Agjërimi, kultivues i sinqeritetit te njeriu

Agjërimi e mëson njeriun të jetë i sinqertë. Mbasi agjërimi është fshehtësi mes Allahut (xh. sh.) dhe besimtarit, atëherë vërtetësinë e kryerjes së këtij ibadeti e di vetëm Allahu (xh. sh.). Ky, pra, është ibadet sekret, i cili nuk kryhet që ta shohë dikush prej njerëzve. Pra, nëse është i sinqertë në kryerjen e obligimeve ndaj Allahut (xh. sh.), kur nuk e sheh askush, atëherë ai mësohet të jetë i sinqertë edhe ndaj njerëzve në përgjithësi Si ibadet i tillë, që kryhet vetëm nga ndjenjat e sinqerta ndaj Krijuesit, Allahu (xh. sh.) i garantom besimtarit  shpërblim të posaçëm në botën tjetër:

Çdo vepër e njeriut është i tij, përveç agjërimit, që është  për Mua; andaj, për të do të shpërblej Unë vetë.” (Hadith kudsi – transmeton Buhariu dhe Muslim)

Agjërimi  – qëndrueshmëri dhe durim

Agjërimi njeriun e mëson të jetë i qëndrueshëm dhe durimtar ndaj dëshirave deformuese që i lyp trupi i tij. Nuk ka agjërim pa qëndrueshmëri, pa durim dhe pa adaptim në kushtet më të rënda dhe jo të zakonshme. Nisur nga fakti se agjërimi është  veprim jashtë kushteve të zakonshme dhe normale,  me të cilat është mësuar njeriu, ai, pra, duke agjëruar, bën  durim ndaj hajes, ndaj pijes dhe dëshirave të tjera të epshit, arrin të bëhet sundues i vetvetes dhe i forcave shtazarake dhe destruktive. Të bëhesh sundues i vetvetes,  do të thotë me sukses t’u përballosh situatave të ndryshme  me të cilat ballafaqohemi në jetën e përditshme. Muhamedi (a. s.) në lidhje me këtë ka thënë:  “…nëse dikush e sulmon ose fillon ta fyejë, le të thotë: ‘…Unë agjëroj’”. (transmeton Buhariu)

Pra, agjërimi e forcon besimin tek Allahu (xh. sh.).  Këtë e shohim nga   fjalët e Muhamedit (a. s.) kur thotë:  “Agjërimi është gjysma e durimit”, ndërsa “durimi  – sabri është është gjysma e besimit-imanit”. Nëse arrijmë ta përfitojmë këtë cilësi të lartë – sabrin, atëherë e kemi përfituar atë cilësi për të cilën Allahu (xh. sh.) shpërblen pa masë, siç thotë në Kuranin famëlartë: “…vetëm ata që janë të durueshëm, realizojnë shpërblim të pakufizuar”. /Ez Zumer: 10/

Agjërimi – institucion i humanitetit dhe fisnikërisë së vërtetë

Pa dyshim se agjërimi është institucion i kultivimit dhe edukimit shpirtëror,  përmes të cilit njeriu në vete,  në praktikë, mëson dhe edukohet të jetë human dhe fisnik i vërtetë. Ai duke agjëruar,  në personalitetin e vet mbjell  ndjenjën e humanitetit dhe të fisnikërisë së vërtetë, të cilat vlera e bëjnë atë në vetëdijen e tij dhe praktikën e tij të  bëjë vepra të mira ndaj të tjerëve dhe në këtë mënyrë ai fiton ndjenjën për të bashkëjetuar me të tjerët dhe për t’i ndihmuar ata në çdo situatë. Këtë ndjenjë të humanitetit, të bujarisë dhe të solidaritetit njeriu e mbjell mu gjatë kohës kur ai është duke agjëruar dhe duke e kapluar uria dhe etja dhe në këto momente ai në praktikë njeh dhe shijon urinë dhe etjen dhe në këtë mënyrë kupton çka do të thotë të vuash nga uria. Shpeshherë kemi rast të lexojmë shtypin dhe mjetet e infromacionit,  nga të cilat në mënyrë të trishtueshme njoftohemi mbi urinë e miliona njerëzve në vende të ndryshme të botës,  si në Sudan, Etiopi, Indi, Bangladesh dhe shumë vende të tjera në mbarë botën. Lexojmë dhe dëgjojmë, por shumica nuk e përjetojnë atë dhe nuk e dinë se çka është uria. Për ta kuptuar dhe shijuar atë, duhet në praktikë të vuash nga ajo dhe vetëm atëherë e di se çka është ajo, dhe vetëm atëherë e kupton  se duhet  t’i ndihmosh atij që vuan nga kjo.

Pra, agjërimi është metoda më e përsosur psikologjike për ta kuptuar nevojën fiziologjike të tjetrit dhe në të njëjtën kohë krijon tek njeriu ndjenja të bujarisë, të humanitetit dhe të solidaritetit. Kjo e bën njeriun që të jetë bujar dhe fisnik në çdo moment, në çdo situatë, në çdo vend, duke e kuptuar se pasuria në duart e tij është vetëm mjet për të jetuar, e jo edhe qëllim i jetës. Për këtë Islami gjithmonë kërkon  nga pjesëtarët e vet që të jenë bujarë dhe fisnikë.  Këtë e shohim edhe nga jeta e Muhamedit (a. s.),  i cili ishte bujar i pashembullt, posaçërisht në ditët e muajit të agjërimit. Agjërimi është rast më i volitshëm për të shijuar nevojën e të tjerëve, rast kur duhet ta ndajë  një pjesë  të pasurisë së vet,  siç është zeqati, sadekatul-fitri dhe ndihmat tjera materiale, për të varfrit dhe skamnorët e ndryshëm në vendin ku jetojnë, ose duhet drejtuar drejt institucioneve të Bashkësisë Islame, respektivisht për nevojat e saj, e cila me anë të këtyre ndihmave  bën çmos që ta mbajë kontinuitetin e një pune të drejtprogramuar dhe solide, dhe e cila    garanton  një interpretim të drejtë dhe të vërtetë të Islamit në kushtet dhe kohën në të cilën jetojmë.

Agjërimi është rregulli më  i përsosur social

Agjërimi është rregulli më i përsosur social, për arsye se i lidh dhe i bashkon besimtarët mes vete. Para tij janë të barabartë i pasuri dhe i varfri, i bardhi dhe i ziu, mashkulli dhe femra, kryetari dhe qytetari etj. Duke agjëruar, “të gjithë janë barazuar në ndjenjat  e tyre”  dhe “të lidhur me shijimin e dhembjes së njëjtë”. Kjo është ajo që ka thënë Jusufi (a. s.), kur si ministër i Ekonomisë gjithmonë e mbante stomakun të uritur dhe kur u pyetën se pse e bën këtë, ai u përgjigjet:  ”Frikësohem të ngihem, që mos ta harroj të varfrin.”