AKI: Drejtori i MEPSO-s, kushëriri i Izet Mexhitit me tenderë po i hap rrugë botës serbe në Maqedoni

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka ngritur shqetësime për sigurinë energjetike të Maqedonisë, duke akuzuar drejtorin e MEPSO-s, Burim Latifi, për nënshkrimin e kontratave me kompani serbe, përfshirë “IMP-Telekomunikacije DOO Beograd” dhe “Siemens DOO Beograd”, për projekte strategjike. AKI pretendon se zgjedhja e këtyre firmave mund të krijojë konflikt interesi për shkak të lidhjeve familjare me kandidatin e VLEN-it, Izet Mexhiti, dhe kërkon hetim nga institucionet përkatëse. Sipas AKI-t, vendosja e këtyre kontratave mund të rrezikojë stabilitetin energjetik dhe të favorizojë ndikime të huaja, duke nënvizuar se ekzistojnë kompani lokale të afta për këto shërbime, transmeton Portalb.mk.

“Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ngre alarmin për një skandal të nivelit më të lartë, i cili rrezikon sigurinë energjetike të shtetit dhe e vendos Maqedoninë në duart e projektit të ashtuquajtur “bota serbe”, thonë nga AKI.

Ata shtojnë se drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, kushëriri i parë i kandidatit të VLEN-it për Çair, Izet Mexhiti, ka nënshkruar kontrata me kompani serbe për projekte me rëndësi strategjike.

“Ne kemi fakte se funksionarët e VLEN-it jo vetëm që heshtin përballë projektit të ashtuquajtur bota serbe, por e mbështesin atë aktivisht dhe këtë e bëjnë përmes tenderëve publikë”, deklaroi zëdhënësi i AKI-t, Fitim Kakruki.

Më 21 gusht, drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, shtojnë më tej ka nënshkruar një kontratë me kompaninë “IMP-Telekomunikacije DOO Beograd” për furnizimin dhe instalimin e pajisjeve të telekomunikacionit për telembrojtjen e linjës elektroenergjetike midis Shtipit dhe Vranjës.

“Kjo linjë është kyçe për stabilitetin energjetik të shtetit dhe çdo ndërhyrje mbi të ka pasoja serioze strategjike”, thuhet në reagim.

Vetëm një muaj më parë, në korrik, thuhet më tej, Latifi ka nënshkruar edhe një kontratë tjetër, në vlerë prej rreth 150 mijë eurosh, me kompaninë serbe “Siemens DOO Beograd” për mirëmbajtje softuerike.

“Bëhet fjalë për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë kombëtare. Me këto kontrata, Beogradi fiton qasje në sistemet prej të cilave varet siguria energjetike e Maqedonisë. Kush e ka lejuar këtë dhe me çfarë qëllimi”, pyeti Kakruki.

AKI kërkon nga Qeveria, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe institucionet e sigurisë që menjëherë të hapin procedurë për hetimin e kontratave të MEPSO-s me kompanitë serbe dhe të përcaktojnë nëse ka konflikt interesi dhe ndikim politik nga Izet Mexhiti dhe koalicioni VLEN.

“Në Maqedoni ka dhjetëra kompani, si shqiptare ashtu edhe maqedonase, që mund ta kryejnë këtë punë, por Latifi zgjedh firma nga Beogradi. Kjo nuk është rastësi, kjo është dëshmi e qartë e një agjende partiake dhe familjare”, theksoi zëdhënësi i AKI-t.

Ndryshe, shqetësimi i shprehur në Raportin e Parlamentit Europian lidhur me Maqedoninë e Veriut, respektivisht me promovimin e të ashtuquajturës “botës serbe” nga disa zyrtarë qeveritar të Maqedonisë së Veriut, nuk është nxjerrë si mësim nga Shkupi zyrtar. Këtë e vërtetojnë defilimet e reja të krerëve të lartë shtetëror të Serbisë në Maqedoninë e Veriut. Njohësit e rrethanave politike shtrirjen e ndikimit të “botës serbe” në vend e vlerësojnë si pjesë të propagandës “serbomadhe” kurse kanë reaguar dhe partitë shqiptare. Nga partia maqedonase VMRO-PP, thonë se “politika serbomadhe dhe shovinizmi ndaj Maqedonisë po merr dimension tjetër dhe kjo falë qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM”.

 Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka kohë që debatohet edhe brenda eksponentëve politikë për prezencën e të a.q. “botës serbe” në jetën politike të vendit. Millorad Dodik, politikani kontrovers serb, kryetar i të a.q. Republika Sërpska, në shënimin e “ShëSavës”, festës nacionale të komunitetit serb, organizuar nga Qendra Kulturore Serbe në Shkup, kishte drejtuar porosi kundër Bashkimit Europian. Dodiku ishte i ftuar special i zëvendëskryeministrit të RMV, Ivan Stoilkoviq.   

Raporti nga Parlamenti Evropian, paralajmëron për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës dhe dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.