AKP-ja mori nën kontroll hotelin në Banjskë, është pronë e “Trepçës”

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka marrë nën kontroll një hotel në Banjskë të Zveçanit. Hoteli në fjalë është pronë e “Trepçës”, raporton Koha.net. AKP-në e ka asistuar policia e Kosovës, ndërsa marrja nën kontroll është bërë të martën.

“Policia e Kosovës i ka ofruar asistence AKP-së pas kërkesës për të vendosur nën administrim objektet e N.Sh. Trepça Standard në Banjskë. Toka dhe ish-objekti (i rinovuar pa leje nga entitet ende të panjohura për AKP-në) janë pronë e N.Sh. Trepça Standard, me seli në Mitrovicën e Veriut e cila është nën autoritetin e AKP-së. Me që AKP nuk ka pasur qasje në atë pjesë deri më tani, pas krijimit të kushteve dhe qasjes dhe pas marrjes se informacioneve që ka pasur edhe veprimtari të paligjshme në këto objekte, AKP me asistencë të policisë ka vendosur pronën nën administrim të saj. Para se të merren këto masa AKP ka tentuar të kontaktoj palët që kanë shfrytëzuar këto objekte deri tani, por s’ka pasur sukses as t’i identifikoj dhe as t’i kontaktojë”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për KOHËN.

Edhe nga Policia e Kosovës e kanë konfirmuar aksionin.

“Policia i ka asistuar zyrtarët e këtij institucioni deri në përfundimin e verifikimit nëse ky hotel është pronë e ndërmarrjes ‘Trepça’”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani.

Hapjen e hotelit në Banjskë e kishte bërë Marko Gjuriq, që aktualisht është ambasador i Serbisë në SHBA.