“Akropoli i Ri” filloi fushatën “Dhuro një libër, ndërto një botë” për shkollat në nevojë
Qendra kulturore, filozofike Akropoli i Ri në Shkup ka nisur fushatën vullnetare “Dhuro një libër, ndërto një botë”, e cila synon të mbledhë libra për t’i dhuruar në shkollat fillore dhe të mesme në nevojë. Kjo nismë ka për qëllim të mbështesë nxënësit dhe shkollat që kanë mungesë librash, duke krijuar më shumë mundësi për lexim dhe zhvillim, shkruan Portalb.mk.
Erdin Saliu anëtar i Qendrës kulturore, filozofike Akropoli i Ri në Shkup për Portalb.mk tha se përmes dhurimit të librave, dëshirojnë të shkojnë te shkollat fillore dhe të mesme në nevojë, duke pasuruar bibliotekat e tyre.
“Leximi është një nga mjetet më të fuqishme për zhvillimin e një shoqërie. Nga kjo bindje lindi edhe ideja jonë: të nxisim dashurinë për librin dhe të aktivizojmë njerëzit që duan të kontribuojnë për të ardhmen. Përmes dhurimit të librave, dëshirojmë që ata të shkojnë te shkollat fillore dhe të mesme në nevojë, duke pasuruar bibliotekat e tyre dhe duke u dhënë nxënësve më shumë mundësi për të lexuar, mësuar dhe ëndërruar. Mesazhi ynë është: “Dhuro një libër-ndërto një botë.” dhe duam t’u kujtojmë qytetarëve se secili prej nesh mund të ndikojë pozitivisht në jetën e brezave të rinj duke ndarë dije dhe frymëzim përmes librit. Dhurimet mund të bëhen në ambientet e qendrës sonë, nga e hëna deri të premten, në orarin 18:00-21:00. Gjendemi mbas Ambasadës së Kosovës në Shkup”, tha Saliu.
Ai shtoi se përfituesit kryesorë të librave janë shkollat fillore dhe të mesme dhe se kjo fushatë do të zgjasë deri më 31 tetor.
“Ne duam që nxënësit, në mjedisin e tyre të përditshëm, të kenë mundësinë të lexojnë dhe të zgjedhin mes një shumëllojshmërie librash, duke e kthyer bibliotekën e shkollës në një hapësirë frymëzimi. Fushata do të zgjasë deri më 31 tetor. Gjatë këtij muaji synimi ynë është të mbledhim sa më shumë libra të jetë e mundur, në mënyrë që të pasurojmë sa më shumë shkolla dhe t’u japim nxënësve një bibliotekë më të larmishme”, tha Saliu.
Saliu potencoi se Akropoli i Ri rregullisht organizon aktivitete të ndryshme dhe shpreson se kjo fushatë do të nxisë dashurinë për leximin.
@Shpresojmë që kjo fushatë të nxisë dashurinë për leximin, të zhvillojë imagjinatën, fjalorin dhe mendimin kritik të nxënësve. Përveçse një mundësi për të mësuar më shumë, është edhe një shembull bujarie dhe solidariteti, sepse çdo libër i dhuruar është një dhuratë për të ardhmen e një të riu”, tha Saliu.
Ai deklaroi se synimi i tyre është që fushata të zhvillohet çdo vit.
“Kjo nismë është menduar si fillimi i një tradite të bukur. Synimi ynë është që fushata të zhvillohet çdo vit, duke u kthyer në një veprim të përvitshëm ku qytetarët do mund të dhurojnë libra dhe të kontribojnë në pasurimin e bibliotekave të shkollave. Në këtë mënyrë, krijohet një kulturë e qëndrueshme bujarie dhe dashurie për librin, që u ofron brezave të rinj gjithnjë e më shumë mundësi për të lexuar dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur”, tha Saliu.
Akropoli i Ri dhuron libra nga këto sfera:
