Ageler: Të gjithë me të cilët bisedoj e dinë se cilët janë aktorët e korruptuar në vend, shpresoj institucionet të ndërmarrin masa

Nuk ka detyrim juridik që institucionet të ndërmarrin aksion, por shpresoj se midis institucioneve të cilat e dinë tashmë se ka korrupsion në këto raste, se me të vërtetë do të ndërmarrin diçka, për shkak se njerëzit në kltë vend duhet të kërkojnë dhe meritojnë që ky korrupsion të ndiqet, hetohet dhe përndiqet, tha ambasadorja e SHBA-së Anxhela Ageler, njofton Portalb.

Duke folur për vendosjen e personave dhe kompanive në “listën e zezë” të SHBA-së gjatë javës së kaluar, Ageler në intervistë për Televizionin Telma theksoi se është interesante ajo që çdoherë kur emërojnë persona për korrupsion në këtë vend, çdo qytetar dhe çdo mik me të cilin bisedon, “thotë “kuptohet”.

“Sepse njerëzit e dinë, e dinë se cilët janë aktorët e korruptuar në vend”, potencoi Ageler.

Në emërimet të cilët i parë deri tani, tha ambasadorja amerikane, korrupsioni nuk ka tendencë që të mbetet në një shtet.

“Ballkani është rajon i cili më shumë ndërlidhet dhe gjithsesi se këtë e parë edhe me emërimet këtu, por mendoj se një nga pikët e rëndësishme të cilët i theksuam në publikimin tonë të enjten e kaluar, kur u publikuan emrat, është se me kë bëni biznes, mund edhe t’ju godasë edhe juve dhe familjen tuaj, se nëse janë në këtë vend, ose në ndonjë vend tjetër në rajon”, deklaroi Ageler.

Ageler, mes tjerash, në intervistë tha se SHBA-ja dhe Ambasada e SHBA-së punon me shumë përkushtim më shumë se 30 vite, ta mbështesë gjyqësinë në të gjithë nivelet.

“Fuqishëm dhe qartë jemi të përkushtuar në mbështetje të institucionit, të gjyqësisës, e jo vetë të gjykatësve individ. Gjykata Supreme për këtë vend, dhe për mua është simbol tejet i fuqishëm, ajo është ‘mbrojtja e fundit’, siç themi ne, dhe nga ajo që diskutova me gjykatësit është se sa e rëndësishme është për të gjithë ata, individualisht dhe si trup ta ndjekin të drejtën kur i miratojnë vendimet, që njerëzit në këtë vend të kuptojnë, si dhe se pse miratohen ato vendim”, deklaroi Ageler.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 16 nëntor të vitit 2023 kanë futur në listën e zezë 10 individë, teksa kanë shpallur rundin e radhës të sanksioneve ekonomike në Ballkan, Sipas ueb-faqes zyrtare të Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Në mesin e tyre janë Savo Cvijetinoviq, Petar Gjokiq dhe Dushko Peroviq nga Bosnja e Hercegovina; Miodrag Davidoviq dhe Branisllav Miqunoviq nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut; dhe Misha Vaciq e Nenad Popoviq nga Serbia.

Ndryshe më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramiz Merkon. Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

 11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.

Ambasadori, David Geer ka paralajmëruar ardhjen në Shkup të një misioni për vlerësimin e punës së Këshillit Gjyqësor, organit më të lartë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, që zgjedh dhe monitoron punën e gjykatësve.

Por, Këshilli ka qenë në shenjstër të kritikave për zgjedhjen e kuadrove partiak në pozita drejtuese në organet e drejtësisë, por edhe për mos veprim në më shumë raste lidhur më vjetërsimin apo mos procedimin e rasteve që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë shtetëror.