Qasje “e kufizuar” në informacion: Pa nënshkrim, nuk ka ankesë

Profesorët thonë se Agjencia nuk guxon të kërkojë nënshkrim elektronik

Nëse një qytetar kërkon informacion nga një institucion shtetëror dhe nuk e merr atë, ai mund të dorëzojë ankesë pranë Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik, i vetmi organ që e mbron këtë të drejtë. Deri më tani mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për të dorëzuar ankesë ishte përmes postës elektronike, transmeton Portalb.mk nga Prizma.

Por, që nga disa javë më parë, nëse ankesa dërgohet përmes email-it, ajo duhet të vërtetohet me nënshkrim elektronik, i cili kushton nga 2.000 deri më 4.000 denarë në vit. Me fjalë të tjera, nëse një person dëshiron të dorëzojë ankesë, ai person ose duhet të blejë një nënshkrim elektronik për ta vërtetuar ankesën, ose të paguajë për shërbime postare.

Sipas bashkëbiseduesve të BIRN në këtë mënyrë krijohet një barrierë në qasjen në informacion dhe mohohet e drejta e garantuar me Kushtetutë për qasje të lirë në informacion.

Këtë praktikë Agjencia e justifikon me një nen nga Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative nga viti 2015, sipas të cilit kushdo që dëshiron të komunikojë në mënyrë elektronike me një organ shtetëror duhet të sigurojë një nënshkrim elektronik.

Kjo do të thotë se përpara se ta shqyrtojë përmbajtjen e ankesës Agjencia fillimisht kontrollon nëse ankesa ka nënshkrim elektronik.

German Fillkov nga Qendra për Komunikime Qytetare, i cili është edhe një nga autorët e Ligjit për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik, është i habitur nga ky veprim.

“Pa i analizuar arsyet se pse po ndërmerren këto hapa jam i mendimit se me ato pengohet qasja e lirë në informacion me karakter publik në vend”.

Sipas tij, Agjencia duhet të kërkojë mënyra dhe mundësi për qasje sa më të lehtë dhe sa më të plotë për qytetarët dhe të gjitha palët e interesuara për informacionet që u nevojitet, e të cilat i posedojnë institucionet publike, e jo të krijojë pengesa për realizimin e kësaj të drejte.

“Shpresoj që këto praktika të mos kenë të bëjnë fare me ndonjë (mos)funksionim paraprak, jo shumë të famshëm, të Agjencisë”, thotë ai. Ai pret që këto “zgjidhje kalimtare dhe të zgjedhura pa kujdes” të braktisen “sapo të bëhet e qartë se ato e dëmtojnë qasjen në informacionet publike”.

Në vend të pengesave të reja Fillkov pret që Agjencia të interesohet për arsyet se pse disa institucione, duke filluar nga ministritë e deri te komunat, gjithnjë e më shumë nuk u përgjigjen kërkesave për qasje të lirë në informacion.

Në të njëjtën linjë me qëndrimin e Filkov janë edhe gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për sundimin e të drejtës, në të cilin theksohet se disa institucione shpesh i refuzojnë kërkesat për qasje të lirë për arsye arbitrare, ose e vonojnë shumë publikimin e informacionit.

Analiza e BIRN tregoi se vitin e kaluar është dyfishuar numri i ankesave të dorëzuara pranë Agjencisë për shkak të heshtjes nga administrata ose kërkesave të papërgjigjura. Më shumë se gjysma e ankesave që janë dorëzuar pranë Agjencisë janë dorëzuar nga qytetarët.

Agjencia po e keqinterpreton ligjin

Sipas profesorëve dhe ekspertëve me të cilët biseduam, Agjencia jo vetëm që po e keqinterpreton Ligjin për Procedurë Administrative, i cili para së gjithash duhet ta rregullojë komunikimin midis institucioneve, por edhe po jep një shembull të rrezikshëm për institucionet për atë se si t’i refuzojnë kërkesat e qytetarëve.

“Kjo është e papranueshme”, thotë profesori universitar Borçe Davitkovski, një nga autorët e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, në të cilin thirret ky institucion, e në lidhje me praktikën e re të Agjencisë.

“Ju e humbni të drejtën tuaj. Ata nuk mund ta refuzojnë ankesën për shkak të një nënshkrimi elektronik”, thotë ai dhe thekson se ligji është në fuqi për tu shërbyer palëve: “Të mos bëjnë rolin e burokratit. Ata duhet ta pranojnë ankesën”.

Davitovski thotë se një nga mënyrat e komunikimit mes institucioneve publike dhe partive është ajo elektronike, pra nëpërmjet email-it, siç janë pranuar dhe përpunuar ankesat nga Agjencia për vite me radhë.

Në vitin 2024 ndryshimet në Ligjin për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik u publikuan në Regjistrin e Vetëm Kombëtar të Rregulloreve ENER, e të cilat duhej ta rrisnin transparencën, por edhe dy vjet pas kësaj ato ende nuk janë miratuar.

Profesori u thirr edhe në Ligjin për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet Konfidenciale, sipas të cilit çdo dokument që shtypet dhe skanohet si dokument elektronik ka të njëjtën vlerë provuese si dokumenti i shtypur.

Qëndrim të njëjtë ka edhe Konstantin Bitrakov, docent i cili i ligjëron lëndët e të drejtës administrative dhe administratës publike në Fakultetin “Justianiani I” në Shkup.

Ai është i mendimit se veprimet e Agjencisë janë në kundërshtim me qëllimin e saj për ta mbrojtur të drejtën për qasje të lirë në informacion me karakter publik. Krahas kësaj, siç thotë Bitrakov, “vetë veprimet janë kontradiktore, ndërsa në fund të fundit në kundërshtim me rregullat e së drejtës procedurale administrative”.

“Duke i refuzuar ankesat me arsyetime të paarsyeshme për ndonjë parregullsi – në rastet kur është e qartë se kush është parashtruesi i ankesës, çfarë kërkon ai dhe pse po dorëzon një ankesë – ajo (Agjencia) jo vetëm që nuk është mbrojtëse e së drejtës për qasje të lirë në informacion, por edhe jep një shembull negativ për poseduesit e informacionit, kundër veprimeve të të cilëve duhet të veprojë në shkallë të dytë”, thotë Bitrakov.

Sipas tij, nenet e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative janë për zyrtarët në institucione që ta vendosin nënshkrimin e tyre me dorë ose elektronik kur lëshojnë një akt administrativ, d.m.th., një aktvendim, licencë, vendim, ndalesë, urdhëresë.

Por kjo nuk vlen për palët kur ato dorëzojnë ankesë.

Avokatët këshillojnë që të paditet Agjencia

Në komunikimin fillestar me Agjencinë, ndër të tjera edhe për shkak të refuzimit të një ankese të BIRN për shkak të mungesës të nënshkrimit elektronik, na u tha se rregulli i ri ka hyri në fuqi pas udhëzimeve të Inspektoratit Shtetëror Administrativ.

Por nga atje na u përgjigjën se përveç mbajtjes së një takimi pune me Agjencinë, inspektorati nuk ka lëshuar asnjë akt me shkrim, aktvendim, si dhe nuk ka shqiptuar ndonjë masë që do ta obligonte institucionin.

Disa avokatë me të cilët bisedoi BIRN thanë se qytetarët dhe të gjitha subjektet juridike ankesat e të cilëve janë refuzuar për shkak të mungesës të nënshkrimit elektronik duhet të ngrenë padi kundër Agjencisë në Gjykatën Administrative brenda 30 ditëve nga marrja e vendimeve me të cilat u refuzohen ankesat e tyre.

Udhëheqësia e re e Agjencisë u zgjodh në muajin prill të këtij viti, pas bllokimit disa mujor të këtij institucioni për shkak të përfundimit të mandatit të drejtoreshës së mëparshme dhe zgjedhjes së zëvendëses të saj për këshilltare në Komunë.

Zgjedhja e udhëheqësisë së re u shty në Kuvend, e për këtë arsye me qindra ankesa mbetën të bllokuara në Agjenci sepse nuk kishte se kush t’i nënshkruante ato.

Drejtori i sapoemëruar, Petar Gajdov, pas emërimit të tij në një intervistë për BIRN deklaroi: “Ne, si institucion, jemi të orientuar drejt shërbimit të qytetarëve.”