Agjërimi ka lindur bashkë me njeriun

Shikuar fenomenin e  agjërimit për nga aspekti historik,  do të konkludojmë se agjërimi filloi bashkë me njeriun e parë, andaj agjërimi i muajit të Ramazanit nuk është obligim i parë për njerëzimin, për arsye se gjithmonë, edhe në kohërat shumë më të hershme, njerëzit agjëruan. Këtë na e vërteton edhe fjala e Allahut (xh. sh.) në Kuranin famëlartë kur thotë:  …”agjërimin  e keni obligim të detyrueshëm, siç e kishin  detyrë edhe ata që qenë para jush…”

Për këtë flet edhe historia e cila vërteton se agjërimi ka qenë shtyllë kryesore e çdo shpalljeje hyjnore dhe gjithmonë është konsideruar si ibadet i madh dhe kryesor. Njeriu dhe pejgamberi i parë Ademi (a. s.) agjëronte të trembëdhjetën,  të katërmbëdhjetën dhe të pesëmbëdhjetën ditë të çdo muaji; Davudi (a. s.) një ditë agjëronte e një ditë jo, pra gjysmën e vitit, ndërsa në Dhiatën Vjetër hasim në tekste të ndryshme  të cilat pjesëtarëve të vet ua bënë të obligueshëm agjërimin. Të njëjtën gjë e gjejme edhe në Dhiatën e Re, librin e shenjtë të të krishterëve, në të cilin libër ekzistojnë tekste të cilat pa masë lavdërojnë agjërimin,  të cilin edhe e numërojnë si ibadet të lartë dhe të rëndësishëm.. Dihet mirë se Musai (a. s.) ka agjëruar katërdhjetë ditë dhe të dhjetën ditë të muajit Muharrem, ndërsa hebrenjtë i agjërojnë shtatë ditë  brenda këtyre katërdhjetë ditëve. Agjërimin e hasim edhe në kohën  e paganizmit të vjetër, sidomos tek egjiptasit e vjetër, nga të cilët mënyra e agjërimit të tyre kalon te grekët dhe romakët e vjetër. Po ashtu,  agjërimi ka qenë i njohur edhe te sabejët, hindusët, budistët, mahineistët, konfuçionistët etj.

Nga e gjithë kjo nënkuptojmë  se fenomeni i agjërimit, edhe pse në forma të ndryshme, ka qenë element i pandashëm i popujve dhe kulturave të ndryshme në të kaluarën. Kjo vetvetiu tregon rëndësinë, nevojën dhe natyrshmërinë e agjërimit.

Agjërimi  –  manifestim i aktivitetit shpirtëror

Çdo obligim fetar, të cilin Allahu (xh. sh.) ua urdhëroi besimtarëve, e ka qëllimin e vet të caktuar dhe,  si i tillë,  është i dobishëm për këtë dhe botën tjetër. Po kështu është edhe me agjërimin e muajit të Ramazanit.

Njeriu, si krijesë e dalluar nga krijesat tjera, paraqet qendrën mes dy botësh, mes   shpirtërores dhe materiales, që do të thotë se njeriu është qenie dualistike, e përbërë nga shpirti dhe materia. Në sajë të këtyre dy elementeve, jeta e njeriut paraqitet si ndeshje dhe konflikt mes këtyre dy lëvizjeve kundërshtare: shpirtit, i cili gjithmonë synon të bashkohet me burimin e vet, Allahun (xh. sh.) dhe materies, e cila gjithashtu synon t’i bashkohet burimit të vet, botës shtazarake. Njeriu, sipas mësimit kuranor, gjithmonë duhet të bëjë përpjekje për mbajtjen e një ekuilibri në mes këtyre  dy elementeve kundërshtare, sepse vetëm në këtë mënyrë ai mund ta  trasojë rrugën më të përsosur shpirtërore, e cila do ta bëjë të aftë që me sukses ta kryejë amanetin e Allahut (xh. sh.) në tokë. Përkundrazi, nëse njeriu, p. sh. i dorëzohet hovit të materies-epshit dhe bëhet rob i tij, atëherë ai (epshi) e dërgon aty ku dëshiron, drejt mëkatit. Jemi dëshmitarë të kohës  në të cilën njeriu plotësisht i është dorëzuar elementit shtazarak të materies-epshit, që e ka drejtuar dhe e ka zhytur në narkomani, në vjedhje, në korrupsion, në krim, në terror, në luftë, në masakrime e gjenocide etj, dhe të gjitha këto janë bërë qëllim të jetës së tij, e kanë helmuar shpirtin dhe i kanë zhdukur vlerat e larta humane, të cilat janë bazë të personalitetit shpirtëror të njeriut.

Mjet më efikas për t’u çliruar nga prangat e epsheve dhe të veseve të shejtanit është agjërimi.  Këtë na e vërtetojnë fjalët e Muhamedit (a. s.):

“Shejtani qarkullon nëpër trupin e njeriut sikur gjaku. Vini re! Ngushtojeni qarkullimin e tij me uri dhe etje.”

“Kush ka muindësi (materiale dhe fizike) le të martohet,  sepse ajo e rrëzon shikimin, e më me siguri e mbron jetën seksuale, e ai i cili nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse agjërimi është shkatërruesi i epsheve të tij.”  /Transmeton Buhariu në Sahihun e tij/

Qëllimi i çdo ibadeti në Islam është që përmes tij të arrihet frika dhe respekti ndaj Allahut (xh. sh.). Ky element në Islam paraqet të vetmen masë të çdo përparësie dhe privilegji. Pra, qëllimi kryesor i agjërimit është që përmes tij të arrihet shkalla më e lartë e përsosmërisë, e moralit,  e që është “Et Takva”- frika dhe respekti ndaj Allahut (xh. sh.), që paraqet, siç thotë Muhjud-din Mustu, “ përmbledhësin e çdo cilësie pozitive, çelësin e çdo të mire, rrugën e çdo ndihme, shenjën e çdo besintari dhe qëllimin e çdo abidi (adhuruesit) të Allahut (xh. sh.)”.  Këtë na e vërteton   fjala e Kuranit famëlartë kur thotë:  ”Agjërimin e keni obligim të detyrueshëm …. Që t’u shmangeni mëkateve.”

Nëse agjërimin, si obligim ndaj Allahut (xh.sh.) e kryejmë me një  ndërgjegjshmëri dhe respekt të lartë,  atëherë me siguri domethëniet dhe dobitë nga agjërimi do të jenë të panumërta: