Teatri shkollë e jetës, pasqyrë e shpirtrave njerëzor dhe urë që lidh mendjet e njerëzve
Shkruan: Bekim Fera
Në natën përmbyllëse të Festivali të Teatrove “Skupifestival” u shfaq “Gjysmë-jeta” e Marie Curie-Lauren Gunderson, nga aktoret Yllka Mujo, Armela Demaj.
Përshtypjet sub/objektive nga unë:
1.Në aspektin shkencor(mjekësor):
Gjëja e parë që më bëri përshtypje ishte vet emri- “gjysmë-jetë”,”half-life”,”polu-zivot” ku çdo element radioaktiv ka atome që janë të paqëndrueshme. Me kalimin e kohës, këto atome shpërbëhen (transformohen në elemente të tjera), duke lëshuar rrezatim (alfa, beta ose gama).
Gjysmëjeta është koha që duhet që gjysma e atomeve të një sasie të tillë të shpërbëhen.
Për shembull:
Radiumi ka gjysmëjetën prej 1600 vjete. Poloniumi ka gjysmëjetën 138 ditë.
Technicium-99m (Tc-99m) përdoret shumë në skanime mjekësore (p.sh. Të gjëndrës tiroide – 6 orë gjysmë-jetë).
Marie Curie izoloi për herë të parë radiumin në formë të pastër.
Zhvilloi konceptin e radioaktivitetit (vetë fjala “radioaktivitet” u përdor për herë të parë prej saj)
Mori dy çmime Nobel në dy shkenca të ndryshme: njërën në fizikë (1903) dhe tjetrën në Kimi (1911) – për zbulimin e radiumit dhe poloniumit(që e emëroj sipas Polonisë), etj,etj.
2.Në aspektin letrar:
Në shfaqje u recituan pjesë nga “Hertha” nga Algernon Charles Swinburne e cila është një poezi që flet për ciklin e jetës, vdekjen dhe ringjalljen e natyrës.
Nga kjo poezi shkencëtarja angleze njëherit edhe mikja e Marie Curie përpos që ndryshoj emrin e saj në Hertha Ayrton ajo shfaqet si një dritë shprese dhe mbështetjeje, duke nxjerrë në pah forcën, rikuperimin dhe rëndësinë e solidaritetit njerëzor në kohë të vështira me vargjet:
“Unë isha
Para se toka të ishte
Para se deti të ishte
Apo fijet e buta të barit
Apo gjymtyrët e hijshme të pemës
Apo frutat në degë të njoma-unë isha, dhe në mua shpirti yt…”
Poezia thekson harmoninë midis njeriut dhe natyrës, fuqinë krijuese të tokës dhe rëndësinë e respektimit të ligjeve universale. Ajo shpreh nostalgjinë për besimet dhe zakonet e lashta, duke paralajmëruar për humbjen e lidhjes së njeriut me natyrën dhe shpirtin. Simbolika kryesore përfshin Herthën si perëndeshë të pjellorisë, ujërat si rinovim dhe dritën e hijen si ciklin e jetës dhe vdekjes. Mesazhi është që njeriu duhet të jetojë në harmoni me natyrën dhe të njohë misterin e jetës.
3.Në aspektin ideologjik:
Një grua me dy çmime Nobel me një gjenialitet të rrallë përballet me paragjykimet nga shoqëria për faktin se ishte grua. Në një botë ku arritjet e grave shpesh minimizohen, ajo pas vdekjes së Pierre pati një marrëdhënie të diskutueshme me fizikantin francez Paul Langevin, i cili ishte i martuar. Skandali u përdor nga shtypi francez për ta sulmuar për shkak se ishte grua e huaj dhe shkencëtare, gjë që e dëmtoi reputacionin e saj për një kohë.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Marie Curie organizoi ambulance mobile me aparate rreze X, që u quajtën në Francë “Petites Curies” (“Curiet e Vogla”). Këto ambulanca mobile shërbenin për të bërë radiografi në vijën e frontit, duke ndihmuar në diagnostikimin e plagëve dhe vendosjen e trajtimit kirurgjikal.Ajo krijoi, pajisi dhe trajnoi ekipet mjekësore që përdornin këto aparate, duke kontribuar ndjeshëm në mjekësinë në luftë edhe pse nga pushteti i atëhershëm nuk u pranua si sukses i saj por thjeshtë ambulancat u emërtuan si “Curiet e vogla”
Siç u tha edhe në pamfleta -kjo shfaqje nuk është vetëm një portret i jetës së Marie Curie, por edhe një reflektim i fuqishëm mbi guximin, miqësinë dhe rezistencën e grave që hapin rrugë të reja në histori.
4.Dhe e fundit – Muzika (qershija mbi tortë)
Çifti Curie pati dy vajza:
Irene e cila më vonë fitoi edhe vetë çmim Nobel bashkë me bashkëshortin në zhvillimin e përdorimit mjekësor të izotopeve radioaktive ku vdiq nga rrezatimi.
Dhe Eve shkrimtare dhe pianiste që nuk bëri shkencë si pjesa tjetër e familjes dhe jetoi deri në moshën 102 vjeç.
Gjatë shfaqjes kur Marie kishte krizat e dashurisë dhe paragjykimet e shoqërisë se ishte e pamoralshme që po kalonte me një burrë të martuar, vajza Eve luante në piano një vepër të një kompozitori francez “I Saw Daddy Today” (Sot pashë babanë) nga Yann Tiersen.
Muzika e Tiersen është e njohur për tonet e thjeshta por prekëse ku përdor piano, violinë dhe instrumente që krijojnë atmosferë nostalgjie. Në këtë vepër, melodia shërben si “zë i brendshëm” i ndjenjës së mungesës-më shumë një ndjenjë sesa një tregim i drejtpërdrejtë i “gjysmë-jetës” shpirtërore…
Kujtoj që nga fundi i shfaqjes i thash shokut tim afër ”U kënaqa”.