndaj çdo gjëje që lidhet me mënyrën e jetesës së një populli, përfshihet në termin kulturë. Prandaj, një kulturë e mbajnë gjallë kujtesa, krijimtaria dhe mbi të gjitha njerëzit që nuk pranojnë ta lënë të harrohet.
Portalb.mk: A mund të ketë zhvillim kulturor pa lexues të formuar dhe pa kritikë të mirëfilltë?
Ali Aliu: Kultura kultivohet si trashëgimi dhe zgjerohet në dimensione të ndryshme: si jetë, si ekzistencë dhe si traditë. Ajo ka jetuar edhe në faza kur nuk ka pasur shkolla dhe libra, por është ruajtur në mënyra të tjera, sipas rrethanave të kohës.
Në ato kushte, kultura është kultivuar, është përsosur dhe janë krijuar mundësi që në të ardhmen ajo të zgjerojë horizontet dhe profilet e saj. Kjo ndodh sidomos atëherë kur funksionon libri, kur njerëzit arsimohen, fitojnë njohuri dhe ndërtojnë raporte me të tjerët dhe me botën.
Në këtë mënyrë, kultura zgjerohet dhe pasurohet. Kështu mund ta kuptojmë edhe raportin tonë sot me kulturën: me kulturën tonë gjuhësore, historike, etnografike, arkeologjike, arkitekturore dhe me të gjitha aspektet e të jetuarit.
Prandaj, zhvillimi kulturor bëhet më i plotë kur ka lexues të formuar, arsimim dhe kritikë të mirëfilltë, sepse këto e ndihmojnë kulturën të mos mbetet vetëm trashëgimi, por të bëhet edhe vetëdije, krijimtari dhe zhvillim.
Nëse nisemi nga Rilindja, por edhe nga periudhat para saj, gjurma, shenja dhe simboli më i prekshëm i kulturës sonë është gjuha. Pa instrumentin e gjuhës, kultura nuk do të mund të dëshmohej si fakt historik dhe si dokument i prekshëm i trashëgimisë sonë.
Te ne, dëshmitë historike të gjuhës fillojnë me “Mesharin”, edhe pse ka detaje, supozime dhe gjurmë që mund të shkojnë edhe më herët. Megjithatë, gjuha mbetet ajo që e bën kulturën tonë fakt historik, dokument të prekshëm dhe monument të trashëgimisë kulturore.
Është gjuha ajo që dokumenton dhe ruan trashëgiminë tonë në të gjitha fushat: qoftë atë historike, qoftë atë mitologjike, qoftë atë të supozuar, apo atë të shkruar. Përmes gjuhës, kultura shqiptare bëhet e dukshme, e transmetueshme dhe e qëndrueshme në kohë.
Kjo çështje kërkon një elaborim më të gjerë dhe një qasje multidisiplinare, që të trajtohet nga perspektiva të ndryshme: historike, gjuhësore, etnografike, kulturore dhe shpirtërore. Sepse kur flasim për gjuhën dhe kulturën, hyjmë në një univers të gjerë të ekzistencës, trashëgimisë dhe kujtesës së njeriut, të popullit dhe, në këtë rast, të botës shqiptare.
Prandaj, pasuria më e madhe shpirtërore që kultura shqiptare ia ka dhënë historisë sonë është gjuha, sepse ajo është dëshmia, kujtesa dhe monumenti më i gjallë i ekzistencës sonë kulturore.
Portalb.mk: A po e trajtojmë gjuhën shqipe si trashëgimi të shenjtë, apo vetëm si mjet komunikimi të përditshëm?
Ali Aliu: Gjuha është shenja e parë e identitetit të një populli dhe përmes saj monumentalizohen të gjitha rrënjët dhe e gjithë trashëgimia e tij, historike dhe jo historike.
Gjuha është mënyra kryesore me të cilën njeriu shpreh botën e vet shpirtërore dhe mendore, emocionet, refleksionet dhe imagjinatën. Ajo depërton në të gjitha sferat e qenies njerëzore. Madje, gjuha është një mjet që arrin deri në thellësitë e vetëdijes dhe të nënvetëdijes, duke prekur dimensionet më të fshehta të mendimit dhe të imagjinatës.
Megjithatë, edhe krijuesit më gjenialë kanë pranuar se ndonjëherë gjuha mbetet e pafuqishme për të kapur çdo nuancë të mendjes, të emocioneve dhe të imagjinatës njerëzore. Këtë e kanë shprehur poetë të mëdhenj, si Naim Frashëri, i cili në veprat e tij përcjell ndjenjën se mallin, emocionet dhe përfytyrimet e caktuara është vështirë t’i përfshish plotësisht me fjalë. Nganjëherë duket sikur nuk ekzistojnë fjalët e duhura që mund të depërtojnë aq thellë dhe t’i konkretizojnë ato në një vizion apo imazh të gjallë.
Prandaj, gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi i përditshëm. Ajo është kujtesa, identiteti, kultura dhe vetë ekzistenca shpirtërore e një populli. Në këtë kuptim, gjuha shqipe duhet të trajtohet si një trashëgimi e shenjtë, sepse përmes saj ruhen dhe transmetohen të gjitha vlerat që na bëjnë ata që jemi.
Portalb.mk: Çfarë roli duhet të ketë akademiku në kohën kur kultura shpesh zëvendësohet nga spektakli?
Ali Aliu: Spektaklet varen nga mënyra se si i kuptojmë. Nganjëherë, kur themi spektakël, mendojmë për një pamje, një zhvillim kalimtar, diçka që nuk lë ndonjë gjurmë të thellë artistike apo mendore, por shërben thjesht si imazh për argëtim ose për të kaluar kohën.
Megjithatë, spektaklet mund të jenë edhe ndërmarrje të fuqishme kulturore: spektakle filmore, skenike, teatrore, që lidhen me kulturën shpirtërore dhe mendore të një populli.
Për mua, fjala “spektakël” është një nocion mjaft relativ. Nga njëra anë, ajo mund të nënkuptojë një vepër të madhe artistike e kulturore, ndërsa nga ana tjetër ka hyrë edhe në zhargonin tonë të përditshëm për të përshkruar diçka që kalon pa lënë ndonjë mbresë të thellë apo gjurmë vlerash.
Portalb.mk: Cili është rreziku më i madh për kulturën shqiptare sot: harresa, varfëria e leximit apo mungesa e institucioneve të forta?
Ali Aliu: Po të nisemi nga rreziqet më të lehta, sidomos në gjuhë, një nga rreziqet është futja dhe zëvendësimi i panevojshëm i fjalëve të leksikut të pasur shqiptar. Kjo kryesisht depërton përmes mediumeve, por mund të vijë edhe si ndikim i sjelljeve të huaja, i fenomeneve dhe dukurive që hyjnë pa nevojë dhe pa kritere.
Për shembull, në folklorin tonë mund të depërtojnë melodi që e dëmtojnë, madje mund të themi se e bastardojnë kulturën tonë në një fushë të caktuar. Kjo mund të ndodhë në të gjitha fushat, nëse një mjedis nuk ka filtra, nuk ka mekanizma të qëndrueshëm dhe nuk ka instrumente të mjaftueshme për t’u mbrojtur.
Këto janë rreziqe që ndikojnë në mënyrën e sjelljes, në mënyrën e veshjes dhe në mënyrën e komunikimit. Sot, në fazën e globalizimit, ku komunikimi është shumë i shpejtë, njëkohësisht i dobishëm dhe i dëmshëm, informacioni qarkullon nëpër glob brenda pak minutash. Prandaj mund të depërtojnë edhe rreziqe që lidhen me bindjet, besimet dhe vlerësimet.
Diçka e tillë mund të ndodhë edhe në gjuhë, në folklor, në arkeologji, në ambientet ndërtimore, në arkitekturë dhe në të gjitha fushat e tjera. Në këtë komunikim global kaq të shpejtë, i cili nga njëra anë na mundëson të informohemi për çdo fenomen që na dëshpëron apo na gëzon, ndikimet e tilla bëhen gjithnjë e më të mundshme.
Prandaj, rreziku më i madh është mungesa e institucioneve të organizuara, të qëndrueshme dhe mbrojtëse. Pa institucione të forta, harresa dhe varfëria e leximit bëhen edhe më të rrezikshme. Kjo është një fushë që mund të komentohet, të perceptohet dhe të shihet nga perspektiva të ndryshme.
Portalb.mk: Si mund ta kthejmë librin, gjuhën dhe artin në pjesë të jetës së përditshme të brezit të ri?
Ali Aliu: Çështja e librit sot paraqet një mungesë, por kjo nuk është vetëm dukuri shqiptare. Ta lëmë anash mundësinë që libri, një ditë, ndoshta do të zëvendësohet tërësisht nga forma të tjera. Le ta marrim librin ashtu siç e kuptojmë sot: si një mjet që shpreh mendësinë tonë, identitetin tonë, gjuhën tonë dhe krejt qenien tonë, si individë dhe si etni; një mjet përmes të cilit ne i përcjellim vlerat tona te bota tjetër, por edhe pranojmë vlera prej saj.
Besoj se libri duhet të stimulohet në forma të ndryshme, aq sa është e mundur, të paktën në hapësirën shqiptare. Libri shqiptar nuk ka qenë shumë i përkrahur në financimin e tij, sidomos nuk është përkrahur mjaftueshëm që të mos ketë kufij në qarkullim. Ne ende vazhdojmë me institucione ndërshqiptare në Ballkan që mezi arrijnë të organizojnë panaire, ndërsa botuesit shpesh përballen me vështirësi të mëdha.
Në Shkup patëm një panair shumë të suksesshëm, me këmbë të mbarë, dhe besoj se duhet të bëhet i përhershëm. Megjithatë, sa mbaj mend unë, botuesit gjithmonë janë ankuar dhe shpesh kanë pasur edhe probleme doganore për ta kaluar librin përtej kufijve.
Edhe kur nuk ekzistojnë pengesa të tilla formale, libri ende nuk qarkullon lirshëm nëpër qendrat shqiptare të Ballkanit, sikur të ishte pjesë e një hapësire të përbashkët pa kufij. Kështu ndodh që botimet e një qendre, për shembull të Tetovës, Ulqinit apo Preshevës, vështirë depërtojnë në qendrat e tjera shqiptare, edhe pse hapësira jonë shqiptare është sa një qytet mesatar evropian.
Prandaj, për ta kthyer librin, gjuhën dhe artin në pjesë të jetës së përditshme të brezit të ri, duhet së pari të krijojmë qarkullim më të lirë të librit, komunikim më të mirë kulturor ndërmjet qendrave shqiptare dhe mbështetje më të madhe institucionale për botuesit, autorët dhe aktivitetet kulturore. Ende na mungojnë këto forma komunikimi dhe qarkullimi, dhe kjo është përgjegjësi e jona. Për këtë problem mund të flitet me orë të tëra.